Pranë rikthimit Zhunior dhe Krleski

Fitorja 3:0 ndaj Sileksit ka kthyer buzwqeshjen në radhët e ekipit tetovar Shkëndija, ndërsa ky triumf sikur ishte një pikë fillimi i gjërave pozitive në radhët e ekipit ‘kuqezi’.

Deri sa skuadra po përgatitet për ndeshjen e xhiros së 8-të, që do luhet të dielën me Pelisterin në Manastir, lajme pozitive vijnë nga bilansi shëndetësor. Stenio Zhunior dhe Deni Krleski janë pranë rikthimit në formë garuese dhe pritet së shpejti të jenë në disponim të shefit të stafit teknik, Ardian Kozniku.

Krleski u lëndua në takimin miqësor me Tiranën një javë para fillimit të sezonit të ri, ndërsa Zhunior pësoi lëndim pas takimit me Renovën. Mirëpo tani gjendja është përmirësuar dhe Krleski tani më ka filluar të ushtrojë me ekipin. Ai ndoshta mund të përfshihet për takimin me Pelisterin, megjithëse ekipi mjekësor rekomandon se nuk është e pëlqyeshme të luajë në Manastir.

Në anën tjetër Zhunior tani më disa ditë ka nisur vrapime më të lehta dhe gjendja e tij është shumë stabile. Braziliani ndjehet mirë dhe prej të hënën pritet të ushtrojë së bashku me ekipin, duke dhënë shenja pozitive se mund të jetë i gatshëm për takimin e të mërkurës me Vardarin, në kuadër të 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë. Gjithsesi, gjasat reale janë që ai të gjendet në pankinë dhe nëse gjithçka shkon si duhet, në lojë të inkuadrohet në pjesën e dytë.

Situata përmirësohet edhe me mesfushorin Jasir Selmani, i cili ka nisur me stërvitje më të lehta dhe pritet që për dy javë të jetë i gatshëm për ngarkesë maksimale. Dihet se sezoni vjeshtor ka përfunduar për Egzon Bejtullain, i cili dëmtoi rëndë ligamentet e kryqëzuara dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale tani më është duke kryer fazën e rehabilitimit. Nëse gjithçka shkon si duhet, Bejtullai pritet të jetë gati për tu kthyer në fillim të shkurtit të vitit 2015.

Lajme të ngjashme

Back to top button