Qytetarët mund të marrin konsultime shëndetësore nëpërmjet projektit “Alo mjek”

Me projektin e Qeverisë “Alo mjek”, i cili do të fillojë prej sot, qytetarët do të munden në numrin e telefonit 15-123 të konsultohen për një gjendje të caktuar shëndetësore apo simptoma që i ndjejnë.
Në projektin, siç njoftoi të shtunën ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov, janë të kyçur mjekë specialistë me së paku 10 vite përvojë që është ndryshe nga dispeçerët të cilët lajmërohen në Ndihmën e shpejtë mjekësore të cilët janë mjekë të përgjithshëm, ndërsa disa nga specialistët janë edhe mjekë të sapopensionuar”, theksoi Todorov.

Sqaroi se në projekt përfshihen të gjithë mjekët nga klinikat e Shkupit dhe entet shëndetësore në qytet, të cilët do të punojnë nga një ndërrim në muaj në koll-qendrën “Alo mjek”, nga katër orë. “Kjo do të thotë se çdo ditë, prej orës 18 deri në orën 22 do të ketë nga një mjek, i cili është drejtor në njërën nga klinikat, përkatësisht specialist apo doktor i shkencave me përvojë të madhe, i cili do të pranojë thirrje dhe do t’u japë këshilla qytetarëve të cilët konsiderojnë se kanë nevojë të lajmërohen në këtë telefon”, tha Todorov.

Drejtoresha e Entit shëndetësor Shkup, Tatjana Baevska-Vuçkoviq sqaroi se përmes këtij numri, qytetarët nga e tërë Maqedonia do të mund të marrin shërbim adekuat shëndetësor përmes këshillës shëndetësore, terapisë simptomatike apo ndërkaq thirrja të dërgohet në ndihmë urgjente mjekësore. Koll-qendra për projektin “Alo mjek” ndodhet në Ndihmën e shpejtë mjekësore afër poliklinikës Bukuresht.

Lajme të ngjashme

Back to top button