Papunësia në Evropë, Maqedonia e dyta, Greqia lidere

Greqia e kaloi Maqedoninë në listën e zezë sipas përqindjes së personave të papunë, publikoi të premten Zyra evropiane për statistikë – EUROSTAT. Tek fqinji jugor jetojnë 1 milion e 76 mijë persona të rinj, prej të cilëve në vitin 2012 madje 55,3 për qind janë të papunë, njofton Mia.

Sipas listës më të re të EUROSTAT-it, Greqia është lidere në Evropë sipas numrit të personave që janë të moshë prej 15 deri 24 vjeç, ndërsa nuk kanë punë, ndërsa e dyta është Maqedonia me 53.9 për qind të papunë nga gjithsej 304 mijë të rinj në Maqedoni. Në rrugë që ta kalojë shtetin e Maqedonisë sipas numrit të të rinjve të papunë, është edhe Spanja, e cila është e treta në këtë listë me 53.2 për qind nga kjo popullatë që numëron 4.5 milionë në këtë vend. Pas saj pason anëtarja më e re e Bashkimit Evropian – Kroacia, me 43 për qind të papunë nga gjithsej 520 mijë të rinjtë në këtë vend.

Sipas EUROSTAT-it, vitin e kaluar, në Bashkimin Evropian (duke përfshirë edhe Kroacinë, e cila këtë vit u bë anëtare) ka pasur 23 për qind të papunë nga gjithsej 57.5 milionë të rinj. Madje, nga vendet-anëtare të Unionit, më pak të rinj pa punë ka në Gjermani, ku nga pothuajse nëntë milionë njerëz të moshës midis 15 dhe 24 vjeç, vetëm 8.1 për qind nuk kanë punë, ndërsa pas saj pasojnë Austria me 8.7 për qind të papunë nga 991 mijë të rinj.

Krahas Maqedonisë, nga vendet që ende nuk janë anëtare të BE-së, EUROSTAT-i ka përfshirë edhe Norvegjinë, Islandën, Zvicrën dhe Turqinë, me ç’rast në dy prej këtyre vendeve përqindja e të rinjve të papunë është shumë e ulët, kështu në Zvicër – vetëm 8.4 për qind janë të papunë nga 930.000 të rinj, ndërsa Norvegjia ka 8.6 për qind të papunë nga 655 mijë të rinj.

Lajme të ngjashme

Back to top button