ANALIZË: A u shndërrua haxhi nga ideologjia në biznes?

“Në vitin 2009, me ftesë të një organizate joqeveritare shkova në haxh në Arabinë Saudite. Organizatori i mbuloi të gjitha harxhimet. Udhëtuam me aeroplan dhe ishim të vendosur në hotel me pesë yje. Poashtu kishim mundësi, gjegjësisht na u sigurua transport në Mekke dhe Medine. I gjithë udhëtimi deri atje dhe qëndrimi ishin organizuar në mënyrë të shkëlqyer” – tregon për “Portalb”-in një i ri që ka pasur mundësi të jetë pjesë e vizitës VIP të vendeve të shenjta – Mekkes dhe Medines. Për nja dhjetë ditë, nga Maqedonia do të niset grupi i parë i haxhinjve, të cilët do të shkojnë në Arabinë Saudike. Këtë vit çdo besimtar që është paraqitur të marrë pjesë në ngjarjen më të madhe të shenjtë të vitit, do të duhet Bashkësisë Fetare Islame t’i paguajë 3.200 еuro. Çka u ofrohet besimtarëve për këto para? A paguhen vizat pa pagesë dhe çka shkroi Stejt Departmenti amerikan për pagesën e këtyre vizave, të cilat Arabia Saudike i jep falas, si kuotë? Në opinion u hapën një sërë çështjes në prag të shkuarjes së sivjetme të besimtarëve në Mekke dhe Medine. Këtë vit kuota për besimtarët nga Maqedonia është 1.600 viza. Në krahasim me vitin e kaluar, sivjet interesimi është dukshëm më i madh, mirëpo, numri përfundimtar, siç thonë nga BFI-ja do të dihet së shpejti.

Kush, sa dhe për çka paguan për udhëtimin për në haxh?

Monopoli që e fitoi Bashkësia Fetare Islame që ta organizojë kryerjen e obligimit fetar të haxhit duheshte të ishte mekanizëm me të cilin do të pengoheshin keqpërdorimet dhe manipulimet me besimtarët nga njëra anë dhe do të mundësojë qëndrim më të lehtë dhe më të organizuar në Arabinë Saudike, nga ana tjetër, thotë për “Portalb”-in hoxha Muhamer Vejseli, i cili më parë, si pjesë e udhëheqësisë së BFI-së ka marrë pjesë në përpilimin e Ligjit për bashkësitë fetare.

“Kur u miratuar zgjidhja e re ligjore që e rregullon punën e bashkësive fetare, ne si BFI insistonim që t’ua mbyllim derën agjencive që janë në kyçura në organizimin e haxhit. Mendonim se e drejta ekskluzive që BFI-ja ta organizojë shkuarjen në haxh do të jetë mekanizëm për mbrojtje nga grupet radikale, të cilat shfrytëzohen për të sjellë para të gatshme. Përparësi tjetër është ajose shkuarja e organizuar nënkupton edhe eliminimin e të gjitha pengesave teknike, si për shembull ato kur haxhinjtë kthehen në vend, gjegjësisht të mos kenë probleme dhe vonesa në kufi. Domethënë qëllimi ishte pastër çështje ideologjike” – thotë Vejseli.

Mirëpo, a ndryshoi ky qëllim nga ideologjik në financiar? Në vitin 2003 aranzhmani kushtonte afër një mijë euro, e tani besimtarët duhet të paguajnë 3.200 euro. Sipas letrës qarkore që BFI-ja ua dërgoi muftinive, në këtë shumë janë të kyçura harxhimet e rrugës, qëndrimi, mirëpo edhe vizat që duhet të jenë pa pagesë.

“Riaseti i BFI-së, në bazë të nenit 3, pika 17 e Kushtetutës së BFI-së, sikurse edhe çdo vit, edhe këtë vit organizon udhëtim për në haxh. Çmimi i një aranzhmani për në haxh me aeroplan kushton 3.200 euro, ndërsa në çmim janë të përfshira këto shërbime: viza dalëse, procedura administrative për marrjen e vizës për në haxh, vaksinimi dhe mbrojtja shëndetësore, biletat, vendosja dhe qëndrimi në hotelet në Mekke dhe Medine, ushqimi gjatë qëndrimit në hotele …” – shkruan në mes tjerash në letrën qarkore të BFI-së.

Sipas procedurës në Maqedoni, vizën dalëse e jep Ministria për Punë të Brendshme (sektori për të huaj) dhe ajo, siç thonë njohësit e rrethanave, është pa pagesë. Poashtu, pa pagesë është edhe viza për hyrje në Arabinë Saudike, e cila jepet në formë të kuotave.

“Para se BFI-ja ta marrë monopolin për ndarjen e vizave, besimtarët nga Maqedonia më shpesh udhëtonin në Shqipëri dhe atje nëpërmjet ambasadave të Turqisë dhe Arabisë Saudike aplikonin për viza. Këtë procedurë mund ta kryente edhe ndonjë agjenci e angazhuar. Dhe në atë kohë, e gjithë procedura nuk ishte aq e shtrenjtë si tani. Vizat ishin pa pagesë. Tani do të thoja se ne në Maqedoni flasim për haxh të shtrenjtë, madje edhe sikur të bëjmë krahasim me vendet evropiane. Edhe një çështje problematike është ajo se çka fiton për këto 3.200 еuro një haxhi nga perëndimi e çka një haxhi nga Maqedonia” – thotë për “Portalb”-in, Jasmin Rexhepi, ekspert për turizëm fetar dhe njeri i cili para disa vitesh ka qenë pjesë e ngjarjes së shenjtë në Mekke dhe Medine.

Vërejtje për “pagesën” e vizave pa pagesë kishte edhe në raportin e fundit të Stejt Departmentit amerikan. Sipas Stejt Departmentit, burime nga qeveria e Maqedonisë dhe Bashkësia islame në Maqedoni kanë deklaruar se BFI-ja ka përfituar nga roli i ndërmjetësuesit për vizat saudiane të cilat u nevojiten besimtarëve që të shkojnë në haxh në Mekke. Këtë rol të privilegjuar BFI-ja gjoja e ka fituar drejtpërdrejt nga pushteti thuhet në raport.

“Këta njerëz pastaj deklaruan se kjo e drejtë i ka mundësuar BFI-së të arkëtojë një taksë joproporcionale prej 400 eurosh që t’i validojë aplikimet për vizë, të cilat përndryshe janë pa pagesë nga Arabia Saudike, për të shkuar në haxh”, thuhet në raportin ndërkombëtar për liritë fetare të Stejt Departmentit amerikan, për Maqedoninë.

Dilema e ardhshme për njohësit e kësaj çështjeje është edhe përfshirja e agjencive turistike në procesin e organizimit të haxhit. Në fakt, disa agjenci tashmë ofrojnë udhëtim të organizuar, mirëpo megjithatë, procedurën e realizojnë në koordinim me BFI-në, e cila i jep vizat.

“Problem tjetër është dallimi i çmimeve, nëpërmjet BFI-së, siç informojnë prej atje, për këtë vit ky udhëtim kushton 3.200 euro, ndërsa agjencitë nga ana tjetër, ofrojnë çmime që janë më tërheqëse, mirëpo përsëri një pjesë e parave përfundon në BFI. Është pikëpyetje se a regjistrohen këto para dhe a ka evidencë për to” – thotë hoxha Vejseli.

Si i merr Maqedonia vizat?

Parimi sipas të cilit Arabia Saudike i ndan vizat për haxh është ky. Në Konferencën e vendeve islamike ka 57 vende anëtare prej të cilave në haxh shkojnë rreth 70.000 besimtarë. Medota sipas të cilës ndahen vizat është në çdo 100.000 myslimanë ndahen nga 1.000 viza. Për vendet që nuk janë anëtare të Konferencës zbatohet një metodologji tjetër, e në atë grup është edhe Maqedonia. Bëhet fjalë për vendet ku popullata myslimane nuk është shumicë dhe për ato vende vizat ndahen nëpërmjet kuotave, sipas përqindjes së përfaqësimit të popullatës me besim islam. Maqedonisë, sipas përfaqësimit të popullatës me besim islam, gjegjësisht nëse merren parasysh rezultatet e fundit të regjistrimit të vitit 2002, do t’i takonin deri në 800 viza. Arabia Saudike, Maqedonisë i ndan prej 1.200 deri në mbi 2.000 viza pa pagesë. Mirëpo, rrallë herë shfrytëzohen të gjitha këto viza nga ana e besimtarëve që shkojnë në haxh nëpërmjet BFI-së, e cila drejpërdrejt bën negociata për miratimin e tyre. Negociatat për marrjen e vizave zakonisht i udhëheq vetë udhëheqësi i BFI-së, gjegjësisht reis-ul-ulemaja Sulejman efendi Rexhepi. Ai në bisedat me Ministrinë për haxh të Arabisë Saudike i prezanton treguesit për përfaqësimin e popullatës myslimane në vend, mirëpo sipas njohësve të problematikës, mbetet e hapur çështja se në bazë të cilave matje (pa regjistrim të mbajtur tashmë 12 vite) prezantohen të dhënat për numrin e popullatës muslimane. Çështja e dytë se çka ndodh me vizat e pashfrytëzuara.

“Tani neve na ndodh keqpërdorimi edhe i besimit të shtetit ndaj BFI-së edhe i besimit të Arabisë Saudike ndah BFI-së. Konsideroj se me mënyrën aktuale të ndarjes së vizave, ne kemi organizim të dyfishtë të haxhit. Në rastin e parë, ajo është BFI-ja së bashku me muftinitë e saj, për të cilën haxhinjtë këtë vit duhet të paguajnë 3.200 euro ku janë përfshirë edhe viza dalëse dhe ajo hyrëse, transporti deri në Arabinë Saudike dhe brenda saj, vaksinimi dhe vendosja në hotel. Në rastin e dytë si organizatorë janë agjencitë turistike. Sipas informatave, BFI-ja në mënyrë të drejtpërdrejtë organizon rreth 550 haxhinj, ndërsa numri tjetër janë të organizuar nëpërmjet agjencive, të cilat vizat përsëri i marrin nëpërmjet BFI-së. Agjencitë njoftojnë se organizojnë shkuarje në haxh, i regjistrojnë haxhinjtë dhe përsëri lista përfundon në BFI. Për këtë gjë, agjencitë duhet të paguajnë një shumë të caktuar” – thotë hoxha Muhamer Vejseli.

Sipas tij, “sa do të mirë të jenë ligjet dhe sa do që të ofrojnë zgjidhje, nëse udhëheqësit fetarë nuk e kanë ndjenjën e përgjegjësisë dhe të moralit, atëherë ato zgjidhje ligjore mund edhe të keqpërdoren. Ligji aktual është i mirë, mirëpo mosrespektimi i tij eventual e hap edhe çështjen për atë se a funksionon sistemi i kontrollit. Organet kompetente duhet të verifikojnë se si qarkullojnë paratë në relacion agjenci – BFI” – konsideron hoxha Vejseli.

Cili është qëndrimi i BFI-së?

Nuk janë të sakta akuzat se Bashkësia Fetare Islame kërkon që të paguhen vizat për shkuarje në haxh në Arabinë Saudike, e as se vizat që mbeten të pashfrytëzuara i shiten ndonjë vendi tjetër. Këtë për “Portalb”-in e thotë sekretari i BFI-së, Afrim Tahiri.
“As vizat dalëse e as vizat e haxhit për në Arabinë Saudike nuk i paguhen BFI-së. Ato janë pa pagesë, ne marrim para vetëm për pjesën e procedurave administrative për marrjen e këtyre vizave. Në të gjitha shërbimet, organizimi i gjithë adhurimit fetar, duhet të paguhen edhe njerëzit që i udhëheqin grupet e haxhinjve, BFI-ja është e obliguar që ta organizojë dhe ta realizojë gjithë procedurën, prej marrjes së vizave e deri te marrja e pasaportave, transporti, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij. Harxhime ka edhe për taksat që paguhen në hyrje të Arabisë Saudike. Kështu, nëse shkohet nëpër rrugë tokësore paguhet nga 100 euro për haxhi, ndërsa nëpër rrugë ajrore taksa është 210 еuro” – thotë sekretari i BFI-së, Tahiri.
Nuk tregon se sa kushtojnë procedurat administrative, e as sa para nga shuma e përgjithshme prej 3.200 еurosh, që e paguan çdo haxhi, mbeten pastër për BFI-në. Ai thotë se haxhinjtë i paguajnë edhe vaksinat nga 50 euro, mirëpo thotë se bëhet fjalë për pagesë të shërbimit të vaksinimit.

“Çdo shërbim paguhet, çdo muftini ka për obligim ta zbatojë procedurën. Është se saktë se paguhet edhe pjesa që ka të bëjë me vaksinat. Është e saktë se ato janë pa pagesë, gjegjësisht janë donacion i BFI-së së Turqisë, mirëpo edhe këto paguhet shërbimi e jo vaksina. Poashtu, BFI-ja siguron edhe ushqim për haxhinjtë, i cili kushton 200 euro për haxhi. A mbetet diçka nga gjithë kjo shumë për BFI-në, unë nuk jam kompetent të flas, mirëpo e gjithë procedura është transparente” – thotë Tahiri.
Mohon se vizat e pashfrytëzuara u shiten vendeve të tjera, dhe thotë se e gjithë kjo është e pamundur për shkak se e gjithë procedura realizohet në mënyrë elektronike.
“Nuk ka gjasa që të bëhet biznes me vizat e pashfrytëzuara” – thotë Tahiri dhe shton: “Procedura për organizimin e këtij udhëtimit të shenjtë fetar është sipas ligjeve dhe transparente” – vlerëson sekretari i BFI-së. Këtë vit kuota për besimtarët nga Maqedonia është 1.600 viza. Në krahasim me vitin e kaluar, interesimi sivjet është dukshëm më i madh, mirëpo numri përfundimtar, siç thonë nga BFI-ja do të dihet së shpejti. Gjatë haxhit, sipas mediave të huaja, Arabia Saudike pret të hyra prej 8,5 miliardë dollarësh.

Lajme të ngjashme

Back to top button