Besimi pret rekomandim të ri për negociata nga KE-ja

Zgjerimi mbetet pjesë e agjendës së BE-së. E jona është të fokusohemi në reformat dhe në mënyrë maksimale të kontribuojmë për progresin e mëtejmë të procesit eurointegrues, tha sot zëvendëskryeministri për Eurointegrime, Fatmir Besimi në takimin me gazetarët.

“Me reformat dhe realizimin e prioriteteve të parapara ne jemi të përkushtuar për anëtarësimin në BE i cili mbetet prioriteti ynë kryesor”, theksoi Besimi. Sipas tij, është e sigurt se gjatë mandatit të Komisionit Evropian të kryesuar nga Zhan Klod Junkernuk do të ketë anëtare të reja pasi që negociatat zakonisht zgjasin prej pesë deri në 15 vjet.

Megjithatë, aktivitetet e fundit në lidhje me Ballkanin Perëndimor, siç ishte konferenca në Berlin, tregon se rajoni është pjesë e agjendës së BE-së.

“Cilado përbërje e Komisionit Evropian mund të caktojë prioritete, por jo edhe t’i ndryshojë postulatet kryesore”, nënvizoi Besimi. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Besimi tha se kontesti për emrin me Greqinë, për të cilën Athina e bllokoi eurointegrimin e Maqedonisë, mbetet të zgjidhet në kuadër të KB-së.

“Për çdo rast pritet dialog më intensiv për tejkalimin e kontestit. Është e rëndësishme në raportin e radhës të KE-së përsëri të ketë rekomandim për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE”, tha Besimi. Brifingu i sotëm është pjesë e takimeve të rregullta të zëvendëskryeministrit me gazetarët, ndërsa mbahet njëzetë ditë para publikimit të raportit të ri të KE-së për progresin e Maqedonisë në procesin e eurointegrimit.

Lajme të ngjashme

Back to top button