BB: Të papunët shqiptarë as që kërkojnë punë

Banka Botërore e ka mbështetur sistemin arsimor shqiptar për dy dekada, kryesisht me investime, por përfaqësues të saj pohuan se tashmë Shqipëria duhet të rritë cilësinë e studimeve sipas standardeve evropiane, raporton gazeta Shekulli.

Drejtorja Rajonale e Bankës Botërore, Ellen Goldstein tha në një konferencë të nivelit të lartë mbi politikat në reformën e arsimit se një nga sfidat më të mëdha të Shqipërisë është punësimi, por aktualisht punësimi është i ulët dhe papunësia është e lartë.

“Rreth 40 për qind e popullatës në moshë pune as nuk po punon dhe as nuk po kërkon punë, si dhe janë pasivë në këtë drejtim. Këto shifra janë më të larta për të rinjtë, gratë dhe të varfrit. Shqipërisë i nevojiten reforma thelbësore: të riaftësojë të papunët aktualë, që t’i përshtatë me nevojat e tregut, ndërsa për fëmijët që nisin shkollën duhet garantuar një arsim cilësor dhe i harmonizuar me cilësi të lartë”, tha Goldstein.

Specialistja e lartë për arsimin në BB, Keiko Inoue tha se kriza në eurozonë e rriti konkurrencën në tregun e punës. Shqipëria po përballet me sfidat e vështira të tregut të punës, ndaj duhet të rritë aftësitë konkurruese. Sipas saj, papunësia në Shqipëri është 16 për qind, dhe pasiviteti i papunësisë është rreth 60 për qind; shumica kërkojnë punë në të zezë dhe punësohen me paga të ulëta.

“Papunësia e të rinjve në Shqipëri është 29 për qind dhe papunësia e të varfërve është 20 për qind. Punësimi i grave është i ulët vetëm 30 për qind”, tha ajo. Sipas saj, popullata po shtohet me ritme të larta krahasuar me vende apo kontinente të tjerë.

Kryeministri Edi Rama e përshkroi situatën si të rënduar dhe dramatike ndër vite, ndaj ai tha se duhen reforma rrënjësore në të gjitha hallkat e arsimit, ndërhyrje të cilat nuk janë bërë asnjëherë. Ka mungesë rrënjësore të standardeve shkollore, ndaj qeveria po punon me Bashkimin Evropian dhe Bankën Botërore që të rritë financimet për arsimin, në këtë reformë të vonuar dhe të domosdoshme.

Reforma në arsimin e lartë mbylli pak javë më parë 17 universitete publike dhe private dhe mbi 60 programe studimore. Universitetet që kaluan kontrollet ligjore tani do të plotësojnë kriteret e cilësisë. Qeveria beson se arsimi profesional do të ulë papunësinë, sepse të rinjtë nuk do të ndjekin studime të përgjithshme, por do të marrin profesione.

Lajme të ngjashme

Back to top button