Shqipëri, gjykata e Apelit nxjerr nga burgu Fullanin

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani do të lërë qelinë e burgut 302 dhe të shkojë në shtëpinë e tij. Gjykata e Apelit ka dhënë masën “arrest shtëpie” për Fullanin pas kërkesës për ndryshimin e masës së sigurisë.

“Çfarë përgjegjësia ka Guvernatori për atë çfarë bën një punonjës i rangut të fundit në Bankë?”, ky ka qenë arsyetimi i Fullanit para trupit gjykues.

Por, pavarësisht kësaj avokati i Guvernatorit, Maks Haxhia ka bërë të ditur se do të kërkohet edhe heqja e kësaj mase duke kërkuar që të hetohet në liri:

“Vendimi i sotëm ishte një vendim që pavarësisht se ishte në favor të kërkimeve tona, nuk ishte në stadin e atyre kërkimeve, pasi ne kërkuam të mos kishte fare masë arresti dhe as masë sigurimi personal. Megjithatë gjykata vendosi prishjen e vendimit të datës 5 shtator, duke vendosur masën “arrest shtëpie” si masë sigurimi personal. Do bëjmë dhe rekurs”.

Seanca për shqyrtimin e masës së sigurisë nisi rreth orës 12:00. Gjatë seancës, Fullani deklaroi se është udhëhequr gjithmonë nga ligji dhe ndershmëria si Guvernator i BSH-së.

“Jam udhëhequr gjithmonë nga ligji dhe ndershmëria si guvernator i BSH-së. Ngjarja në Thesarin e Shtetit është e shkëputur nga mënyra si ka funksionuar Banka e Shqipërisë”, u shpreh Fullani.

Trupi gjykues i kryesuar nga Alaudin Malaj rrezoi kështu vendimin e dhënë me 5 shtator nga Gjykata e Shkallës së Parë, për arrestin me burg në mungesë të Fullanit, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës në lidhje me vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Thesari i Shtetit.

Fullani u paraqit sot në gjykatë së bashku me Inspektoren e Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi dhe katër inventarizuesit e parave në thesarin e shtetit në Linzë.

Por, seanca e sotme e cila qe “me fat” për ish-guvernatorin, nuk përfundoi e tillë për Inspektoren e Përgjithshme për të cilën u la në fuqi vendimi i Shkallës së Parë, “arrest me burg” nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Ndërkohë që për tre vendime të tjera Apeli vendosi të rrëzojë Prokurorinë dhe të japë “arrest shtëpie” për tre inventarizuesit,  Ilir Dedjen, Bahri Allushin dhe Fatbardha Gurthin.

Fullani u arrestua në 5 shtator, ndërkohë që pas arrestimit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori vendimin për shkarkimin e tij nga detyra e Guvernatorit. Vendimi është miratuar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe pritet që të miratohet edhe në Kuvend./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button