Në Maqedoni nuk ka më liri!

Edhe pse raporte të ndryshme nga institucione relevante ndërkombëtare kanë shënuar trende shqetësues për zhvillimet në Maqedoni në lidhje me të drejtat e njeriut e sidomos me lirinë e shprehjes, tek ne përveç disa reagimeve sporadike nga aktivistë dhe OJQ, asnjë parti politike shqiptare dhe politikan nuk ka shpreh qëndrim publik për këto tendenca që gradualisht brejnë lirinë e qytetarëve të Maqedonisë.

Tkurrja e lirisë kalon padukshëm dhe pa u vërejtur, heshturash dhe pa rezistencë qytetarët në Maqedoni privohen gradualisht nga të drejtat e tyre. Të fillojmë nga liria e të shprehurit, fillon me auto-censurë, vullnetarisht, pa mos e kërkuar askush, qytetarët, gazetarët, aktivistët (fatmirësisht me përjashtime) fillojnë të mos shkruajnë e të mos shprehen kritikë ndaj dukurive devijante në shoqëri që të mos “hidhërojnë” dike në pozitë apo thjesht nga frika, për të mos humbur komoditetin aktual në të cilin gjenden dhe duke shpresuar se ndoshta do të kaloje vetvetiu. Fatkeqësisht nuk kalon asgjë vetvetiu, por vazhdon dhe bëhet më keq. 

Më tej, mediet u nënshtrohen një presioni të jashtëzakonshëm ekonomik dhe politik, me çka detyrohen të bien nën kontroll të pushtetit. Në këtë mënyrë në Maqedoni, as që ka mbetur ndonjë medium tradicional (TV dhe radio) që nuk është i ndikuar nga pushteti, dhe që në një mënyrë apo në tjetrën nuk është bërë pjesë e makinerisë propagandistike të pushtetit me qëllim shpëlarjen e trurit të qytetarit. Ata të cilit bëjnë rezistencë e pësojnë, disa me burg, disa me dënime të larta e disa të tjerë me likuidim. Që kontrolli të futet në korniza legale, në përgatitje është edhe Ligji për media i cili kanos seriozisht lirinë e shprehjes dhe do të vë dorë edhe në hapësirën e fundit të lirë – internetin.

Ndërkohë, pushteti nuk jep më llogari për veprimet dhe vendimet e veta, informatat të cilat duhet të jenë publike bëhen të pa-qasshme ose jo të plota dhe jo të sakta. Korrupsioni pranohet si normë, ndërsa qytetarët nuk informohen dhe nuk konsultohen për asgjë. Simulohen kinse konsultime me grupe të kontrolluara dhe promovohen qasje legaliste, por ku zbatimi i drejtësisë mbetet selektiv. Instalohet bindja e një demokracie të cunguar se me fitimin e zgjedhjeve pushteti fiton dhe legjitimitet të pafund dhe se deri në zgjedhjet e ardhshme nuk ka nevojë për llogari-dhënie. Heshtja është ende më shqetësuese tek ne shqiptarët, sikur proceset dhe dukuritë negative nuk kanë të bëjnë me qytetarin shqiptar të Maqedonisë. Nuk ekziston vetëdija se ligjet dhe vendimet e pushtetit, si atij qendror ashtu edhe atij lokal, ndikojnë direkt në kualitetin e jetës së tyre.

Zbatimi selektiv i drejtësisë ngulfat dhe frikëson çdo orvatje për kritikë dhe mendim ndryshe. Qytetarët janë të frikësuar, janë të varfëruar dhe kërkesat e një pjese të madhe të tyre kufizohet me të qenit në punë dhe i sigurt. Nevojat tjera janë shndërruar në luks. Nevoja për arsim kualitativ, për kulturë, për liri të shprehjes, për mendim kritik, për infrastrukturë të mirëfilltë, të gjitha këta janë tani më në kategorinë e nevojave dhe kërkesave luksoze.

Aty-këtu ndonjë intelektual bëzan me ndonjë kolumnë apo status në rrjetet sociale, Facebook dhe Twitter, të tjerët rrinë të dekurajuar dhe presin tjetri të marr bajrakun e lirisë. Disa të tjerë me guxim arrogant të ushqyer me ambicie të bazuara jo në përmirësimin e gjendjes por në mendjemadhësi dhe në parimin, “pse ai e jo unë” mundohen të tërheqin vëmendjen e qytetarëve dhe diplomatëve të huaj pa ndonjë masë kritike që i përkrah dhe e cila do ishte e nevojshme për të shkaktuar ndryshim kualitativ.

Numri i OJQ-ve të cilat mundohen me projekte konkrete dhe analiza të tregojnë qartë shtrembërimet në zhvillimin e shoqërisë në Maqedoni është zvogëluar dhe puna e tyre nuk përfillet ose relativizohet nga pushteti duke i diskredituar dhe etiketuar si “armiq të shtetit”, por dhe duke formuar OJQ dhe grupe qytetarësh të cilit i përkrahin politikat e shtetit. Propaganda, mënyra autokrate e qeverisjes dhe demokracia e shfytyruar, bën të pranueshme për qytetarin se askush nuk ka drejtë të kritikoje pushtetin, se ai gjithmonë ka të drejtë dhe e din më mirë se të gjithë, madje edhe më mirë se edhe vet qytetarët, se çfarë është e dobishme për ta.
Është krijuar një cikël vicioz që ushqehet me metoda populiste dhe që zmbraps demokracinë në Maqedoni. BE dhe NATO që gjatë kohë përdoreshin herë si “karotë” e herë si “shkop”..për të ndikuar dhe për të përmirësuar sado pak proceset në Maqedoni, tani më nuk kanë asnjë ndikim. 

Mbetet të organizohemi vet, të krijojmë masë kritike që do të kërkojë atë që u takon qytetarëve- liri dhe mirëqenie. Prandaj, të punojmë, të krijojmë aleatë, të inkurajojmë mikun, bashkëqytetarin, kolegun të ngremë zërin, të kërkojmë dhe të marrim atë që është uzurpuar nga partitë politike. Hapësirën publike. Lirinë. Se në Maqedoni nuk ka më liri tjetër veçse lirisë së heshtjes.

Si përfundim një thënie nga filmi Braveheart (1995) me Mel Gibson në rolin e William Wallace:

Ka një dallim mes nesh. Ju mendoni se njerëzit e këtij vendi ekzistojnë për të ju siguruar juve pozitë. Unë mendoj se pozita juaj ekziston për t’ju siguruar këtyre njerëzve liri.

Dhe një dialog nga i njëjti film:

William Wallace: Unë jam William Wallace! Dhe shoh një ushtri të tërë bashkatdhetarësh, këtu duke ju kundërvënë tiranisë. Keni ardhur për të luftuar si njerëz të lirë … dhe njerëz të lirë jeni. Çfarë do të bëni me këtë liri? A do të luftoni?

Veterani: Luftë? Kundër kujt? Jo! Ne do të ikim. Dhe do të mbetemi gjallë.

William Wallace: Po, luftoni dhe mund të vdisni. Ikni, dhe do të mbeteni gjallë … të paktën për një kohë. Dhe do të vdisni në shtretërit tuaj, pas shumë viteve, a jeni në gjendje të këmbeni gjithë ata ditë prej sot e deri në vdekje, me këtë ditë të sotme, për një mundësi, një mundësi të vetme, të ktheheni këtu dhe t’ju tregoni armiqve tanë, që ata mund të na e marrin jetën, por ata kurrë nuk do të na e marrin… LIRINË!

Shkruan: Jeta Bardhi

Lajme të ngjashme

Back to top button