Remineshenca

Raportet cilësore njohin vetëm presje, jo pika…ta japin ndjesinë e natyrshmërisë dhe afërsisë pavarësisht sa kanë kaluar muaj, vite, ose bile dekadë..e kalojnë me sukses testin e kohës, atë parametër preciz që përcakton cilësinë dhe jetëgjatësinë e marrëdhënieve ndërmjet njerëzve…

Të tilla janë, për shembull, miqësitë e nisura në bangat e shkollës.

Takimet me shokët e gjeneratës përherë kanë pak kthim në të kaluarën: çka ndodhte në klasë, në oborrin e Zef Lush Markut ku shijoheshin cigaret e para, shikimet e para si vjedhurazi, vardisjet…pushtimet e para të Lirisë. Shumica prej nesh jetonim në këtë anë të Vardarit dhe deri në gjimnaz shkoheshte me së paku një bus. Pritja e busit për shtëpi kishte kodet e veta: nxënësit më të urtë prisnin tek stacioni ndanë objektit të shkollës, kurse grupi tjetër më i shumënumërt, më i zhurmshëm bënte një copë udhë deri te “8-ti”. Atje i kishim krejt kushtet: dyqane të vogla, parkun ku bënim piknik me ato pak çka blenim, ulëset dhe disa si qoshe për mëkatet e para larg syve të tjerëve…Rregulli kryesor tek “8-shi” ishte mos të  hypim në busin e parë, nuk aprovohej prej tjerëve. Rregulli tjetër: të flasim njëzëri, të qeshemi lirshëm, të hypim në bus duke e shtyrë dhe shpotitur njëri-tjetrin, pa sens elementar për të tjerët, ama edhe mirleti atëherë nuk ishte aq nervoz dhe nuk i pengonte hareja e zhurmshme…Sot nëse je i disponuar apo qeshesh “nga brenda” mund të evidentohesh si i dyshimtë, ose i ndikuar nga substancat…

Përgjithësisht, koha jonë e gjimnazit ishte më relax, anise disa lajme që ndjellnin trazira kishin nisur të vinin nga republikat tjera…Kishim fat dhe si brezi i fundit jugosllav u nisëm nëpër atdheun akoma të përbashkët, një javë që ende e kujtojmë, kulmi i miqësimit dhe lirisë…

Nata e parë e pushtimit ishte Avalla, një mal historik me një përmendore të njohur nga LNÇ-ja, afër Beogradit. Kryeqytetin open-minded të shtetit komunist e kisha të njohur nga më herët pasi Tahiri më merrte me vete kur shkonte në mbledhjet e fundvitit në Kuvendin Federativ: i dija teatrot, sallat e kinemave, galeritë ndanë arteries kryesore të qytetit Knjaz Mihaillova, ndonjë restoran tek-tuk se kryesisht drekonim në bufenë e Kuvendit në përdhesë: rrotull i shihja burrështetasit e njohur nga televizioni, “aman mos më prezanto para tyre” i thoja babës me turp dhe kisha siklet nëse dikush prej tyre afrohej te tavolina jonë me pyetjet e zakonshme kur takon një fëmijë.

Në Beograd ndenjëm pak orë, ashtu më kujtohet dhe vazhduam për qytetin më të dashur për të gjithë. Pjesën më të madhe të kohës e kaluam në Bash Çarshinë e cila me tamam e meritonte emrin. Zaten Çarshitë janë krye-vendi i çdo qyteti, aty ku jeta pulson në mënyrën më tradicionale pasi moderna, sado e bukur të jetë, parimisht ende nuk ka hyrë në testimin e kohës dhe do-s’do krijon një, të themi, dozë dyshimi. Më kujtohet si sot: dyqanet e vogla me ulëset e drunjta para, kafenetë me rok-muzikë apo “sevdalinka”, qebapet të skuqura mirë edhe brenda me çka dallohen prej qebapeve në vendet tjera, dreka kolektive me sogan-dollma (qepë të mbushura) dhe për desert tufahijet e famshme.. Aty na e treguan, mes tjerash, rrëfimin për Gazi Husref beun, nipin e Sulltan Bajazitit II që kishte ndërtuar tërë gamën e objekteve të atëhershme: medrese, bibliotekë, xhami, hamam, disa hane, bezisten, sahat kullë..

Pas Sarajevës udhëtuam deri te Liqenet e Plitvicës të cilat derdheshin me hijeshi njëra mbi tjetrën…mandej deri lartë te liqeni i Bledit dhe shpella e Postojnës: kufiri me Slloveninë ishte si lumi i Stiksit, matanë një botë krejt tjetër, me pastërtinë, organizimin dhe oraret perfekte sllovene.

Vazhduam të zbresim teposhtë Adriatikut, me pauza në ato qytezat e vogla me rrugica me kalldërm, shtëpi prej gurri,  “konoba” kroate me erë të mirë nga kuzhinat, më kujtohet shija e buzarës: si lloj gullashi me fruta deti që, fatmirësisht për ne, kishte humbur erën e “shpifur” të detit… Dalmacia e tërë kundërmonte nga ca bimë me lule të imta të verdhema, gjithandej aroma e tyre e ëmbël…

Krejt super, ama kishte diçka në ajër: si një ditë me diell të fortë që sikur paralajmëron shiun dhe murmurimat, diçka e dyshimtë prej “lartë” kurse “lartë” nënkuptonte kryesisht Beogradin, ndihej në ajër stuhia, druanim bile edhe ta emërtojmë…

Ndonjëherë rrallë, pasi shumë vite kanë kaluar ndërkohë, kur i rikthehemi ekskurzionit rregullisht më kujtohen skenat përmbyllëse të filmit “Para shiut”, hem bukuri hem tension.

Pak a shumë si vetë jeta.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Me fascinon me mjeshtrin ,pershkrimin e avanturave dhe perjetimeve duke rrefyer me shume nostelgji kohen me te
    lakmuar do te thosha ,e I them vehtes tash po filloj t”ju njoh me mire zonje e nderuar! Eshte kenaqesi te jetosh ne boten e magjishme te artit ,jane sy largpames .ju pershendes!

Back to top button