Shpendi me pesë milionë euro më shumë se Isa

Qeveria komunale e Shpend Ahmetit me të ardhur në pushtet e gjeti buxhetin e planifikuar nga pushteti i LDK-së. Isa Mustafa kishte planifikuar që ta rritë buxhetin në vitin 2015 vetëm për dy milionë euro. Por këtë parashikim e përmbyti kreu aktual i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, duke planifikuar të hyra dukshëm më të mëdha që do të ndikojnë në rritjen e buxhetit. Prishtina në vitin 2015 do të ketë buxhet më të madh se në këtë vit për pesë milionë euro.

Nga 63 milionë e 443 mijë euro, aq sa ishte në këtë vit, buxheti i komunës po mëton të rritet në 68 milionë e 546 mijë euro. Rritja është mbështetur kryesisht në rritjen e të hyrave vetjake. Ato do të jenë rreth 33 milionë euro, ndërsa pushteti i Isa Mustafës në këtë vit i kishte lënë Ahmetit të hyra të planifikuara në vlerë prej 24 milionë e 318 euro. Komiteti për politikë e financa e ka shqyrtuar propozim-buxhetin 2015 dhe Kornizën Afatmesme Buxhetore 2015–2017 të hartuar nga Komuna e Prishtinës.

Lidhur me këtë, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjatë takimit tha se para së gjithash koncepti i takimit edhe me partitë opozitare, pos prezantimit të drafbuxhetit dhe Kornizës Afatmesme Buxhetore, është që të merren ide dhe sugjerime nga përfaqësuesit e grupeve të anëtarëve në Kuvendin Komunal. Kryetari Ahmeti ka thënë se nuk janë respektuar të gjithë kufijtë buxhetorë të përcaktuar nga Ministria e Financave, duke argumentuar më tej arsyet./ Tribuna

Lajme të ngjashme

Back to top button