Kozniku nesër debuton me Shkëndijën

Futbollistët ‘kuqezi’ mezi presin duelin e xhiros së 7-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë, kur në Tetovë presin Sileksin e Kratovës. Liga e Parë kthehet në program pas dy javëve pushim si pasojë e startit te kualifikimeve për EURO 2016, ndërsa Shkëndija këtë periudhë e ka shfrytëzuar maksimalisht për përgatitje cilësore dhe adaptim me shefin e ri të stafit tekik, Ardian Kozniku. Kosovari me pasaportë kroate beson fuqishëm në ekipin e tij, ndërsa pret mbështetje të madhe nga publiku.

“Tani më disa ditë jam duke stërvitur ekipin e Shkëndijës. Për mua është një sfidë e re, shof se këtu ka një organizim mjaft i mirë, kemi futbollistë shumë të ri dhe shpresojmë në suksese. Besoj se si unë, ashtu edhe lojtarët e presim me padurim ndeshjen e së dielës dhe normal që presim edhe përkrahjen e shikuesve të cilët kanë qenë gjithmonë pranë Shkëndijës. Kemi futbollistë të rinj dhe u duhet mbështetje. Ajo që unë mund të premtoj është se ekipi është i përgatitur 100%, se do të japim maksimumin dhe të mbesin pikët këtu në Tetovë”, deklaroi shefi i stafit teknik i KF Shkëndija, Ardian Kozniku.

Pas largimit të Roy Ferençinas, me trajner tjetër futbollistët janë të bindur për të shënuar një start të ri dhe shpresohet që gabimet e 6-të xhirove paraprake mos të përsëriten. Skuadra ka punuar mirë gjatë gjithë javës dhe impakti pozitiv tani pritet të bartet në lojë. Sileksi respektohet maksimalisht, fakti që nuk kanë pësuar në 6-të ndeshjet e para tregon se bëhet fjalë për skuadër cilësore, mirëpo gjithsesi se besohet që ekipi nga Kratova në Tetovë do të përjetojë humbjen e parë. Përballja Shkëndija-Sileksi luhet të dielën në stadiumin e Qytetit në Tetovë, me fillim në orën 16:00. 

Lajme të ngjashme

Back to top button