Edhe meshkujt kane ndjenja

Ishte nata e tretë që zgjohesha me kokëdhembje. Nuk flija fare. Kësaj radhe nuk kisha pirë kafe e as çaj ose ndonjë pije freskuese më tepër sesa zakonisht. Megjithëkëtë, koka më ishte bërë njëqind tonelatëshe. Trupi mezi lëvizte përpjetë derisa as që mendoja ta ngritja në këmbë. Çdo pjesë e trupit refuzonte të lëvizte, refuzonte të ngrihej. Ndihesha thuaja krejt brengat e kësaj dynjaje ishin aty, në mua. Më dukej që kisha rënë në dashuri.Nuk jam i sigurt që kafeja dhe caji ndihmojnë në tejkalimin e kësaj situate. Nuk jam i sigurt nëse edhe ballafaqimi me te ndihmon në tejkalimin e kësaj situate. Ajo e para e zbut kokëdhembjen, por kjo e dyta është për së koti.

Situata kur një mashkull dhe femër ballafaqohen e flasin për dashuri, është e paimagjinueshme. Bile, është edhe e papërshkrueshme. Ende nuk kam hasur ndonjë vepër, roman ose edhe ndonjë tregim sado të shkurtë ku përshkruhet sado një dialog ose ballafaqim i vogël i dy personave të dashuruar. Nuk po flas këtu për dialogun “unë të dua e ti më do dhe hajt të bëjmë dashuri”. Po flas për zënkat. Interesant se sa lehtë dhe sa shpejt sqarohet situata përmes vetëm një shprehje – zënkat. Sa e fortë është fuqia e fjalës. Fjala gjithsesi është medium në vet. Nuk ka dreq që e zëvendëson.

Vetëm shprehja “zënkë” ofron me mijëra e mijëra fotografi në mendje të cilat dalin në formë të “sllajdeve”, të ofron me mijëra kilometra film të xhiruar kamere. Mirë. Pajtohem që dashuria nuk është hajgare. Por, një gjë është e sigurt: nuk e kam idenë se çfarë të shkruaj për dashurinë, as nga t’ia filloj e as si ta përmbylli.

Pata lexuar (ose më është thënë) që dashuria është punë e mirë, është gjë e mirë, është e lezetshme, është e këndshme dhe të sjellë lumturinë. Kështu, kishte ditë që mezi prisja të bija në dashuri edhe unë. Kisha dëshirë ta shihja veten tek ecja dorë për dore me te në qytet, në fshat ose kudo në ndonjë park. Ulur diku.
Duke pirë kafenë e mëngjesit me te në ndonjë tavolinë me erë e zhurmë vale deti, ose edhe nën ndonjë lis me tingëllimat e bilbilave. Nuk e di nëse femrat mendojnë kështu, por e garantoj që meshkujt janë të tillë, romantik. Nuk e di ku, kur, si dhe pse e kisha takuar e njohur. Nuk e di as kush më kishte njohur me te. Nuk e di nëse kjo ka rëndësi. E di që nuk mund t’ia largoja sytë. Nuk e di pse, por ishte ashtu. Magnet hesapi. E dëgjoja çfarë fliste (në të vërtetë, shtiresha), e dëgjoja frymëmarrjen e saj, ja shikoja pjesët e trupit, flokët, sytë, veshët, hundën, qafën dhe të tjerat. Nuk gjeja asgjë të jashtëzakonshme sesa atë që e kanë miliona femra të kësaj dynjaje e që disa nga to i shihja edhe unë në rrugë, shkollë, kafene, kinema e vende të tjera. Nuk e di sa çka ishte ajo shtysë aq e madhe që më bënte ta dëshiroja praninë e saj, të isha afër saj. Ka të tillë që argumentojnë që kjo është po-se-po punë e Zotit dhe e perëndisë (të cilës i qofshim falë), por edhe e zemrës në veçanti. Nuk pretendoj të intelektualizoj, por e di që zemra është reagim.

Sido që të jetë, u njohëm dhe filluam të takoheshim. Ishte mirë, këndshëm, lezetshëm. Isha aty për të. Flisnim për gjëra të ndryshme duke filluar nga elemente të përvojës nga të bëmat e ditës e deri tek ato pak më të ndërlikuara, politika. Nuk e di nëse këtu puthjet janë me interes publik, por e di që isha i lumtur. Ishte fillim i mirë. Me kalimin e kohës, çështjet e vogla (për mua) bëheshin të mëdha (për të).
“Ti nuk më dëgjon se çfarë flas, ti nuk je i mirë me mua, ti nuk më merr as nuk më kupton seriozisht, ty nuk ta ndjen për asgjë e as për mua” dhe fjalë të tilla. Më dukej që secili veprim, sado i vogël, trasohej nga ajo, përmes saj dhe përfundonte tek ajo. Unë dhe vet ekzistenca ime më nuk kishte kuptim. Isha bërë mjet ankese. Më dukej vetja thuaja isha nëpunës komune. Asnjëherë nuk bisedonim për gjëra që unë kisha dëshirë të bisedoja. Ku fillonim të bisedonim për gjërat me interes timin, pas pak, temat e tilla ndërronin edhe kahen por edhe kuptimin dhe përfundonin si tema me interes për te. Unë më nuk kisha rëndësi në atë marrëdhënie. Në fakt, nuk ishte sepse nuk kishte marrëdhënie këtu, por ishte e tillë që ato far marrjesh dhe dhëniesh përmbylleshin sipas tekeve të saj. Kështu filluan dhembjet. Netët bëheshin të gjata, brengat ishin të panumërta, kokëdhëmbjet shtoheshin. Nuk doja të ndahesha.

Nuk e kuptoja nëse bisedat me te ishin porosi e qartë dhe e thjeshtë: jeta me mua nënkupton atë çfarë them unë, dua unë dhe bëj unë. Sido që të jetë, një gjë është e sigurt: isha krejtësisht nën ndikimin e saj. Duket se mashkulli bie nën ndikimin e femrës që e dashuron. Pata lexuar se dashuria është e verbër. Tash e kuptoja që ajo verbësi ishte njëkahore. Mashkulli tërë jetën do ta kaloj nën ndikim e saj, në gjendje deliriumi. Bisedat me te për përgjegjësinë, xhelozinë dhe tradhtinë nuk kishin kuptim. Shpesh më sillte në gjendje të mendoja: çfarë dreqi përmenda këto? Duke se femra nuk ndjen gjëra të tilla, pra, as përgjegjësi, as xhelozi e as tradhti. Jo për ato që i mendon e flet mashkulli. Koncepti këtu dallon nga këndvështrimi i femrës. Vazhdimisht ka llafe-flitet për barazinë gjinore. Asnjëherë asnjë femër nuk u cua në këmbë e të na e tregoj se për çfarë realisht bëhet fjalë këtu. Mësimi i shkrimit dhe i leximit nuk ka lidhje as me barazinë gjinore e as me analfabetizmin. Megjithatë, mungesa e burrave është ashiqare. . Duket se, megjithatë, kam rënë në dashuri. Sepse duket se fillova të flas për gjëra pa lidhje.

*Autori nuk e ka shenuar emrin por ka lene fotografine e tij

Lajme të ngjashme

Back to top button