“Stop për sulmet e Qeverisë ndaj sektorit civil”

Me një sërë aktivitetesh, mes të cilave dhe një “Marsh të paqes” disa organizata joqeveritare në Maqedoni do ta shënojnë “Ditën e paqes, tolerancës dhe të drejtave të njeriut “e cila është më 21 shtator. Organizatat mes të cilave është Komiteti i Helsinkit, Metamorfozis, Fondacioni Shoqëri e Hapur, CIVIL dhe të tjera në një kumtesë të përbashkët e theksojnë rolin e Qeverisë në Maqedoni si dominante duke e sulmuar në mënyrë sistematike shoqërinë në përgjithësi  posaçërisht aktivistët për të drejtat e njeriut, gazetarët, intelektualët dhe artistët. Ata e theksojnë posaçërisht mungesën e gjyqësorit të pavarur si dhe të shtetit të drejtë në këtë shtet.

“Ishim dëshmitarë të një cikli zgjedhor në të cilin institucionet e sistemit ishin krejtësisht të shfrytëzuara si mjete për të siguruar fitoren e partisë në pushtet” thotë Uranija Pirovska, drejtoreshë e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut.

Në kumtesë më tej shkruhet se “Kohëve të fundit janë ashpërsuar sulmet ndaj shoqërisë përmes diskualifikimeve vulgare, gënjeshtrave dhe manipulimeve  me qëllim për të diskredituar secilin që mendon ndryshe nga qeveria. Të drejtat e njeriut, stabiliteti dhe paqja në Maqedoni janë në situatë shqetësuese të keqe. Ky është konstatim i të gjitha organizatave dhe institucioneve relevante në botë dhe në vend. Këto të dhëna për situatën në vend janë të mbështetura me rangimet botërore për nivelin e demokracisë në vend, sundimin e së drejtës dhe të drejtave të njeriut, lirisë së mediave dhe të të shprehurit si dhe indeksit për paqe dhe stabilitet në të cilin Maqeddonia dita ditës shënon rënie të mprehtë”.

Më tej, Pirovska thotë se në Maqedoni aktualisht ekziston një ndarje e paparë në baza etnike, ekzistoj një ndarje mes mediave si dhe krijohen procese gjyqësore të cilat ende më shumë  e përkeqësojnë situatën ndëretnike në vend.

“Partitë në qeveri në vend që të ndërmarrin masa për të promovuar multi-etnicitet dhe respekt të ndërsjellë mes kulturave, ata bëjnë të kundërtën me aktet e tyre, duke e cuar kështu shoqërinë në kolaps në sferën ndëretnike, por edhe në shumë sfera sociale” shprehet ajo.

Nga OJQ Civil thonë se ekziston një sulm sistematik për të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga Qeveria.

“Mendoj që ky sulm pa precedent e destabilizon shoqërinë e Maqedonisë dhe se sulmi ndaj atyre që janë të brengosur për të drejtat dhe liritë e njeriut nuk e meritojnë trajtimin aktual të institucioneve dhe një pjese të madhe të mediave të kontrolluara nga qeveria. ” thotë Xhabir Deralla nga Civil.

“Pa dialog dhe liri nuk ka paqe” kjo është motoja e organizatave që do të marshojnë për paqe.

Qëllimi i aktiviteteve simbolike të këtyre OJQ-ve është që qytetarët sërish ta përfitojnë besimin në sektorin civil dhe së bashku me to ti shënojnë ditën e paqes, tolerancës dhe të drejtave të njeriut”. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button