IPA Fondet , Besimi inspekton Ministrinë e Punës dhe politikës Sociale, ndahet i kënaqur

Në prag të Raportit të vjeshtës dhe në kuadër të EU Agjendës 2014 të Sekretariatit për Çështje Evropiane, zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi, i shoqëruar nga të punësuarit e sektorëve për IPA dhe Eurointegrime realizoi vizitë pune në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale ku u takua me ministrin Dime Spasov dhe bashkëpunëtorë të tij.

Në takim u bisedua për realizimin e reformave në sferën e politikave sociale, me theks të veçantë në kapitujt Lëvizja e lirë e forcës punëtore dhe Politika sociale dhe punësimi. Sferat të cilat i mbulon ministria shqyrtohen në nën-komitetin për inovacione, shoqëri informatike dhe politikë sociale si dhe në nën-komitetin për drejtësi, liri dhe siguri.

U diskutua edhe për aktivitetet e parapara në Programin Nacional për miratimin e të drejtës së Bashkimit Evropian (NPAA). Bashkëbiseduesit në takim theksuan se është i nevojshëm përshpejtimi i përpjekjeve për përgatitje dhe implementim të projekteve dhe miratim i ligjeve në sferat e politikës sociale dhe punësimit, të drejtave njerëzore dhe mbrojtja e pakicave, si dhe azil.

Në takim u bisedua edhe për shkallën e shfrytëzimit të mjeteve të cilat janë në dispozicion përmes Instrumentit për Ndihmë para Aderimit – IPA, të cilat janë kyçe për realizimin e reformave në politikën sociale dhe punësim. Në kuadër të IPA I në periudhën nga viti 2007 deri në vitin 2013 janë përgatitur 25 projekte nga Komponenti 4, dhe 5 projekte nga Komponenti 1, ose në total 30, në shumë prej rreth 43 milion eurosh.

Besimi theksoi se Ministria për Punë dhe Politikë Sociale është një nga institucionet të cilat i shfrytëzojnë me sukses fondet evropiane, të cilat janë paraparë kryesisht për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, dhe njëkohësisht kanë rëndësi të veçantë për afrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian, përmes investimit në zhvillimin socio-ekonomik si dhe përputhjen e legjislacionit me BE-në.

Lajme të ngjashme

Back to top button