Profesorët kërkojnë mbrojtje të gjuhës shqipe, USHT indiferente ndaj kritikave

Universiteti Shtetëror i Tetovës vazhdon të qëndrojë indiferente ndaj kritikave në adresë të saj, për shtrembërimin dhe keqtrajtimin e gjuhës shqipe. E përderisa USHT-ja hesht, vazhdojnë reagimet nga profesorë eminent të gjuhës, që kërkojnë përdorim dhe kultivim të drejtë të shqipes nga të gjitha institucionet, sidomos ato arsimore. Profesori Asllan Hamiti vlerëson se gafe të tilla si letra e USHT-së, janë pasqyrë e cilësisë së dobët e arsimit shqip në përgjithësi në Maqedoni. Ai vlerëson se një ligj ndëshkues për mbrojtjen e gjuhës shqipe mund të ndikonte në përmirësimin e ndërgjegjes së institucioneve, transmeton Alsat.

“Në nivel të Maqedonisë duhet të kemi një ligj për mbrojtjen e shqipes, ta quajmë një ligj ndëshkues, ashtu siç e ka edhe maqedonishtja, që të ndëshkohen ata të cilët nuk e përdorin siç duhet shqipen. Por nga ana tjetër, mund të merren edhe masa të tjera përmirësuese, ose masa të tjera që niveli i përgjithshëm i shkollimit të përmirësohet. Kjo është një pasqyrë e nivelit ose cilësisë së dobët në arsim. Po të kishim një arsim të mirë cilësor, duke përfshirë të gjitha shkallët, atëherë më siguri se do të kemi më pak probleme në përdorimin e shqipes”, tha Asllan Hamiti, profesor.

Edhe profesoresha Valbona Toska Nesimi shprehet mbi nevojën e ligjit të posaçëm për mbrojtjen e shqipes. Faktor tjetër për këto shtrembërime, sipas Nesimit, është edhe kultura shumë e ulët gjuhësore.

“Është kultura gjuhësore, apo më saktë niveli i kulturës gjuhësore, në përdorimin publik të gjuhës shqipe. Mos-përkufizimi i saktë i statusit të saj dhe mos-mbrojtja me ligj e gjuhës shqipe, prodhon probleme në zbatimin e normës. Derisa nuk kemi një disiplinë gjuhësore, që do të jetë pjesë përbërëse e disiplinës shtetërore, na ngelet vetëm të punojmë sipas ndërgjegjes dhe vetëdijes sonë”, u shpreh Valbona Toska – Nesimi, profesor.

Profesorët kërkojnë që të ndiqet shembulli i ligjit për mbrojtjen e gjuhës maqedonase, që parashikon gjoba deri 200 mijë denarë për personat juridik që publikojnë dokumente të shkruara të pa lekturuara. Reagimet e profesorëve vijnë pas publikimit të një dokumenti nga USHT-ja që i bënte thirrje studentëve të paguajnë nga 100 denarë për unionin studentor, por që ishte shkruar me dhjetëra gabime gjuhësore. Gabime të tilla janë hasur edhe më parë, por askush deri më tani nuk ka dhënë llogari.

Lajme të ngjashme

Back to top button