Mexhiti i bën thirrje Trajanovskit, që të zbatojë gjuhën shqipe në bazë të ligjit

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti i bën thirrje Koce Trajanovskit, që të zbatojë gjuhën shqipe në bazë të ligjit të dygjuhësisë në nivel të Qytetit të Shkupit. Reagimi i Mexhitit vjen një ditë pas Trajanovski tha se respekton plotësisht kushtetutën sa i përket dygjuhësisë në kryeqendër ndërkohë që nuk komentoi se kur komisioni shumë i përfolur do të nis me punë për dhënien e vlerësimit për këtë problematikë që doli në sipërfaqe pas nisjes së vendosjes së tabelave në Shkup vetën në gjuhën maqedonase.

“Mendoj se duhet të shtrij autoritetin e tij jo vetëm aty ku është drejtpërdrejtë por edhe në kuadër të Qytetit të Shkupit, drejtorit dhe institucionet tjera, për të zbatuar ligjin e dygjuhësisë, ashtu siç funksionon pra në Këshillin e Qytetit të Shkupit…unë mendoj se nuk duhet të vonohet, është tejkaluar koha, duhet të sillen konkluzionet dhe të zbatohet ligji në nivel të Qytetit të Shkupit….këtë këshilltarët shqiptarë në kuadër të qytetit të Shkupit e kërkojnë në vazhdimësi, deri në zbatimin e plotë të dygjuhësisë”, deklaroi Izet Mexhiti, Kryetar i Komunës së Çairit.

I pyetur se a do të kërkojë përgjegjësi nga Koce Trajanovski, në rast se vërtetohet se Qyteti i Shkupit ka shkelur ligjin, Mexhiti thotë se fillimisht duhet të zbatohet gjuha shqipe në nivel të Qytetit të Shkupit, e më pas do të nxjerrin në pah edhe çështjet tjera.

“Fillimisht, jemi të interesuar që sa më shpejtë të jetë zbatimi i plotë i gjuhës shqipe në nivel të Qytetit të Shkupit, e më pas do të dalin në sipërfaqe edhe çështjet tjera”, tha Izet Mexhiti, Kryetar i Komunës së Çairit.

Problemi i moszbatimit të dygjuhësisë në Shkup zvarritet tanimë 6 muaj. Trajanovski këtë e kishte arsyetuar me zgjedhjet e parakohshme parlamentare duke premtuar fillimin me punë të komisioni pas zgjedhjeve, por edhe pas përfundimit të tyre, komisioni nuk nisi me punë. U dhanë premtime tjera që komisioni do të nis me punë pas pushimeve verore, por edhe ky afat u nuk u respektua. Edhe kryetari i Çairit kishte premtuar nisjen me punë të komisionit, por deri më tani asnjë rezultat ndërkohë që në Shkup vazhdon vendosja e tabelave dhe e mbishkrimeve tjera vetëm se në gjuhën maqedonase edhe pse me ligj, zyrtare është edhe gjuha shqipe dhe alfabeti i saj.

Lajme të ngjashme

Back to top button