Dezintegrimi politik i shqiptarëve të Maqedonisë

Shqiptarët në Maqedoni vazhdojnë të jenë të vonuar politikisht dhe të hutuar kombtarisht. Përpjekjet e deritanishme për të siguruar status të barabart në politikbërjen shtetformuese të këtij shteti, kanë rezultuar të pasuksesshme. Elitat politike shqiptare që udhëhoqën dhe që aktualisht po udhëheqin, kanë një hendikep të madh në formatimin e vullnetit politik të shqiptarëve. Ata edhe sot nuk kanë krijuar një koncenzus minimal, ndërmjet veti, për problematikat nevralgjike, ndërkohë që gjithë karrierën e tyre politike e kanë ndërtuar duke bashkëqeverisur me faktorët politikë maqedonas, të majtë e të djathtë, liberal e konzervativ. Kundërthënës e mospajtues ndërmjet veti dhe shumë koheziv e kooperues me maqedonasit, liderët politik shqiptarë edhe sot e gjithë ditën ushqejnë iluzione të rreme se trajektorja e veprimti të tyre politik do të shkojë gjatë me një stil dhe metodologji të tillë pune. Politika agresive që aktualisht vjen nga shtabi i partisë maqedonase në pushtet, intenzitetin dhe brutalitetin e vet nuk do ta kishte në këto përmasa sikur të kishim një situatë tjetër në taborrin politik shqiptar. Kopjimi gabimisht i skemës politike në Kosovë dhe Shqipëri ku partitë e pushtetit dhe të opozitës bëjnë gara e përpjekje për të kontestuar apo marrë pushtetin me metoda të njohura të veprimit politik, ka bërë që në Maqedoni liderët shqiptarë t’i perceptojnë më të afërta partitë politike maqedonase se sa ato shqiptare. Për ata më me rëndësi është ardhja në pushtet me ndihmën e një partie maqedonase se sa ngelja në opozitë për çështje parimore duke bashkuar idetë dhe veprimet me një parti tjetër shqiptare. Ajo çka mund të quhet luks për rrethanat e Shqipërisë dhe të Kosovës, nuk mund të kopjohet mekanikisht nga partitë politike shqiptare në Maqedoni. Të bërit opozitë dhe pushtet në Shqipëri e Kosovë nuk nënkupton automatikisht veprim të njejtë edhe në Maqedoni. Lidershipi politik shqiptar në Maqedoni ende mendon se ardhja në pushtet automatikisht heq nga rendi i ditës problemet që shqetësojnë popullatën shqiptare. Përkundrazi, praktika ka dëshmuar se jo gjithmonë ia sheh hajrin populli atyre që vinë në pushtet. Kështu ishte në vitet ’90 dhe kështu vazhdon të jetë aktualisht. Vetëm te shqiptarët në Maqedoni ndodhë që njerëzit të votojnë një strukturë të caktuar politike dhe pastaj të jenë të pakënaqur me pozitën e tyre politike, ekonomike e sociale. Vetëm në Maqedoni ndodhë që partia shqiptare në pushtet, në situata të caktuara, të sillet si opozitë. Komunikimi përmes komunikatave, duke shprehur njëfarë pakënaqësie ndaj asaj çka ndodhë në terren, e bënë partinë shqiptare në pushtet qesharake në sytë e opinionit publik. Nga kjo kuptojmë se në bashkëqeverisje hyhet pa ndonjë marrëveshje të qartë dhe pa një plan konkret bashkëveprimi në fusha të caktuara që rregullojnë jetën e përditshme të njerëzve. Fundja, atë që e thotë aktualisht, përmes kumtesave, partia shqiptare në pushtet, lidhur me problemet rreth emërtimit të shkollave, bie fjala, e kanë thënë gazetat dhe mediat tjera në gjuhën shqipe dhe na duket paradoksale sensi opozitar i këtyre reagimeve. Partitë politike shqiptare në Maqedoni janë të vetmuara në gjysmëkauzat e tyre.Ato kanë si synim marrjen e pushtetit, por nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për të administruar deri në fund, përmes bashkëqeverisjes, kërkesat politike të shqiptarëve. Një gjysmëkauzë e tillë po e ndjek edhe partinë opozitare (PDSH) shqiptare, e cila assesi nuk po mund të lirohet nga sindromi i keqmenaxhimit të politikbërjes nga lidershipi i saj. Në vend se opozitarizmi i kësaj partie të vendosej mbi parime afatgjate dhe të profiluara në pikëpmaje të programit dhe doktrinës politike, ajo për çdo cikël zgjedhor reprodukon nga një teatër absurdi ku ardhja në pushtet premtohet ende pa u numëruar votat dhe ende pa filluar bisedimet për formimin e qeverisë së re. Duhesh të jesh në lëkurën e anëtarësisë së kësaj partie për ta kuptuar dhe duruar tmerrin që vie nga kjo filozofi e çoroditur e politikbërjes dhe për mendimin tim këta janë herojtë e vërtetë të demokracisë, sepse pranojnë t’i harxhojnë nervat dhe vitet e rinisë pranë një lidershipi që nga viti në vit shtreson humbjet në topin e madh të borës që vie duke u rrokullisur në greminën e bilancit politik negativ. Si do te sulleshmi ne po të ishim në vend të Gruevskit? A do të kërkonim që të zgjatej kjo amulli dhe ky dezintegrim politik i shqiptarëve? A do të kërkonim që jetëgjatësia e liderëve të tillë shqiptarë të trajtohej me kujdesin më të madh, sepse vetëm me një filozofi të tillë politike të shqiptarëve, maqedonasit i arrijnë synimet e tyre perfide, që heret a vonë do të mund të prodhojnë edhe krizën më të madhe në periudhën mbi 20 vjeçare. Po të mos ishin përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët, megjithatë kanë arritur të kenë njëfarë kujdesi dhe vëmendje ndaj këtyre situtave pardoksale politike, partitë politike shqiptare do të sharronin edhe më shumë në llumin e keqmenaxhimit të politkbërjes. Dikur Ervan Fuere perceptohej si politikan vendor, sepse nuk mungonte përfshirja e tij në tema e problematika që ishin ekskluzivisht detyrë e institucioneve dhe politkanëve të këtushëm, prandaj edhe nuk mungoi njëfarë animoziteti i pushtetit ndaj tij. Nëse një kohë e në disa rrethana disa politikanë tanë merreshin me politikën e jashtme të Maqedonisë, duke e trajtuar atë si një problem akut familjar, tani do të na duheshin diplomatët e formatit të Fueres për të na i zgjidhur ca probleme të brendshme, që vazhdojnë të trajtohen si thembër akili nga opinioni publiki i këtushëm dhe sikur të jepej mundësia të dilnin në garë këta diplomatë, zor se do të arrinte të merrte votë ndonjë politikan vendor. Shqiptarët kanë shumë arsye të mos votojnë në të ardhmen anarkinë dhe dezintegrimin që po i ngulfat nga viti në vit, por këtë nuk mund ta bëjnë pa u ndryshuar rrënjësisht mentaliteti i elitave që e prodhojnë këtë gjendje.

 ALBERT RAMADANI

Lajme të ngjashme

Back to top button