fbpx

Lutja e Kikit

Episodi 1. Ishte studentja më e mirë e Fakultetit të arteve të USHT-së, gjenerata e parë që mësonte nëpër shtëpitë private në Reçicë, përfshirë podrumet dhe tavanet. Nga ai brez dolën emrat sot të afirmuar në artet figurative në Maqedoni.

Nuk e angazhuan në mësimdhënie edhepse më së shumti e meritonte; kjo u bë rregull e pashkruar ndër ne: mos qofsh i mirë se margjinalizohesh, të lënë nën hije të prehesh.

Shumëherë kam dashur ta diskutoj këtë me profesorët e atjeshëm, miq të vjetër-piktorë të mirë, por Kiki mbeti kokëfortë. Mendon se dikush duhet ta ketë regjistruar punën e saj dhe vetë të ofrojë angazhim. Sikur të bëhej, studentët do të kishin ligjëruese me biografi të pasur dhe një fytyrë për shembull para vetes, bile fytyrë të bukur me stil unikal, me cilësi njerëzore që janë deficitare jo vetëm këtu dhe jo vetëm në kësi kohërash.

Episodi 2. Kur para disa vitesh licitoheshin emra shqiptarë për drejtor të Galerisë Nacionale të Maqedonisë, sërisht, siq thotë Kiki “më hypi qejfi” të intervenoj tek miqtë nëpër pozita. Jam e bindur se do ta ushtronte detyrën shkëlqyeshëm: me kulturën e gjerë figurative, me rrjetin e gjerë të njohësive artistike këtu dhe në botë, me qasjen, ngrohtësinë specifike në sytë, në tonin e zërit…

Prap s’u pajtua. Në krye të galerisë më të rëndësishme emëruan drejtoreshë e cila, sa për ilustrim, nuk bënte dallimin ndërmjet “pikturë” dhe “fotografi” dhe nuk njihte protokolin elementar – në hapje ekspozitash lexonte nga letra disa si qasje kritike për punimet e prezantuara që hiç nuk i takon drejtorit të institucionit por vetëm kuratorit të ekspozitës; mos rradhis nebulozat tjera të karrierës për të ilustruar lehtësinë marramendëse të politikave kadrovike, injorancën gjatë vendosjes së njerëzve të gabuar në vende kyçe (kulturore).

Episodi 3,  e treta-e vërteta. E mbaj mend ditën kur u takuam me prefektin e komunës për të shikuar mundësitë për atelje për Kikin, pasi kushtet për punë që kishte asokohe ishin, shkurt thënë – për askund.

Më kujtohet edhe biseda: çka flisja, çka përgjigjej Mexhiti.

Pas disa orësh u lajmëruan nga Komuna.

Ku të shihemi për çelësat e ateljesë?

Ishte një nga momentet më të lumtura të jetës.

Kiki asaj pasdite ndodhej në Qendrën Kulturore Françeze, vendi i saj i preferuar për studimin e literaturës artistike.

Ishte buzëmbremje, vjeshtë e vonshme, rrezet e fundit të diellit.

Trokita në dritare, doli si e tronditur, nuk qenkam dukur “si duhet”.

E përqafova, buzë vajit.

Mandej u stabilizova pak dhe ia rrëfeva të tërat.

Vërtet një mbrëmje për ta mbajtur mend.

Mund të rradhis edhe shumë episode nga jeta e saj roman, megjithatë e bukur dedikuar artit në plotëkuptimin e fjalës.

Me të tëra zbaticat që e shoqërojnë jetën sidomos kur luftën e bën vetë, sidomos në një vend që vuan nga hutizmi.

Për fund lutja e Kikit një natë Ramazani, humor i zi.

“O Zot, ose ujdise Maqedoninë ose largomë prej këtu…”.

Mandej i është dukur sikur tepër kërkon nga i Plotëfuqishmi dhe e korigjon dëshirën:

“O Zot do lodhesh me Maqedoninë, lere fare, nëse mundesh veç mua më nxjerr prej këtu”!

Tags

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close