Meha: Do ti shënoj Serbisë, duam fitore

Alban Meha pret me padurim 14 tetorin, ditën kur Shqipëria do të luajë në Beograd kundër Serbisë. Tre ditë përpara ndeshjes në Beograd, kuqezinjtë do të luajnë në ‘Elbasan Arena’ kundër Danimarkës.

Duke folur për gazetën ‘Sport Plus’ fantazisti kuqezi që luan në Bundesligë me Paderbornin, ka folur për rikthimin nga dëmtimi, fitoren e kuqezinjve ndaj Portugalisë dhe ndeshjen e shumëpritur kundër Serbisë.

“Pas një dëmtimi që kam pasur që më ka detyruar të qëndrroj jashtë fushe për një kohë jo të shkurtër, unë tani jam kthyer dhe jam duke u stërvitur me skuadrën time. Po ndihem shumë mirë në stërvitje dhe gjithçka po ecën sipas parashikimeve. Nëse eci me këtë ritëm, atëherë pas dy javësh do të jem i gatshëm të ndihmoj Paderbornin dhe Shqipërinë në ndeshjet e ardhshme”. Mesfushori nga Mitrovica është ndjerë keq gjatë ndeshjes Portugali-Shqipëri, për faktin se e ka ndjekur nga televizioni dhe nuk ka pasur mundësi të ndihmoj skuadrën. “Unë kam dashur që të luaj që në fillim të kampionatit me Paderbornin por nuk kam mundur për shkak dëmtimi. Po ashtu kam dashur shumë që të ndihmoja Shqipërinë ndaj Portugalisë, por nuk ishte e mundur. Jam gëzuar shumë që skuadra ka fituar kundër portugezëve. Ka qënë një fitore e madhe, një natë e paharrueshme, për të gjithë shqiptarët”.

Parësore për Mehën është fitorja kundër Serbisë, ndeshje për të cilën ai deklaron se do të jetë 100% i gatshëm. Por ai dëshiron diçka më shumë. “Do të jem gati kundër Serbisë, dua të jem me çdo kusht në atë ndeshje. Vetëm shpresoj që të mos kem dëmtime të tjera. Shumë e rëndësishme për ne është të fitojmë. Nuk ka rëndësi se kush e shënon golin, është e kuptueshme që unë do doja të shënoja gol me goditje dënimi. Nëse do të më jepet mundësia do ta provoj dhe besoj se do të arrij të shënoj”, ka përfunduar komentin e tij 28 vjeçari kuqezi. Meha ka luajtur me Shqipërinë në 6 ndeshje, duke arritur të shënojë dy supergola ndaj Lituanisë dhe Maltës.

Lajme të ngjashme

Back to top button