Rama: Për Fullanin do të flas nesër

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot gjatë një konference për shtyp se për herë të parë në 5 vitet e fundit do rishikohet buxheti me rritje.

Sipas këtij rishikimi të buxhetit, 4.3 miliardë lekë u vihen në dispozicion kategorisë së personave me aftësi të kufizuar, ndërsa 15.2 miliardë lekë shkojnë për investime të “rrugëve të lëna rrugëve”.

“Janë 3,2 miliardë lekë ose 32 milionë dollarë përtej objektivit ambicioz të vendosur bashkë me FMN-në që na japin mundësi të fillojmë me uljen e deficitit dhe borxhit.

Është e para herë pas 5 vitesh që rishikimi i buxhetit bëhet me rritje dhe jo me rënie. Kemi pasur fatkeqësinë që për 5 vite të kishim qeveri që bënte parashikime përtej mundësive duke shfrytëzuar paratë e parashikuara për tamatame urbanistike dhe më pas kthehej në kuvend për të rishikuar buxhetin me ulje.

4,3 miliardë lekë ose 43 milionë dollarë do shkojnë për personat invalidë, para e tetraplegjikë. Shteti do u lajë borxhet nga mungesa e plotë e ndjeshmërisë për këtë shtresë. I japim fund padrejtësisë më të madhe sociale e kthyer në instrument për të spostuar paratë për këtë shtresë në funksion të pushtetit”, u shpreh Rama.

Ndërsa më tej,kryeministri theksoi se janë 152 milionë dollarë që shkojnë për investime, kryesisht të lëna rrugëve e për infrastrukturë të lënë rrugëve duke filluar nga rruga e Valbonës për në Kukës-Krumë, rruga Lushnjë-Berat që është një tjetër gangrenë, Lin-Pogradec, Korçë-Ersekë, Plepa-Rrogozhiunë etj.

Ndërtimi i Xhamisë së Mdhe dhe përfundimi i Teqesë

“Për të promovuar harmoninë dhe bashkëjetesën fetare, nga njëra anë do të mbyllim gjithë kalvarin e gjatë që ka penguar ndërtimin e xhamisë së re, duke vënë në dispozicion fondin e shpronësimit dhe do të mbajmë zotimin që do të kemi një xhami pa pallat dhe supermarkato ngjitur dhe jo një pallat dhe supermarkato me xhami ngjitur, siç ishte projekti i propozuar nga bashkia e Tiranës, për arsye që i di bashkia e Tiranës.

Që i dimë dhe ne dhe të gjithë, por që s’jemi këtu për të thënë kush e kishte pallatin, kush e kishte supermarkaton dhe kush do të vinte të falej aty pranë sikur po vinte të merrej thjesht një lëmoshë. Parku i vënë në dispozicion do të jetë parku i besimit dhe i besimtarëve, pa supermarkato, pa pallate, pa apartamente për të shitur , pa apartamente për të mbajtur.

Nga ana tjetër do të financojmë pjesën tjetër e të pambyllur, të zgjatur në kohë, të Teqesë së Madhe të bektashinjve, që është një projekt që e kemi ndjekur vazhdimit. Projekt i të ndjerit dhe gjithmonë të shumë mirë të kujtuarit Kryegjyshit Baba Reshatit, që nuk prehet i qetë për shkak se ky projekt ende nuk mund të përfundojë dhe ka pasur nevojë edhe për një mbështetje të fundit”, deklaroi kreu i qeverisë.

Për detajet mbi Fullanin dhe Bankën të enjten te Blendi Fevziu

Kryeministri gjithashtu u ka paraprirë pyetjeve të gazetarëve në lidhje me detajet për Bankën e Shqipërisë dhe për Fullanin, duke thënë se për këtë temë do të flasë ditën e enjte tek emisioni “Opinion” i Blendi Fevziut.

”E di që doni të pyesni për Bankën e Shqipërisë e Fullanin, por nesër në orën 21:00 do të jem në emisionin ‘Opinion’ te Fevziu. “Klani”, “ABC”-ja do e japin të plotë, të tjerët do e censurojnë”, u shpreh Rama në konferencën e shtypit.

Lajme të ngjashme

Back to top button