Mustafa: “Nuk po dëshirojnë lojtar shqiptar”

Në Maqedoni gjithçka është e mundur, të shpallin për MVP (basketbollisti më i mirë i kampionatit), shpallesh pikëshënuesi më i mirë i kampionatit dhe mbetesh jashtë reprezentacionit. Një histori e tillë, e ka përcjellë Alaudin Mustafën, njërit nga katër basketbollistët shqiptarë që ishin ftuar në Reprezentacionin U-18 të Maqedonisë, e që dal nga dal filloi të reduktohet lista, dhe në fund të mbetet vetëm me një. 

Fillimisht në këtë gjeneratë të reprezentacionit ishin ftuar përveç Alkos, edhe Artan Nika Ardit Mehmeti dhe Jetmir Zeqiri, i cili është dhe i vetmi i cili vazhdon të mbetet në përgatitjet e radhës për pjesëmarrje në Evropianin e basketbollit që do të mbahet në qytetin e Strumicës. 

Alaudin Mustafa është shprehur për “Portalb”se gjithçka kishte filluar të merr të keqen pas lëndimit në një stërvitje të reprezentacionit, e ku askush nga stafi mjekësor nuk ishte interesuar për shëndetin e tij, madje i kanë thënë se nëse nuk shërohesh do të përjashtohesh nga ekipi. Sipas Mustafës qëllimi është që të mos ketë shqiptarë në skuadër.

“Qëllimi është i qartë, nuk po dëshirojnë të ketë lojtarë shqiptarë në reprezentacionin e Maqedonisë. Gjatë stërvitjeve e lëndova muskulin dhe tre javë nuk kam mundur të stërvitem. Mjeku i reprezentacionit vetëm më thoshte t’i vë akull këmbës dhe të pushoj, ndërsa ndonjë terapi tjetër nuk me jepnin. Përmirësime nuk kisha, kurse në stërvitje shkoja thjeshtë për tu shëtitur poshtë-lartë, sepse askujt nga stafi mjekësor nuk i interesonte për shërimin tim. Nuk isha vetëm unë i lënduar, por edhe një tjetër, të cilin vazhdimisht e këshillonin duke i dhënë terapi derisa e shëruan. Këtu më lindën dyshimet se diçka po përgatite kundër meje. Kërkoja arsye nga trajnerët por ata më thoshin se kur të shkojmë në përgatitje në Ohër do të bëj edhe terapi. Më thoshin edhe nëse nuk do të shërohem të mos mërzitem nëse të largojmë nga reprezentacioni. Kur shkuam në Ohër zhvilluam tetë ditë përgatitje ndërsa tek unë asnjë intervenim s’e bënë.”, rrëfen Mustafa, duke shtuar se ka kërkuar ndihmë nga klubi i tij NBA Çair, me të cilët është shpallur dhe kampion i Maqedonisë.

“Për çdo mbrëmje pas stërvitjeve i kontaktoja trajnerët e mi të klubit, Enver Miftari, Fadil Nika dhe Muhamed Thaçi. U desh të mblidhet kryesia e klubit NBA Çair kryetarin Sedat Memeti dhe për të parë se diçka nuk është në rregull me stafin mjekëve, njerëzve që udhëheqin reprezentacionin dhe se po përsëritet padrejtësia e vitit kaluar, kur isha në listën e reprezentacionit dhe në momentet e fundit të kampionatit evropian më larguan. Kryesia e klubit NBA Çair më siguroi kontrollimet dhe incizimet mjekësore si dhe terapinë që bëra. Është turp për reprezentacionin e Maqedonisë të sillet në këtë mënyrë”, ka theksuar Mustafa, MVP dhe shënuesi më i mirë i vitit.
Evropiani në basketboll për të rinj fillon më 18 korrik, ndërsa pas largimeve të tre basketbollistëve shqiptarë, Mustafa, Nika dhe Mehmedi, reprezentacioni i Maqedonisë vazhdon të “kënaqet” vetëm me Jetmir Zeqirin, si shqiptari i vetëm. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button