Dëbohet nga Zvicra kosovari që mashtroi autoritetet zvicerane

Një kosovar është përzënë nga Zvicra, pasi kishte mashtruar autoritetet zvicerane duke mos treguar se kishte familje paralele në Kosovë, gruan dhe dy fëmijë.

Kosovari, sot 38 vjeçar, është martuar në vitin 2005 me një kosovare që kishte “letrat” (lejen e qëndrimit) në Zvicër. Me këtë edhe ai ka fituar lejen për qëndrim legal në këtë vend. Por në vitin 2009 kosovari shkurorëzohet nga gruaja me të cilën nuk kishte fëmijë. Por, pasi që ka jetuar së paku pesë vjet në Zvicër me bashkëshorten që kishte lejen e përhershme (Vizën C) ai kishte të drejtë të qëndrimit të mëtejshëm. Mirëpo, dy vite më vonë kosovari kurorëzohet me një grua në Kosovë. Pas dy muajsh e bën kërkesën për ta sjellë atë bashkë me dy fëmijët në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Por kësaj here atij i hasë sharra në gozhdë. Fëmijët të cilët gruaja e tij “e dytë” do t`i sillte në Zvicër ishin fëmijë të përbashkët. I pari kishte lindur në vitin 2005, në kohën kur protagonisti ishte i martuar me gruan “e parë” ndërsa i dyti në vitin 2009, në vitin kur ky ishte shkurorëzuar. Për më tepër, kosovari ishte martuar (jo zyrtarisht por sipas mënyrës tradicionale) me gruan në Kosovë, në vitin 2005, dy muaj pas lindjes së fëmijës së parë.

Këtë situatë e pranon tashmë jo vetëm gruaja në fjalë dhe bashkëshorti i saj, Edhe Ambasada e Zvicrës në Kosovë, e pyetur nga gazeta “Aargauer Zeitung” e ka konfirmuar gjendjen e përshkruar më lartë.

Si rezultat, Zyra Kantonal për Migracion në Kantonin Aargau në tetor të vitit 2012 ia ka mohuar 38 vjeçarit vazhdimin e lejes së qëndrimit në Zvicër. Arsyetim për këtë ka qenë fakti se ai jo vetëm që nuk i ka informuar autoritetet për ekzistimin e familjes paralele në Kosovë por madje edhe i ka gënjyer ato, Ai ka pohuar shprehimisht se nuk ka fëmijë në Kosovë.

Gjykata Administrative e kantonit e ka hedhur poshtë në nëntor të vitit 2013 ankesën e tij. Të njëjtën gjë e ka bërë së fundi edhe Gjykata Federale e Zvicrës me vendimin më të ri,të publikuar këto ditë.

Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse gruaja me të cilën ai ishte martuar në Zvicër (dhe i kishte fituar “letrat”) ishte martuar me të në mënyrë fiktive ose jo. Këtë e lë të hapur si Gjykata Federale ashtu edhe gjykata e shkallës së parë. Cila do që të ketë qenë e vërteta, kosovari 38 vjeçar nuk do t`i shpëtonte dëbimit nga Zvicra.

Lajme të ngjashme

Back to top button