Populli pa hyqymet, si ustai pa alet

Përkundër asaj se titulli me kaq fjalë arkaike mund të duket si ndonjë fjali e urtë popullore, e thënë në ndonjë kohë të lashtë, ky titull mbetet vetëm një sintagmë për të shprehur aktualitetin tonë.

Ndoshta ende duhet përmendur lashtësitë dhe të kaluarën për të kuptuar deri në fund se si përkundër krejt përpjekjeve shqiptarët e Maqedonisë qeverisjen ende e dinë të huaj, po aq sa fjalën hyqymet. Si përkundër gjithë atyre përpjekjeve në shqip; me themelimin e sa e sa partive politike, universitetit dhe bile edhe të një ushtrie në vitin 2001, përmendjes të aq fjalëve shqip për qeverisje, rregullim dhe sundim, ende fjalët më të sakta për të sqaruar marrëdhënien e qytetarëve shqiptarë me shtetin dhe pushtetin mbeten: “hyqymeti” dhe “dërzhava”?!

Për të gjetur krejt shkaqet e kësaj do duhej të merremi më gjatë me historinë, pak me atë të largët më shumë me atë të afërt, të shqiptarëve këtu, por siç është thënë moti: historia të bën më të mençur, por jo edhe më pak të mërzitur.

Duket se edhe nëse do shtjellonim krejt shkaqet e kësaj gjendjeje ajo nuk do ndryshonte asgjë nga konstatimi i hidhur, se përkundër krejt tentimeve për qeverisje, vetëqeverisje, politikë dhe artikulim shoqëror, ne sot; merremi me emërtimin shqip të shkollave fillore, funksionarë politik të zgjedhur nga vota e populli sillen dhe flasin vetëm si administratorë shtetërorë, ende kryesitë e partive caktojnë degët e tyre dhe jo anasjelltas (siç duhej të ishte edhe nëse partitë tona do pretendonin vetëm shkronjën D nga akronimet e tyre) dhe vendimet më të mëdha politike në lidhje me institucionet qeverisëse merren në restorante ose lobi të hoteleve!

Mërzia nga ky konstatim nuk është vetëm gjendje emocionale, por ka pasoja praktike të përditshme që burojnë nga disproporcionaliteti mes asaj se sa pak qeverisim e sa shumë sundohemi. Kjo pasi në ndërkohë përballë qytetarit ka një aparat shtetëror, i uzurpuar nga një grup i ngushtë, i cili vazhdon të aplikon ligje të sjella pa input politik të qytetarëve, vjel tatime dhe gjoba, hyn në borxh në emër të atyre qytetarëve dhe gjeneratave të ardhshme, bile edhe ndan padrejtësi në saje të një drejtësie që thirret në emër të po atyre qytetarëve.

Pasojat nga vazhdimi i aplikimit të kësaj skeme janë më se evidente për krejt qytetarët në shtimin e varfërisë, padrejtësisë si dhe mospasjen e një perspektive të ardhshme për shtetin dhe qytetarët. Kurse krejt kjo padrejtësi në vazhdim sjell huajësim të qytetarit ndaj institucioneve dhe shtetit që përfundon me emigrim, armiqësi dhe jetë të mundimshme.

Mandej qytetari duke mos patë mjet duhet të bëjë politikë vet ndaj institucioneve për të kryer edhe nevojat e veta elementare jetësore. Bile edhe ato më banalet si ujë, ajër dhe rrugë të pastër.

Kjo pastaj, përveç mundit të panevojshëm e shton edhe mllefin, mu si në shembullin e ndonjë punëtori i cili ka materialin e duhur, e din punën, por ja që nuk ka mjet për të ndrequr ndonjë çështje.

Ashtu popullit, siç mund të shohim shpesh në Maqedoni, i mbetet që vet me duar të thata dhe me gjoks, t’i duhet të heq pengesat dhe të shtyn para proceset të cilat që moti dhe lehtë do duhej të ishin të apsolvuara nëse do i kishte në dispozicion mjetet e duhura.

Kjo skemë sundimi e instaluar me hile politike mund të zhbëhet vetëm me artikulim politik dhe assesi duke mbetur qytetari i paartikuluar politikisht. Andaj në këtë vend edhe dhuna edhe protestat, e edhe çdo formë mosbindje e rebelim pa një artikulim politik përfundon si ndonjë operë pa muzikë. Mund të jetë interesante ose edhe të zgjatë, por është e mangët për tu quajtur operë dhe mbetet vetëm një piskamë.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Eh zotni Ramadan, larg e ka Rexha shpiën. Kan qen disa shok e ndër ata na paska qen edhe njëri që e paska pasë emrin Rexh. E një dit njeri prej atyre thot a shkojm ta vizitojm Rexhën, e tjetri thot kush shkon deri te Rexha, edhe një dit tjetër prap thon që të vizitojnë Rexhën prap e njeta përgjigjëje kush shkon deri te Rexha. Të tretën her kur thot i njejti për vizit të Rexhës, ce lajmi se Rexha na qenka sëmuar, e të gjith një zëri hajt ma shpejt të vizitojmë shokun ton, sa marin rugën për vizit, kur tjetri thot se Rexha e paska afër shtëpinë, por ma herët ata skan desht me vizitua Rexhën e prandaj skan mun me xhet shtëpin e Rexhës, e ai i shkreti jo vetëm që ishtë sëmuar por edhe kishtë ndruar jet.

    Paqa dhe mëshira e zotit qoftë mbi ne.

Back to top button