Ndryshimet kushtetuese-Habit heshtja e BDI-së

Propozimet e reja për ndryshimet kushtetuese janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën aktuale. Profesori Svetomir Shkariq vlerëson se 8 amendamentet e reja të propozuara nga qeveria i shërbejnë vetëm asaj dhe janë në kundërshtim me preambulën dhe vlerat themelore të rendit kushtetues të Maqedonisë. Shkariq madje shpreh habi për heshtjen e pakicave etnike për ndryshimin e nenit 9 të Kushtetutës pa zbatimin e parimit të Badinterit, dhe aq më shumë heshtjen e BDI-së për ndryshimin e preambulës të vitit 2001.

“Shqetëson heshtja e deputetëve të BDI-së veçanërisht nëse kihet parasysh se ndryshohet edhe Preambula e vitit 2001, si dhe neni 8 i Kushtetutës me të cilat vërtetohen vlerat themelore të rendit Kushtetues të Maqedonisë, prandaj them që këto amendamente kanë ndikim shkatërrues”, tha Svetomir Shkariq, profesor.

Sipas profesorit Shkariq madje amendamenti i 34 i cili parashikohet në ndryshimet Kushtetuese do ta largojë vendin plotësisht nga integrimi evropian. Krijimi i ‘zonave ndërkombëtare financiare’ siç parashikon ky amendament sipas tij do t’ia hapin rrugën veprimeve kriminale.

“Ajo do ta definojë veprën penale larje parash, nëse e rregullon por nuk do ta rregullojë. Ajo do të kryejë revizion për punën e saj, ky është super revizioni i shkruar në amendamentin, pra kriminalët do ta vazhdojnë krimin”, u shpreh Svetomir Shkariq, profesor.
Sipas gjykatëses Margarita Caca Nikollovska ndryshimet e reja të propozuara edhe për Këshillin gjyqësor nuk do të kontribuojnë as për pavarësinë dhe as profesionalizimin e këtij organi gjyqësor.

“Pushteti ligjvënës dhe ekzekutiv duhet të kuptojnë se nuk guxojnë të ndërhyjnë në punën e gjykatësve edhe në procesin e zgjedhjes, shkarkimit dhe vendosjes së masave disiplinore. Masat juridike që ekzistonin deri më tani dhe masat juridike që propozohen tani për mbrojtjen në fazën e zgjedhjes, shkarkimit dhe procedurës disiplinore janë shumë të dobëta apo fare nuk ekzistojnë” , deklaroi Margarita Caca Nikollovska, gjykatëse e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës.

Sipas pjesëmarrëseve në debatin e sotëm mbi propozim ndryshimet e reja Kushtetuese nuk mban as amendamenti për rregullimin e martesës që kinse parashikon mbrojtjen e familjes,në kushte kur gjithnjë e më shumë familje jetojnë në varfëri pa mbështetje institucionale ndërkaq pozita e femrës mbetet e degraduar./Alsat-M

Lajme të ngjashme

Back to top button