Sela: nuk i toleroj kapriçot, nëse duhet shkojmë në zgjedhje të parakohshme

Vazhdoj të jem kritik ndaj sjelljeve të pushtetit qendror me Komunën e Strugës dhe me të gjitha komunat me shumicë shqiptare. Por, më shume sesa me sjelljen e VMRO-DPMNE-së, jam kritik ndaj sjelljes përulëse të BDI-së, karshi VMRO-DPMNE-së. Ziadin Sela kryetar i komunës së Strugës në një intervistë rrëfen ambiciet e tij, siç thotë ai, për të kthyer besimin se ‘ne mundemi’.

PORTALB:Ju z. Sela  i fituat zgjedhjet për kryetar të Komunës së Strugës, në mënyrë spektakolare. Kishit kundërkandidat shumë të fortë nga radhët e BDI-së dhe njëkohësisht bllokun e partive maqedonase të Strugës, të bashkuar në qëllimin e tyre për të fituar drejtimin  Strugës. Të shumtë kanë qenë ata që nuk i kanë besuar fitores suaj. Kuj mund t’ia  përshkruani këtë fitore?

Z.SELA: Nevojës për ndryshim,shpresës së qytetarëve për një të nesërme ndryshe, të rinjve dhe të rejave të Strugës,diasporës strugane, bashkëpunëtorëve të mi, familjes sime, vetëdijes së larte të struganëve që ditën të dënojnë ata që ndër vite çirren duke u thirrur në fushatë elektorale se Struga është shqiptare dhe pa gdhirë e nesërmja s’lënë gjë pa i vjedhur Strugës dhe shqiptarëve!

Verdikti i dhënë në Strugë paralajmëron ndryshimet e mëdha që priten të ndodhin në skenën politike në Maqedoni. Paralajmëron  fundin e një dekade të tërë mashtrimesh nga ana e atyre qe erdhën dhe premtuan lirinë, liri që më pas mori kuptimin e një lufte për të drejta…Drejtësi kjo që gjeneroi akoma më shumë të drejta që presin për t’u realizuar. Prandaj këtë fitore ua përshkruaj fëmijëve pa prind dhe pa të ardhura për jetesë, prindërve të dëshmoreve pa statut dhe  dinjitet në shoqëri. Shtëpive të rrënuara të pasluftës që vazhdojnë të rrinë të përulura përkrah pallateve me gjak dëshmori e djerse kurbetçiu, parash te pista me çmim vuajtje të një populli të tërë, të pushtetarëve  zëvendeskryeministra shteti.

Nuk do doja asesi t’ia atribuoj fitoren vetes sime, sepse ndryshe rrezikoj të më ndodh si gomarit  tek fabula, ku në një rit fetar gomarit i kishin ngarkuar të mbante në shpinë një statujë të cilës populli nisi t’i përulej. Gomari mendoj se populli i mbledhur aty po i përulej atij dhe ndaloj hapin dhe nisi të ndjehet i rëndësishëm dhe i mençur. Këtë gjë e vërejti pronari i gomarit dhe i tha:ore gomar po vazhdo ec sepse nuk të përulet kush ty, por statujës që ke në shpinë! Të tillë që kanë përvetësuar gjithçka kemi plot në dit[t e sotshme, nuk do doja të hy në të njëjtën listë..

PORTALB: Pasi fituat zgjedhjet, dilema kryesore në opinionin e këtushëm ishte edhe mbetet, se cilat parti do ta formojnë shumicën në Këshillin e Komunës së Strugës. Ju e thirrët mbledhjen e  këshillit dhe kandidati juaj për kryesues Këshilli nuk kaloi. Kur e thirrët mbledhjen, kishit llogaritur që mund t’u ndodhte kjo?

Z.SELA: Gjithçka deri në detajin më të vogël. Doja t’iu jap fund fjalëve bosh dhe të mëdha plot e përplot me patriotizma të cilat siç e përmenda edhe me sipër janë gjithmonë bosh dhe pas së cilave fshihen dëshira të pashpjegueshme për përfitime personale, gjë qe interesat kolektive tona si komunitet i çojnë në humnerë,siç edhe është dëshmuar të paktën dy mandatet e kaluara në Strugë. Sapo mbaruan zgjedhjet nisi propaganda nga mjeshtrit e së njëjtës se BDI në Strugë do të më përkrah pa asnjë kusht kryesuesin e Këshillit, biles shkuan akoma më tej duke thënë se një vit do më përkrahin çdo vendim në Këshill dhe pastaj do rrinë në opozitë. Dhe fjalët e mëdha zakonisht e duan një mundësi testimi. Dhe këtë bëra unë i testova. Rezultoi që ishin vetëm fjalë edhe pse mora premtim se do votojnë. Ditën e votimit doli që bisedimet nuk paskëshin qenë serioze nga ana ime apo arsyetime të tipit që herët është për t’u zgjedhur Kryesuesi i Këshillit  edhe pse kish kaluar gati një muaj nga përfundimi i zgjedhjeve. Siç duket fshihen gjëra tjera pas këtyre tekeve te BDI-së! Këtë nuk e thonë, por unë e shoh përditë në punën që bëj në Komunë. Duan t’i mbyll sytë përball vjedhjeve që janë bërë dy mandateve të kaluara në Strugë. Këtë s’e bëj dot dhe me njerëz qe duan të legalizojnë këtë krim nuk ulem të negocioj, për të tjerët jam i hapur.

PORTALB: Ka patur dhe ka një entuziazëm përsa u përket ndryshimeve që mund të ndodhin në Strugë, me ardhjen tuaj  në krye të  Komunës. Vlerësimet e opinionit janë se keni startuar mirë. Ç’mund të na thoni ju,  sa e vështirë është të përballesh me problemet e shumta të banorëve të Komunës që ju drejtoni?

Z.SELA:  Kërkon punë dhe angazhim, qëndrueshmëri në vendimet që merr, ndërsa vështirësi ka më pak, sepse në çdo punë që kam bërë deri tani kam pasur përkrahjen e parezervë të popullit në Strugë. Kjo te lehtëson punën. Struganët janë kërkues, por edhe të kuptueshëm, ata janë të vetëdijshëm se në tetë vite vetëm janë krijuar probleme dhe asgjë nuk është zgjidhur dhe për këtë më japin kohë të zgjidh gradualisht. Natyrisht që kjo më stimulon që të jem më kërkues ndaj vetes dhe ekipit që më rrethon. Bashkë do ia dalim. Nuk mund të them se trashëgova një situatë normale. Sapo mora mandatin u përballa me problemin e pazgjidhur të paraleleve në gjuhën shqipe në Podgorcë dhe me nxënësit e Podgorcës që nuk merrnin dot dëftesa, vetëm sepse mësojnë në gjuhen shqipe. Këtë problem veç më e kam tejkaluar, tani ka ngel të hapet paralelja në Podgorcë, gjë që shumë shpejt do të ndodhë, ndryshe në shtator do të ketë bojkot të procesit arsimor në Strugë, pse jo edhe më gjere .Beteja për arsimin në gjuhën shqipe në Podgorcë nuk është vetëm e podgorcasve dhe e Strugës, por e gjithë shqiptarëve. Nuk ka me asnjë kuptim  shtyrja e mëtejme e këtij problemi dhe mossolidarizimi me këto vogëlushë të Podgorcës, të cilët në keto 4 vite janë bërë simbol i vërtetë  rezistence.
Ka rezultate, por edhe vështirësi, te pritshme nga ana ime. 

PORTALB: Para se të zgjidheni në krye të Komunës së Strugës, ju keni qenë mjaft kritik në lidhje me problemet në sferën e arsimit. Ju keni ndërmarrë disa hapa, që konsistojnë në zëvendësimin e drejtuesve të shkollave. Besoni se këto ndryshime do të sjellin përmirësime në procesin edukativo-arsimor nëpër shkolla dhe çka duhet të ndërmerret, sipas jush, që kjo të arrihet?

Z.SELA:  Nuk mendoj se hapi më i rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të arsimit është dhe duhet të jetë ndërrimi i drejtuesve të shkollave. Ne fakt ky duhet të ishte hapi i fundit, që doja të ndërmerrja në këtë lëmi. Por, ja që hasa në mungesë gatishmërie nga këto ish drejtorë për t’u shërbyer ndryshimeve në arsim. Vazhduan me të njëjtën logjikë. Përplot u mbush tavolina ime e punës me deklarata të rrejshme nga ish drejtorë për transferim të vendeve të punës nga i përkohshëm në të përhershëm, me garanca, se nuk rrezikohet mbyllje e paraleleve. Në ndërkohë që s’e gjen dot në asnjë shkolle fillore një paralele me më shumë se 10 nxënës. Është shumë e dhimbshme të konstatosh se tanimë tërësisht është devijuar qëllimi i arsimit, pikërisht duke u bazuar ne njëmendësinë e lartpërmendur. Në kështu gjeje si është katandisur arsimi, ai  nuk i shërben arsimimit dhe edukimit të gjeneratave te reja, por shërben për punësim arsimtarësh, dhe ne rastin me te keq ushtarësh partiakë, pa përgatitjen e duhur profesionale, gjë që ka çuar në kolaps të kësaj veprimtarie, nga më të rëndësishmet për çdo shoqëri, sepse paratë qe ndahen në formë dotacionesh për arsim harxhohen vetëm për rroga ne kurriz të ngrohjes dhe shëndetit të nxënësve,mungesës së bankave dhe kushteve te tjera për arsim. Është më se evidente se ka ndryshim prioritetesh. Unë dhe ekipi im mendojmë se prioritet kane nxënësit dhe formimi i kuadrove të mirëfilltë dhe në këtë drejtim do t’i drejtojmë politikat tona.

PORTALB: Ju keni qenë dhe jeni mjaft kritik ndaj sjelljes së pushtetit qendror me Komunën e Strugës. Tanimë është pothuajse e sigurt që në nivel vendor do të bëni koalicion me VMRO-DPMNE, që është drejtuese e koalicionit qeveritar. Do të ndihmojë kjo që këto raporte të përmirësohen dhe të dy qeveritë edhe ajo vendore dhe ajo qendrore të punojnë së bashku për interesat e qytetarëve të Strugës?

Z.SELA:  Unë vazhdoj të jem kritik ndaj sjelljeve  të pushtetit qendror me Komunën e Strugës dhe me të gjitha komunat me shumicë shqiptare. Por, më shume sesa me sjelljen e VMRO-DPMNE-së, jam kritik ndaj sjelljes përulëse të BDI-së, karshi VMRO-DPMNE-së. Sepse në fund të fundit BDI është ajo që thirret në legjitimitet të shqiptarëve dhe sjellja e tillë e pushtetit qendror ndaj Strugës vjen, jo si pasoje e faktit qe Struga është ne jugperëndim të vendit, por sepse ka shumicë shqiptare, ashtu siç ndodh me gjitha komunat shqiptare. Lind pyetja logjike, atëherë çfarë bëjnë këto shqiptarë me “legjitimetet ” qendror?  Bëjnë diplomaci dhe do e zgjedhin çështjen e emrit? Është mashtrim i radhës se gjoja po bëjnë diçka. Punësojnë shqiptar në administratë, për të administruar kë? Çështjet e shtëpisë, sepse në shtëpi rrinë!? Presin koncesionerë nga jashtë për zonën e lirë ekonomike në Tetove ? Apo rrinë ne qeveri sepse s’kanë ku shkojnë?

Një gjë e bëjnë deri ne perfeksion, vazhdojnë në pesë vite buxhetore të përmendin të njëjtat projekte dhe investime,  në zonat shqiptare nuk behet asnjë investim , bëjnë avokatin mbrojtës të politikave antishqiptare, fitojnë zgjedhjet  dhe këto s’kanë faj!? Popujt që sot gëzojnë lirinë e gëzojnë, sepse fatin e tyre në momente të caktuara historike e kanë marrë ne duart e tyre dhe nuk e kanë lënë në duart e fqinjëve apo të huajve.

Sa i përket koalicionit për Strugën asgjë s’është e sigurt. Do behet ai koalicion që është në interes te qytetit te Strugës dhe qytetareve të saj dhe do funksionoj derisa do i shërbej këtij interesi. Në momentin që do ndodhin kapriço të çfarëdo natyre qofshin, do të ketë zgjedhje të parakohshme. Lojëra të ulëta politike, nuk do të toleroj të bëhen me Strugën.

PORTALB: Në Komunën e Strugës janë të pakta investimet , të cilat do t’i shërbenin zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, punësimit dhe ngritjes të standardit jetësor. Thuhet se bashkatdhetarët tanë janë një potencial i fuqishëm zhvillimi, por ata rrallë vijnë të investojnë në vendlindje. Pastaj edhe investitorët e huaj sikur e anashkalojnë Strugën. Keni në plan  nisma për t’i tërhequr investitorët dhe sa janë ata të interesuar për të investuar këtu?

Kam pasur disa takime me investitor që janë të interesuar për të investuar në Strugë. Natyrisht se kur rregulli zëvendëson kaosin, rritet edhe interesimi për investim. Investitorët e huaj kanë qenë dhe janë të interesuar për të investuar në Strugë, por ja që janë ridrejtuar nga qendrorët “legjitim” në lindje të Maqedonisë. Në këtë plan jam duke bërë ndryshimet në sistematizim për te formuar një njësi për tërheqje investitorësh, nga brenda dhe jashtë, në mënyrë që të eleminoi këtë ridrejtim apo rishpërndarje investimesh ne lindje. Kam pasur takime me biznismenë lokal nga Struga dhe jam duke i stimuluar që të formojnë një shoqatë biznesi apo ode ekonomike të Strugës, që do i shërbente zhvillimit ekonomik në Strugë dhe rrethinë.

Sa i përket bashkatdhetarëve tanë dhe kontributi i tyre në zhvillimin ekonomik të Strugës mendoj se edhe tani por edhe në të kaluarën investimet e tyre janë e vetmja formë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Strugës. Ne gabojmë kur flasim për ta dhe i vlerësojmë vetëm për investimet direkte qe bëjnë ne vendlindje, pa llogaritur kapitalin që ato fusin në Strugë dhe në Maqedoni, gjë që mundëson mbijetesën e biznesit Lokal ne Strugë dhe rrethinë. Do ishte ishin të  mirëseardhura edhe investimet direkte, kuptohet dhe ne kete drejtim do ju mundësoj lehtësira tatimore, duke pasur për bazë dhe kriter të vetëm numrin e vendeve të punës që do hapin. 

Kur flasim për investime dhe zhvillim ekonomik të Strugës, duhet studiuar edhe horizontet e reja që hapen për Strugën. Afërsia me Shqipërinë dhe shkurtimi i distancës, mes Strugës dhe portit të Durrësit, si pasojë e investimeve që bëhen në infrastrukturën rrugore në Shqipëri, çdo ditë e më tepër Strugës i jep karakterin e një vendi me interes për investime të huaja. Ngelet që t’i behet promovimi i mjaftueshëm ekonomik.

PORTALB: Opozita dhe mendimi kritik qytetar është në pritje të hapave tuaj të mëtutjeshëm. A mund t’u garantoni atyre se qyteti do të mbahet pastër, se rrugët do të mirëmbahen, se në arsim do të punohet për përmirësimin e mësimdhënies, se nuk do të lejohet uzurpimi i pronave publike, se ndërmarrjet  që janë nën kompetencë të Komunës, do u ofrojnë shërbim cilësor qytetarëve, se do të bëhet gjithçka që Struga t’i ngjajë një qyteti modern, ku zbatohet Ligji dhe rregulli, si dhe se këtu mund të jetohet me punë të ndershme?

Z.SELA:  Nuk kam zgjidhje tjetër! Kur përkrahja është shumë e madhe edhe përgjegjësia është e tillë. Nuk harroj në asnjë çast se jam kryetari me më shumë , i votuar ndonjëherë në historinë e plurarizmit në Strugë,ashtu siç jam i vetëdijshëm se mund të sjell zhgënjimin më të madh që u ka ndodh struganëve në këtë 20 vjeçar, nëqoftëse  dështoj. Prandaj suksesi i Strugës nuk është opsion, por detyrim qe i kam vënë vetes dhe ekipit që drejtoj. Do vazhdojmë siç e kemi nisur dhe nuk do të ndalojmë në asnjë çast. Më tepër rëndësi, nga gjithë sa përmendet, ka kthimi i besimit të humbur se ne mundemi. / PORTALB

Lajme të ngjashme

Back to top button