Mësuesit jashtë profilit do të lënë punën

Këtë vit të ri shkollor, mësuesit, të cilët nuk janë në profilin e tyre arsimor, do të shkarkohen. 

Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, tha se një mësues, që është diplomuar për biologji, nuk mund të japë lëndën e matematikës. Udhëzimi më i fundit i Ministrisë së Arsimit saktëson se gjuha e huaj e dytë nis në klasë të gjashtë, dhe jo që në klasë të tretë.

“Nuk do të kemi shkurtim të orëve të gjuhëve të huaja në mësim. Unë e kam sqaruar qartë. Në ciklin e detyruar, klasa kur fillon gjuha e huaj është ajo e treta e do të vazhdojë deri në të 12-n, duke mësuar mbi këto orë, pasi janë orë të përcaktuara dhe jo të marra nga orët e lira. Nëse unë jam në klasën e 6 dhe do të mbaroj arsimin bazë për të kaluar në gjimnazin e ulët, atëherë që nga klasa e 6 e deri në të 9-n unë do të bëj gjuhën e dytë të huaj. Pra, nëse unë kam gjuhë të parë frëngjishten dhe gjuha e dytë përzgjidhet anglishtja, unë do të përzgjedh këtë lëndë dhe ora që është marrë është orë e lirë nga një lëndë tjetër, që nuk ka krijuar probleme me lëndën bërthamë që kam pasur”, shprehet Nora Malaj.

Këtë vit do të ketë më shumë orë të edukimit fizik, të cilat do të zhvillohen në fund të orëve mësimore, dhe shkollat do të trajtohen si qendra komunitare.

“Orët e fiskulturës janë futur në program nga 3 orë, sipas një premtimi që mbajti qeveria në kuadër të programit të saj, dhe prindërit do të jenë të pajisur çdo javë me një informacion të detajuar për çdo nxënës. Kjo, në mënyrë që jo vetëm të ndjekin mbarëvajtjen e tyre, por edhe të bëhen pjesë e problemeve që mund të ketë fëmija, por edhe konstatimeve të shqetësimeve të ndryshme”, deklaroi më tej zv/ministrja Malaj.

Në 40% të shkollave në kryeqytet ka qenë e pamundur, që në një klasë të ketë vetëm 30 nxënës, pasi fluksi ka qenë shumë i madh. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button