Arsimtarët në grevë të përgjithshme më 29 shtator

Pas tentativës së pasuksesshme për dialog me Ministrinë e Arsimit për rritjen e pagave dhe marrëveshjes kolektive, Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë shpalli sot grevë të përgjithshme të punonjësve në arsimin parashkollor, arsimin fillor, të mesëm dhe në kulturë. Greva do të fillojë më 29 shtator, ndërsa do të zgjasë për aq kohë sa nuk pranohen kërkesat e SASHK-ut. Sindikata pret që grevës t’i bashkëngjiten 30 mijë punonjës, anëtarë të kësaj sindikate, transmeton Alsat.

“Prej 488 organizatave sindikale që janë shprehur se a e përkrahin nismën për grevë të përgjithshme, pozitivisht janë përgjigjur 425 organizata sindikale, ose 87% prej të numrit të përgjithshëm”, tha Jakim Nedelkov, Kryetar i SASHK-ut.

Për pjesën tjetër të anëtarëve të saj, që nuk kanë përkrahur grevën, Nedellkov tha se kanë qenë nën presion të tmerrshëm të faktorëve të ndryshëm, për të kundërshtuar nismën që ka qëllim të vetëm përmirësimin e kushteve për këta punonjës.

“Presionet fillojnë nga drejtorët, qeverisja lokale, deri tek të fortit e partive politike. Është evidente se ka presione, sepse nuk mund të mos përkrahni kërkesa sociale. Si mund të mos dëshironi të ju rritet paga, të mos dëshironi të keni siguri më të madhe në vendin e punës”, u shpreh Jakim Nedelkov, Kryetar i SASHK-ut.

Nedellkov theksoi gjithashtu se pavarësisht ndryshimit të Ligjit për arsim fillor dhe të mesëm, nuk pret që Ministria e Arsimit të gjejë zëvendësues për arsimtarët grevistë. Ai vlerëson se Ministria nuk mund të gjejë brenda natës dhjetëra mijëra arsimtarë. Arsye tjetër, sipas SASHK-ut, është edhe pengesa ligjore që pamundëson agjencitë për ndërmjetësimin e punësimeve të përkohshme, të ndërmjetësojnë zëvendësime të kuadrove që janë në grevë.

Lajme të ngjashme

Back to top button