Nexhipi kërkon fitore ndaj Teutës

Kapiteni i Partizanit, shkupjani Nderim Nexhipi, ka dalë në konferencë për shtyp para ndeshjes së xhiros së pestë, ku ekipi i tij pret në “Qemal Stafa” Teutën e Hasan Likës.

“Jemi të kënaqur me atë çfarë kemi arritur deri tani. Bëmë një nisje jo të mirë dhe sidomos disfata ndaj Apolonisë ishte e papritur për ne, gjithsesi reaguam mjaft mirë ndaj Skënderbeut e Kukësit, duke shijuar pikët e plota. Mendoj se kemi një grup tepër cilësor. Teuta do të ketë vlerësimin tonë maksimal dhe mendoj se nuk do të jetë një përballje e lehtë. Ndaj bregdetarëve kam shënuar edhe golin tim të parë në Kategorinë Superiore, ndaj shpresoj që të premten të gjej përsëri golin, por e rëndësishme është që të fitojë ekipi. Derbi ndaj Tiranës do të jetë pa tifozë, por mendoj se është një humbje e madhe për këtë përballje rivalësh. Mezi e prisnim këtë sfidë, pasi kam patur fatin të përjetoj dy të tilla sezonin e kaluar dhe ishte diçka madhështore,”- ka thënë mes të tjerash Nderim Nexhipi.

Në tri ndeshjet e para të kampionatit Nexhipi gjithmonë është zëvendësuar, ndërsa në fitoren e fundit në Zeqir Ymeri u aktivizua në pjesën e dytë, të dhëna këto që tregojnë se nuk është ende në 100% të formës së tij.

“Ndoshta në formën time ka ndikuar edhe dëmtimi në fazën përgatitore. Forma ime po vjen duke u përmirësuar dita ditës dhe shumë shpejt besoj se do të jem gati për të dhënë maksimumin”.

Pas Teutës, Partizani do të luajë derbin me Tiranën pa praninë e spektatorëve, mungesa e të cilëve për Nexhpin e zbeh shumë këtë superpërballje të futbollit shqiptar.

“Po e prisja me shumë emocion derbin me Tiranën, sepse është një ndeshje e madhe e futbollit shqiptar. Nga skuadra e sezonit të kaluar kemi mbetur vetëm 4-5 lojtarë, ndërsa pjesë tjetër nuk e ka përjetuar ende ndjesinë e derbit. Ua kam thënë lojtarëve, prisni dhe shihni cdo të thotë të luash në derbin me Tiranën”.

Skuadra e Partizanit deri më tani ka grumbulluar 7 pikë dhe mban pozitën e pestë, ndërsa Teuta ka tri pikë më pakë në pozitën e gjashtë.

Lajme të ngjashme

Back to top button