USHT, mes premtimeve, fakulteteve të reja dhe nevojës për më shumë shkencë

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi bashkë me rektorin e Universitetit shtetëror në Tetovë, Vullnet Ameti morën pjesë në solemnitetin i cili u mbajt në Rektoratin e USHT-së me çka në mënyrë simbolike u shënua fillimi i vitit të ri akademik 2014/2015.

Ministri Ademi i cili nga USHT-ja e shpalli të hapur vitin akademik 2014/2015 në të gjithë Institucionet e arsimit të lartë në Maqedoni tha se të mbash fjalim në Universitetin i cili u themelua nga dëshira e madhe e shqiptarëve për të pasur universitetin e tyre në gjuhën amtare është përgjegjësi, të mbash fjalim në Universitetin që në themel të tij ka djersën e çdo shqiptari si dhe gjakun e dëshmorëve është përgjegjësi e madhe, sepse ajo djersë dhe sakrificë që u bë për këtë universitet të ngarkon edhe me përgjegjësi morale.

“Ju në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe në mua personalisht mund të llogarisni në përkrahësin më të madh në përmbushjen e ambicieve dhe qëllimeve të përbashkëta. Unë do të kërkoj nga ju që të angazhohemi të gjithë bashkë në ngritjen e cilësisë së arsimit. Mos e shikoni cilësinë e arsimit dhe përmirësimin e saj në USHT thjeshtë vetëm si obligim ligjor, por edhe si obligim kombëtar. Çfarë gjenerata do të ndërtojmë varet nga ne. Ne jemi përgjegjësit për të ardhmen e shoqërisë dhe vendit”, tha Ademi në fjalimin e tij.

Ne për USHT-në, theksoi, do të kemi disa projekte konkrete për zhvillimin e tij dhe për shtrirje cilësore. “Jemi në procedurë për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për ngritjen e kampusit universitar në Shkup, ku do të ndërtojmë objekt të ri për nevojat e fakulteteve të USHT-së në Shkup dhe për nevojat e IPTSHKSHM-së. Do të krijojmë mundësinë juridike që profesorë me përvojë më të mirë botërore dhe që punojnë në Universitetet botërore të mund të krijonë marrëdhënie pune dhe të ligjerojnë, të jenë mentor të studentëve në studimet e tyre postdiplomike. Do të përkthejmë 50 tituj shkencorë që përdoren në 100 Universitetet më mirë të ranguar në botë”, theksoi ministri i Arsimit Ademi.

Ai gjithashtu, tha se do të themelohen tre fakultete të reja në kuadër të USHT-së, si Fakulteti Pedagogjik, Fakulteti i Bujqësisë dhe Fakulteti i teknologjisë dhe gjeoshkencës. Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Vullnet Ameti në fjalimin e tij tha se fillimi i procesit mësimoro-shkencor në USHT është një ditë e veçantë për faktin se, sot arsimi dhe shkenca janë prioritete dhe të njëjtat, në shoqëritë e përparuara vlerësohen si domosdoshmëri e kohës. Sipas Ametit, drejtuesit e këtij institucioni të arsimit të lartë në gjuhën shqipe, kanë arritur që ta rrisin ndjeshëm cilësinë e mësimdhënies, nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës, të auditorëve të ligjëratave, modernizimit të laboratorëve, pasurimit të bibliotekave me tituj bashkëkohorë dhe inkuadrimit të metodave të reja të mësimdhënies gjatë procesit mësimor dhe të kërkimeve shkencore.

“Deri më sot, ne kemi realizuar dy afate regjistrimi, në kuadër të të cilëve janë regjistruar mbi 3.000 studentë, nga 5.310 studentë, sa janë parashikuar të regjistrohen në 11 fakultetet, programet studimore dhe studimet e disperzuara të këtij Universiteti. Me përmbylljen edhe të afateve të tjera, ne besojmë se do të arrijmë t’i përmbushim synimet tona për plotësimin e të gjitha vendeve të publikuara në Konkursin e këtij viti akademik”, tha Ameti.

Lajme të ngjashme

Back to top button