Bankat risin provizionet për 100% studentët revoltohen

Qytetarët ankohen se bankat kanë rritur provizionet gjatë pagesave dhe nga 35 denarë ato janë bërë 70 denarë, ndërkaq më të prekurit nga kjo rritje janë studentët të cilët tani u regjistruan në fakultete si dhe paguan paraqitjen e provimeve.

Studentët ankohen se provizioni është shumë i lartë dhe atyre u bie njëjtë si të paguanin dy provime, por kësaj radhe paraqesin vetëm një.

“U habitëm kur hyrëm në bankë, na thanë që provizioni është 70 denarë, ndërkaq provimet në këtë afat i kemi me dënim dhe paguajmë 200 denarë. Por në afatet e rregullta provimet kushtojnë 100 denarë kurse provizioni 70. Kjo është shumë, sidomos për ata që nuk i kanë kushtet”, tha Mentor Limani, student në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

“Në të gjitha bankat kam pyetur dhe provizioni është i njëjtë, kjo është e tmerrshme duhet të kërkojmë të bëhet pagesa në postë pasi që aty ende provizioni është 35 denarë. Nëse rritet edhe aty nuk e di se si do të ja bëjmë. Kemi shumë provime, nga 6 apo 7 në semestër dhe nuk kemi hesap t’i paguajmë me provizion kaq të lartë. Dita ditës po bëhet më e vështirë jeta. Çmimi i studimeve është ulur, mirëpo nga ana tjetër janë rritur tejmase harxhimet për vazhdimin e studimeve”, tha Ejup Saliu, po ashtu student në USHT.

Përveç studentëve, për rritje të provizionit u ankuan edhe qytetarët të cilët kishin nevojë që të bëjnë pagesa nëpërmjet bankës.

“Bëra një pagesë në bankë dhe më habitën me provizionin. Ky shtet nuk di asgjë tjetër përveç se të rrisë ­çmimet, ndërsa pagat i kemi më të voglat në Ballkan, ka me vite që nuk kanë lëvizur”, tha Kadri Shefiri, qytetarë i Shkupit.

Ndërkaq një nga punonjëset në bankë e pyetur përse është shtrenjtuar provizioni, tha se ashtu kanë sjell vendim Banka Popullore e Maqedonisë, i cili menjëherë hyri në fuqi.

Lajme të ngjashme

Back to top button