fbpx

Ra sistemi

Nuk e di sa herë ka qenë te sporteli i RTVM. Kot. I merr nëpunësja e sportelit letrat në dorë, i shikon dhe e pyet.

“Çfarë është puna? Çfarë do?”

“Çfarë dua?” ia kthen Ai. “Jemi katër anëtarë të familjes dhe të katërve na vijnë llogari për ta paguar televizionin publik, të cilin, ta them të drejtën, nuk e shikojmë fare… Më pyetët çfarë dua? Dua që të ma dërgoni vetëm një llogari, sepse sa e di unë llogaritë janë familjare, ato i dërgohen një shtëpie, jo secilit veç e veç… Ku keni parë ju kështu?!”

“Shko lart në shërbimin juridik”! Ai shkon, po juristja nuk është.

“Në pushim është”, i thonë

Një ditë tjetër përsëri hyn në rend te sporteli. Dikur arrin para nëpunëses dhe e fshin djersën e ballit me një faculetë të bardhë..

“Zonjë, a do të rregullohen ndonjëherë këto letrat e mia”?

“Prit bre, mos bërtit! Prit t’i shoh letrat njëherë mirë”, ia kthen nëpunësja. I shikon, i shikon. Ndërkohë njerëzit që presin rend prapa Atij, e Bardhylifestojnë nervozën e tyre duke e sharë qeverinë shtetin, televizionin.

“A i patë letrat”?

“M’i jep letrat e njoftimit”! i thotë nëpunësja me një qëndrim që duhet të shprehë superioritetin e saj përballë vargut të gjatë të njerëzve që presin. Ai ia dorëzon, kurse nëpunësja i shikon edhe ato. “A quhesh ti Bardulj”?

“Jo, emrin e kam Bardhyl”

“Po si thashë unë”?

“Ju thatë Bardulj”.

“Po de. Eeeeh”! thotë nëpunësja “shikoni Bardulj…

“Bardhyl”!

“Bardul, shikoni këtu! Këtu te letërnjoftimi ju e keni mbiemrin Asani, edhe bashkëshortja juaj… A e keni këtë bashkëshorte? Edhe kjo e paska Asani. Mirë, mirëpo vajza, apo çfarë e keni këtë, e ka mbiemrin Hasani, edhe ky djalë e ka Hasani, do të jetë juaji, apo jo? Pra keni dy mbiemra, që do të thotë jeni dy familje. Pastaj…

“Pastaj çka”? pyet  Bardhyli plot pezëm. Ju zonjë po talleni me mua!

“Prit, de prit!… Adresën të gjithë e keni në rrugën NN, mirëpo te letërnjoftimi juaj thotë se nr. i shtëpisë është 27/2-2, numri i tjetrit është 27/2, i anëtarit të tretë 27-2 dhe i të fundit është 27-2/2. Nuk mundet. Duhet t’i rregulloni këto punë ose t’i paguani paratë për shërbimet që ju bën RTV publik!

“Ku duhet t’i rregulloj”?

“Kuptohet, në polici”!

“O njerëz, s’po më mbajnë këmbët më”! bërtet njëri nga rreshti që vazhdimisht rritet.

Bardhyli largohet me ngut. Korridorit të ndërtesës RTVM-së, del në anën tjetër ku është e vendosur policia. Kur, çfarë të shohësh atje!… Atje edhe oksigjeni është i rrallë nga kallaballëku! Ai pret. Pret. Pret. Dhe e shikon herë pas here punëtorin e sportelit si i çon punët avash-avash. Pastaj ikën diku punëtori i sportelit. Pas një ore përsëri kthehet nëpunësi. Ai, pritësi para sporteleve, i fshin djersët e ballit dhe e thotë një “shyqyr o zot” kur e sheh nëpunësin të ulet në karrigen e vet. Po nëpunësi i palon do letra para vetes gjithmonë avash-avash. Kalojnë minutat e mundimshme. Ai vazhdon të presë. Dhe kush pret – njëherë medoemos do të arrijë te nëpunësi i sportelit. Medoemos. Dhe, në fund vjen çasti i shumëpritur. Bradhyli i tregon zotëri nëpunësit se pse ka ardhur, kurse nëpunësi shpejt “e udhëzon”:

“Kjo është procedurë. Duhet të nxirrni vërtetim në gjyqin nr. 1 se nuk jeni të dënuar. Për secilin anëtar të familjes. I lodhur dhe, kuptohet, edhe me bindjen e çuditshme se po e tallin. Bardhyli shkon në gjyqin nr. 1. Atje e gjen sportelin të mbyllur. “Me palë punojmë deri në orën 14”, shkruan në mur. Aty pranë shkruan se për ta nxjerrë këtë vërtetim duhet paguar 320 denarë taksa gjyqësore për secilin anëtar. Për fat një pritës tjetër kishte formularë për lutje dhe të dhënat për taksat që duhet të paguhen në bankë ose postë. Pritësi ia jep formularin.

“Mund ta fotokopjosh, nëse të duhen më shumë kopje”, i thotë pritësi. Bardhyli e merr formularin prej të panjohurit, i falënderohet dhe e shikon orën – 15,30. Kthehet i lodhur në shtëpi. Të nesërmen shkon në bankë. T’i paguajë taksat. Natyrisht edhe atje ka rend. Rreshti mjaft i gjatë. Ai pret. Pret. Kur afrohet, nëpunësja thotë:

“Më falni, ra sistemi”. Kjo do të thotë se nuk do të punojë më. Ai del me letra në dorë.

Ndërkohë ikin ditët. Vijnë llogaritë tjera. “Ej mori bela”!… E me llogaritë tjera edhe një llogari e vitit 2002 për ngrohjen e papaguar për një muaj. Tre-katër mijë denarë për muajin gusht të asaj kohe, janë bërë një mal parash nga kamatat. Dhe, jo vetëm kaq. Në një poshtëshënim shkruan se nëse nuk paguhen paratë për një afat të shkurtër, do ta keni përmbaruesin te dera. Do t’jua marrë pasurinë e tundshme: televizor, shporet, makinë për larje të teshave e kështu me radhë. “O Zot”! Bardhyli ulet me gruan dhe i kërkon llogaritë që i ruan. Letër më letër. Për pesëmbëdhjetë vjet. Se, ku ta dish!…

“E gjeta”! bërtet gruaja e gëzuar. E shikojnë të dytë mirë llogarinë. E kanë paguar.

Të nesërmen Bardhyli e çon llogarinë e paguar në sportelin e ngrohjes qendrore. Ata i thonë: “Na fal”!

“Po tash, kush do ta paguajë mundin dhe kohën e humbur timen dhe të familjes sime”?

“Na fal, na fal”, i thonë, tash dy herë.

Në mbrëmje ulet me gruan para televizorit. Atë natë kryeministri iu drejtua popullit duke thënë:

“Edhe  pse jam kryeministër, unë jam njeri, njëri nga ju, të cilin e lëndojnë këto gjera, fatkeqësitë, humbjet e jetës, dramat sociale të familjeve…

“A thua i di hallet e lagjes sonë kryeministri? A thua edhe ai shkon para sporteleve si ne? Dhe, a ndodh që ta paguajë dy herë një llogari? A ka për të procedura për të”? pyeti gruaja. Ndërsa burri mendonte se si do t’ia bëjë me dokumentet. Për procedurën.

“Çfarë the”? pyeti Bardhyli. Seç ia ngatërrua fjala procedurë me Procesin e Kafkës.

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close