Greva, drejtorët luajnë vallen e Gruevskit, arsimtarët të frikësuar përballë furisë kërcënuese

Arradha prej 35 mijë anëtarëve sa numëron gjithsejtë Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, pas paralajmërimit të vendimit të grevës së arsimtarëve më 29 shtatorë, po përballet me presionet e zyrtarëve qeveritar të cilët janë deklaruar kundër kësaj greve duke u hedhur në luftë të drejtpërdrejtë për dështimin e  saj.

Nëpërmjet strukturave të saja rajonale në sferën e arsimit, institucionet janë vënë në veprim që justifikojnë me mbajtjen e mbledhjeve konsultative me drejtorët e shkollave për grevën dhe kohëzgjatjen e saj.

Kryetari i SASHK deklaroi se 87 për qind e anëtarësisë së saj përkrahën vendimin për mbajtje e grevës.

Në bazë të një hulumtimi të Portalb me arsimtarë të shkollave të ndryshme, thuajse çdo lloj greve për kushtet e arsimit është e mirëseardhur për të bërë më shumë presion mbi qeverinë për të ndërmarrë diçka në fushën e arsimit. Ndryshe nga ta drejtorët nuk shprehen në mënyrë të hapur në përkrahje të grevës, duke pështjelluar atë si të drejtë të arsimtarëve, por njëkohësisht, pa dhënë ndonjë përkrahje konkrete me pretekstin se kjo mund të ketë refleksione negative mbi nxënësit.

Arsimtarët përkrahin vendimin e Sindikatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, e cila shpalli grevë të përgjithshme të punonjësve në arsimin parashkollor, arsimin fillor, të mesëm dhe në kulturë më 29 shtator.

Arsimtarët dhe drejtorët të ndarë rreth grevës

Disa arsimtarë thonë që drejtorët e shkollave kanë kërkuar që të mos protestohet por që nuk kanë bërë presion.

“Presion nuk kemi pas nga drejtori, mirëpo na ka thënë që do të ishte më mirë që mos të protestohet. Por duke pasur parasysh kushtet në të cilat në funksionojmë, greva duhet mbështetur nga të gjithë mësimdhënësit në mbarë vendim, me qëllim që të sheh Qeveria se nuk mund të kontrollojë dhe frikësojë mësimdhënësit me një ligj i cili është i pa kapshëm”, tha Afrim Rahimi, mësimdhënës.

“Nuk e di se pse nuk reagon LASH, kushtet në arsimin e sidomos në atë shqip janë të mjerueshme. LASH duhet të jetë më i zëshëm dhe të mbrojë interesat e arsimtarëve sepse me mbrojtjen e të drejtave, mbrohet dhe zhvillohet edhe cilësia e arsimit”, tha R.H., arsimtar.

Po ashtu në shkollën fillore në Batincë do të bojkotohet mësimi me rastin e grevës se paralajmëruar.

“Tash për tash shkolla funksioni shumë mirë. Por nuk është e çuditshme që kur sindikata, ta shpall vendimin për protesta të përgjithshme, që edhe profesorët e mi ti bashkëngjiten grevës  dhe me ç’rast të bllokohet mësimi”,  tha për Portalb, drejtori i shkollës fillore “Naim Frashëri “ Batincë, Fatmir Mustafa.

LASH definon kompetencat, merremi me cilësinë e arsimit

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH), Nuhi Dardhishta thotë për Portalb tha se ata më shumë janë të fokusuar në cilësinë e arsimit.

“Bëjnë me dije se ne merremi vetëm me cilësinë e arsimit dhe jo me të drejtat e arsimtarëve”, tha për Portalb, Dardhishta.

Ndërkaq disa arsimtarë të Shkupit shprehën pakënaqësi nga LASH-it, duke thënë që kërkesat e tyre nuk përkrahen.

Ndërkaq nga ana tjetër Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë në Kumanovë, Etem Xheladini, shprehet se mbështet grevën, madje kërkon që Sindikata që shtojë edhe disa kërkesa të reja përpos atyre që tani më i ka shpallur.

“Arsimtarët të cilët janë anëtarë të Sindikatës do të protestojnë dhe të tjerët do të solidarizohen me ata duke kërkuar kushte më të mira si dhe të anulohet ligji për zëvendësimin e tyre gjatë grevave. Ne mbështesim grevën madje kërkojmë edhe disa kushte të plotësohen, si të përmirësohen kushtet në arsimit shqip si dhe ditarët e vjetër, ata elektronik si dhe dokumentet tjera në shkollat shqipe të jenë vetëm në gjuhën shqipe”, tha për Portalb, Xheladini.

Ai shtoi se ligji nuk ka bazë kushtetuese dhe se është krijuar vetëm për frikësimin e mësimdhënësve për të ndalur revoltën e tyre e cila është krijuar me të drejtë, pas problemeve të shumta në asrim e sidomos në atë shqiptar.

Ndryshe, Parlamenti me procedurë të shkurtuar i miratoi ndryshimet në Ligjin për Arsimin fillor dhe të mesëm me anë të të cilit sigurohet punë e vazhdueshme edukative duke zëvendësuar punonjësit grevistë për kohëzgjatjen e grevës.

Qeveri – SASHK, kundërshtojnë njëra tjetrën

Kryeministri Nikolla Gruevski, theksoi se SASHK gjithnjë ka përkrahur politikat qeveritare për arsimin, pro kësaj here ajo i ka kthyer shpinën qeverisë. Sipas Gruevskit, këtë Sindikata e bënë për shkak se bëhen zgjedhjet Brenda organeve të saj dhe synohet rizgjedhja.

Zgjedhjet në Sindikatën e Arsimit, Shkencës dhe kulturës janë edhe një vit e jo tani siç deklaroi Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski, deklaroi kryetari i Sindikatës Jakim Nedellkov.

“Çfarë analiza bëjnë ato është punë e tyre. Puna jonë është ti mbrojmë interesat e anëtarëve tonë dhe kërkesat e tyre. Me keqardhje mund të them se deklaratat e këtilla të zyrtarëve qeveritar mund të shënohen vetëm si pikë negative”, tha kryetari i Sindikatës Jakim Nedellkov

Zëvendësministri i arsimit Spiro Ristovski, theksoi se e respekton vendimin e SASHK për të bërë grevë, por në të njëjtën kohë vlerësojnë se është institucioni kompetent i sistemit ai i cili duhet të sigurojë kushte për zhvillimin e mësimit pa pengesa.

Në këtë mënyrë Ristovski bëri të ditur se kur do të konstatohet se është e nevojshme mund të bëhet ndërrimi periodik i arsimtarëve, për të siguruar vazhdimësinë e procesit mësimor.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button