BE-IPA Koordinime Institucionale, Besimi viziton Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale

Në prag të Raportit të vjeshtës dhe në kuadër të EU Agjendës 2014 të Sekretariatit për Çështje Evropiane, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështje evropiane, Fatmir Besimi, i shoqëruar nga të punësuarit e sektorëve për IPA dhe Eurointegrime realizoi vizitë pune në Ministrinë Vetëqeverisjes Lokale ku u takua me ministrin Lirim Shabani dhe bashkëpunëtorët e tij.
Në takim u bisedua për realizimin e aktiviteteve të cilat janë të parapara për mbështetje të procesit për decentralizim, me theks të veçantë në programet për zhvillim të rajoneve të planifikuara, të parapara në Programin Nacional për miratimin e të drejtës së Bashkimit Evropian (NPAA). Gjatë kësaj u konstatua se është e nevojshme të përforcohen përpjekjet për promovimin e mëtutjeshëm të decentralizimit fiskal të komunave si dhe të aktiviteteve për zhvillim të balancuar rajonal.

Në takim u bisedua edhe për shfrytëzimin e fondeve të cilat janë në dispozicion përmes Instrumentit për Ndihmë para Aderuese – IPA, të cilat janë të rëndësishme për realizimin e reformave në vetëqeverisje lokale. Numri i përgjithshëm i projekt-propozimeve nga IPA programet për bashkëpunim ndërkufitar të miratuara për financim në Republikën e Maqedonisë është rreth 193 projekte, në periudhën prej vitit 2007 deri në vitin 2013, në shumë të përgjithshme prej rreth 24 milion eurosh. Në kuadër të Komponentit 1 – TAIB, janë përgatitur rreth 3 projekte në shumë prej rreth 10 milionë euro. U diskutuan edhe iniciativat për përmirësimin e shfrytëzimit të fondeve IPA nga ana e Ministrisë, rajoneve të planifikuara dhe njësive të vetëqeverisjes lokale, me qëllim të mos vijë deri në humbjen e tyre, si dhe iniciativa në drejtim të rritjes së transparencës së procesit.
Besimi theksoi se shfrytëzimi i fondeve evropiane për projektet e Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale është i rëndësishëm për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe për përafrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian, përmes investimit në zhvillimin socio-ekonomik, përputhjen e legjislacionit të vendit me atë të BE-së si dhe zhvillimit rajonal.

Cikli i vizitave punuese “BE-IPA Koordinime Institucionale” të zëvendëskryeministrit Besimi do të vazhdojë me të gjitha institucionet shfrytëzuese të fondeve IPA dhe implementuesve të NPAA, me qëllim të informimit të drejtpërdrejtë për të gjitha aspektet e shfrytëzimit të këtyre fondeve, duke pasur parasysh çështjet e programimit, zbatimit teknik, monitorimit, njoftimit, plotësimit të parakushteve për implementim të suksesshëm të projekteve/programeve, si dhe aspektet e sistemit për menaxhim, kapacitetet institucionale dhe administrative, respektimin e procedurave për shfrytëzim të këtyre mjeteve, funksionimin e mekanizmave koordinuese si dhe shqyrtimin e statusit të realizimit të aktiviteteve të parapara me NPAA.

Lajme të ngjashme

Back to top button