Rama: Avancim nga librat tek teknologjia, nxënësit s’do gënjejnë më për notat

Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Lindita Nikolla, kanë zgjedhur gjimnazin “Ismail Qemali” për të uruar një vit të ri e të suksesshëm shkollor për të gjithë nxënësit shqiptarë.

Kryeministri theksoi se “Ismail Qemali” është ndër shkollat më të mira bazuar te Matura Shtetërore, e cila ka qëndruar në lartësinë e famës së dikurshme duke qenë një shkollë model.

“Shkolla është përzgjedhur ndër shkollat pilot për t’u transformuar në qendra komunitare, jo vetëm për mësim por edhe për aktivitete sociale përtej orëve të mësimit, jo vetëm për mësim por edhe për jetën e përbashkët sociale, artistike, kulturore e sportive. Besoj se e dini që do futen orët e edukimit fizik, 3 orë në javë për të lëvizur më shumë të gjithë bashkërisht. Nga ana tjetër ne po përgatisim një program për të nxitur idetë, nismat e vetë nxënësve, të gjithë ata që do kenë ide. Ju mjafton të keni ide dhe të mund të provoni që janë të vlefshme dhe do gjeni mbështetje. Ne nuk kënaqemi me sa është arritur, jemi të bindur se ka shumë ende për t’u bërë. Sapo kemi filluar një pjesë tjetër të reformës për mësuesi, të përputhim profilet me orët e mësimit. Ka shumë raste ku mësues me profil biologjie japin fizikë, ata me profil muzike biologji, e kështu me radhë. Ne jemi duke avancuar për futjen e teknologjisë në shkolla. Ju në fazën e parë do kaloni nga librat tek teknologjia dixhitale, prindërit do jenë të lidhur online sapo të mos shfaqeni ju do i shkojë mungesa dhe nota që merrni. Këto janë taksirate që do i kaloni”, u shpreh Rama.

Ndërsa Nikolla, e rikthyer në shkollën kur dikur ka qenë mësuese e matematikës, theksoi se nga kjo shkollë vijojnë të dalin talente në fusha të ndryshme dhe premtoi se do të bëjë gjithçka për nxënësit që ata të kenë sukses.

“Unë kam qenë mësuese në këtë shkollë, prandaj ruaj mbresa të mrekullueshme për nxënës të shkëlqyer të matematikës. Nga kjo shkollë janë marrë në Maturën Shtetërore më shumë 10-ta në të gjithë Shqipërinë. Unë e di që nga kjo shkollë kanë dalë dhe vijojnë të dalin talente edhe në fusha të ndryshme. Më vjen mirë që nxënësit tuaj në shkollën e lartë janë fokusuar në shkencat ekzakte dhe kompjuterike. Do jemi pranë jush për të mundësuar sukses dhe vetëm sukses”, u shpreh ministrja./Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button