Mbyllen zyrat e MUP-it serb, pritet edhe shuarja e ‘Mbrojtjes Civile’

Veprimtaria ilegale e MUP-it serb po vjen duke u shuar në veriun e Mitrovicës. Përfaqësues të institucioneve të Kosovës konfirmojnë mbylljen e 11 zyrave të MUP-it në gjithë territorin e Mitrovicës veriore. Mbyllja e këtyre pikave vjen në kohën kur SHBA-ja dhe BE-ja po bëjnë trysni mbi Serbinë për ta zbatuar marrëveshjen e 19 prillit.

Në Policinë e Kosovës thonë se procesi i mbylljes së zyrave të MUP-it është monitoruar nga një ekip i krijuar nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës, gjë për të cilën do të raportojnë në Bruksel.

Nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se tashmë komandanti rajonal për veriun e Mitrovicës, Nenad Gjuriq po i kryen të gjitha detyrat që i caktohen nga Prishtina. Por, pavarësisht kësaj, ende në rrugët kryesore të veriut të Mitrovicës bën rojë e ashtuquajtura `Mbrojtje Civile`.

E për këtë gjë, nënkoloneli Qalaj theksoi se në rundin e ardhshëm temë kryesore në bisedime do të jetë edhe shuarja e `Mbrojtjes Civile` në veriun e Mitrovicës.

Edhe pse MUP-i po largohet gradualisht nga veriu i Kosovës, përgjatë magjistrales Mitrovicë-Jarinjë në hyrje të Leposaviqit ende strukturat paralele bëjnë rojë afër rrugës.

Lajmi për mbylljen e 11 zyrave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në veriun e Mitrovicës është mirëpritur nga udhëheqës të institucioneve të Kosovës. Shefi Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i tha RTK-së nëpërmjet telefonit se mbyllja e zyrave të MUP-it serb në veri është hapi i parë por jo i fundit, për normalizimin e jetës në veri. 

Sipas Grabovcit, ky hap demanton ato që të tjerët kanë deklaruar më herët se pjesa veriore e Mitrovicës është pjesë e humbur. Ai tha se mbyllja e këtyre zyrave do ta normalizojë jetën atje, si dhe do të krijojë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 3 nëntor. 

Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka mirëpritur lajmin për shuarjen e MUP-it në veri, por tha se atje mbetet shumë punë për t`u bërë.

Zyrtarët thonë se angazhimi konkret i Serbisë për mbylljen e zyrave dhe veprimtarisë së MUP-it është rezultat i miratimit të ligjit për Amnistinë, i cili është garant për të gjithë serbët se nuk do të ndiqen penalisht për veprat penale të cilat ndërlidhen për thirrjen për rezistencë, për prishje të rendit kushtetues, por duke i përjashtuar rastet që kanë të bëjnë me vrasje.

Lajme të ngjashme

Back to top button