Nuk ndalet Durguti, fiton edhe një ATP pikë

Ka vazhduar me paraqitje të suksesshme tenisti shqiptar nga Shkupi, Besir Durguti, i cili së fundi kishte edhe një ngritje të madhe në ATP listën botërore.

Turneu i fundit ku Besiri po merr pjesë është ai i cili po zhvillohet në Nish të Serbisë, i cili ka dhe fondin shpërblyes prej 10.000 dollarë amerikan.

Fillimisht Durguti si bartës i 14-të në kualifikime, duhej të luan dhe 3 meçe kualifikuese, të cilat edhe i kaloi pa asnjë problem, ndërsa sot me fitore ka kaluar edhe rundin e parë të turneut.

“Jam shumë i kënaqur nga loja që ka treguar. Vërehet një përmirësim i madh në lojën dhe kjo ka ndikuar shumë në paraqitjet e mia. Kjo është si rezultat i punës së madhe që bëra në këto dhjetë ditët e fundit në Shkup së bashku me trajnerin tim Predrag Rusevski. Shpresoj që edhe nesër të kem paraqitje të mirë dhe të vazhdoj të arrij sa më lartë në këtë turne”, ka thënë Durguti.

Në meçin e parë Durguti ka eliminuar rumunin Radu Andrei Stelian, të cilin e mundi me rezultat 6:2, 6:2, pastaj eliminoi serbin Predrag Marjanoviq me rezultat 6:2, 6:2 dhe për hyrje në garën kryesore e eliminoi tenistin holandez, i cili edhe ishte favorit, Colin Van Beem. Durguti në këtë meç shënoi fitore me rezultat 7:5, 6:3, duke e eliminuar holandezin që vitin e kaluar kishte arritur të jetë në ATP listë i 500, ndërsa sivjet ka arritur të jetë ndër 1000 më të mirët.

Pasi që Durguti kaloi me sukses kualifikimet, në rundin e parë të turneut përballë kishte rumunin Dragos Cristian Mirtea, i cili është në ATP listë në vendin e 900, fitoi me rezultat të mrekullueshëm, 6:0 dhe 6:1.

Nesër (e enjte) do të luhet rundi i dytë ku Durguti pret fituesin nga dueli Tomisllav Jotovski nga Maqedonia bartës i 8-të i turneut, dhe tenisti serb Stefan Milenkoviq. / Portalb /

 

Lajme të ngjashme

Back to top button