Volers: Liderët përfitojnë vetë nga politika, kjo është recetë për të shkatërruar shtetin

Ambasadori amerikan në Maqedoni, Pol Volers ka dërguar kritikat më të ashpra në adresë të liderëve politikë në Maqedoni, që prej kur ka ardhur në Shkup. Duke marrë pjesë në një konferencë shkencore kushtuar 100 vjetorit të fillimit të luftës së parë botërore, Volers ka akuzuar politikanët në Maqedoni se po zhvillojnë politikë me të cilën po japin shembull se si mund të shkatërrohet shteti, shkruan gazeta “Lajm”.

“Fatkeqësisht në shumë vende, por duhet të them se edhe në këtë vend, shoh liderë që politikën e shohin si lojë afatshkurtër për të përfituar personalisht dhe për partinë e vetë, në vend se të punojnë për tejkalim të konflikteve. Mendoj se kjo është recetë për të shkatërruar shtetin”, ka thënë Volers, transmeton “Lajm”.

Edhe pse është në mesin e përfaqësuesve të lartë politikë në Maqedoni (si sekretar i përgjithshëm i BDI-së), drejt të cilëve ambasadori Volers drejtori kritika, ministri i arsimit Abdilaqim Ademi u pajtua me vlerësimet e diplomatit amerikan. Mirëpo ai preferoi që ato vlerësime t’i spostojë në histori, e jo në aktualitet, ose shprehur me fjalorin popullor “Volersi foli për lisa, kurse Abdilaqimi për fshisa”.

“Janë pikërisht udhëheqësit që kanë futur përçarje në mes popujve, prandaj udhëheqësit e sotëm duhet të mësojnë nga shembujt negativ të historisë dhe të mos lejojnë që shembujt negativ të përsëriten, kurse shembujt pozitiv duhet t’i promovojmë. Popujt që jetojnë në këto troje kanë shumë gjëra të përbashkëta që na bashkojnë”, tha Ademi.

Historianët kanë vlerësuar se Maqedonia nuk ka nxjerrë sa duhet mësim nga tragjeditë e së kaluarës, sepse edhe më tutje ngjarjeve historike u jepet më shumë rëndësi se aktualitetit.

“Organizimi i kësaj konference dhe zgjedhja e kësaj date jo pa simbolikën e saj, janë dëshmi se ne si studiues, veçmas të historisë, e kemi patjetër të jemi më vigjilentë me veprimet tona, më të ndërgjegjshëm me deklarimet tona dhe më të guximshëm në ndërmarrjet tona, që mos të lejojmë të na përsëritet e kaluara. Sepse, maksima jonë duhet të jetë se ai që lejon t’i përsëritet e kaluara, thjesht nuk ka marrë mësim prej saj. Sot kur në mbarë botën përkujtohet 11 Shtatori i kobshëm i vitit 2001, ne studiuesit e këtyre vendeve, përmes kësaj konference, përçojmë mesazhin e paqes, bashkëpunimit dhe avancimit të gjithmbarshëm të shoqërive tona”, tha historiani Skënder Hasani, njëherit drejtor i ri i ITSHKSH.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Dragi Georgiev, drejtor i Institutit për histori nacionale.
“Heronjtë dhe mitet nacionale ende janë prezent, ndoshta më tepër se sa kanë qenë në jetën e tyre të vërtetë. Ende historia është ajo që përcakton ardhmërinë tonë. Për fat të keq, historia në Ballkan është më e rëndësishme se e tashmja dhe e ardhmja”, tha Georgiev.

Përveç historianëve, në këtë konferencë morën pjesë edhe diplomatë dhe zyrtarë shtetërorë, të cilët theksuan nevojën për të mësuar nga humbjet që pati njerëzimi nga lufta e parë botërore.

Lajme të ngjashme

Back to top button