Maqedonia jashtë NATO-s rrezikon shumë

Ndër premtimet kryesore të subjektit politik Shqiptar, BDI, ishte integrimi i Maqedonisë në Nato, përpara samitit të saj në Wells. Kjo nuk ndodhi,ndërsa “dështimi i BDI-së është dështimi edhe i Natos dhe Shqipërisë”, si dhe “BDI duhet sëpaku të gjejë metoda tjera për të zbutur dështimin e saj, si ata ekonomike apo edhe futjen e Gruevskit në histori”, janë disa nga vlerësimet që përcjellin analistët për redaksinë e Portalb.

Ilir Kulla: Maqedonia nuk do ekzistojë pa Naton

“BDI ka një mision atë të integrimit në NATO, nëse dështon ka dështuar jo vetëm BDI dhe Ali Ahmeti por edhe NATO dhe Shqipëria. Projekti atlantik siç u dëshmua dhe te Samiti i Uellsit është një proces afatgjate dhe historik. Maqedonia si e tille që e njohim sot nuk ka të ardhme tjetër përpos asaj atlantike, ndryshe Maqedonia nuk do të ekzistojë dhe nëse do të ekzistojë nuk do te jetë ajo që është sot,” shprehet eksperti i Lindjes së Mesme, Ilir Kulla, për Portalb

Analisti nga Kumanova, Hamdi Nuhiju, në anën tjetër, mendon se mos integrimi i Maqedonisë në Nato, duhet ta shtyjë BDI-në që ta zbusë dështimin e saj, në rrugë tjera, si të detyrojë Nikola Gruevskin në politikat ekonomike në dobi për shqiptarët.

“Integrimi i Maqedonisë në NATO dhe në BE është njëra prej synimeve strategjike të popullit shqiptar që jetojnë në Republikën e Maqedonisë si dhe të gjitha subjekteve politike shqiptare në vend duke përfshirë edhe BDI-në. Ky integrim po pengohet prej palës maqedonase duke krijuar probleme të natyrave të ndryshme me shtetet fqinje. Mendoj se BDI përmes premtimit se do ta integroj Maqedoninë në NATO dhe në BE, mund ta zejë në një pozicion shah-mat palën maqedonase. U kalua afati i premtimit, ndërsa premtimi nuk u realizua. Tash para BDI-së mund të gjenden këto zgjidhje: të krijoj krizë politike në vend duke thyer akullin e VMRO-DPMNE-së e duke e dërguar Nikola Gruevskin përgjithmonë në histori, ose edhe duke kushtëzuar aq shumë Nikola Gruevskin në politikat ekonomike dhe sociale në shtet, në dobi të shqiptarëve të Maqedonisë, që kjo gjë do ta zbuste premtimin e futjes në NATO dhe në BE.”-  tha mes tjerash  Nuhiju për Portalb.

Arianit Xhaferi: BDI-ja nuk ka zgjidhur as çështjet tjera me rëndësi

“Dështimi i Maqedonisë për t’iu bashkuar Natos nuk ishte diçka që nuk pritej, sidomos dhe nga vetë fakti që në samitin në Wales nuk ishte paraparë të diskutohej zgjerimi. BDI i hodhi përtokë të gjitha premtimet që i kishte bërë elektoratit për të fokusuar të gjitha energjitë tek integrimi, por mendoj se kjo ishte vetëm një alibi për t’iu bashkuar edhe njëherë VMRO-së në koalicionin e gjërë qeverisës, sidomos në një moment që Thaçi ishte i gatshëm t’i bashkohej qeverisë “edhe me një deputet të vetëm”…

BDI është e pafuqishme tash sa mandate, dhe jo vetëm për të zgjidhur këtë problem, por edhe për shumë çështje tjera më të rëndësishme. Ka dështuar të implementojë Marrëveshjen e Ohrit, të marrë hisen në investimet, në buxhet, ka 4 vite që premton tre buste shqiptarësh në “Skopje 2014” dhe akoma s’është bërë asgjë. Dua të besoj se është e pafuqishme për t’i zgjidhur se ndryshe do duhej të mendoja se nuk dëshiron t’i zgjidhë çështjet që tangojnë votuesit e tyre dhe popullin që përfaqësojnë.” U shpreh për Portalb, profesori dhe aktivisti qytetar, Arianit Xhaferi.

Gazetari i Gazetës Express në Kosovë, Visar Duriqi, shprehet se s’mund të pritet diçka konkrete nga politikanë të korruptuar si Menduh Thaçi e Ali Ahmeti, ashtu si në Kosovë nga Hashimi e Ramushi.

“Faktori shqiptar në Maqedoni është i kapur nga shërbimi sekret maqedon pasi që drejtueist e partive shqiptare atje kanë biznese te pista dhe janë të shantazhuar që t’i përshtaten interesave të shumicës maqedonase.

Është e dhimbshme që shqiptarët përfaqësohen në Maqedoni nga të korruptuar si Ali Ahmeti e Menduh Thaçi, sikurse që është e dhimbshme që ne kosovarët duhet të zgjedhim në mes dy kriminelëve për kryeministër: “Hashim Thaçita a Ramush Haradinajt”.

Shqiptarët duhet të bëjnë përpjekje që të kontribuojnë në integrimin e Maqedonisë në NATO, e jo të bëhen pengesë pasi që veç integrimi i Maqedonisë mund të ua mundësoj shqiptarëve një jetë më dinjitoze në Maqedoni.”

Afrim Gashi: Premtimet e BDI-së, thjesht iluzioniste

Kryeredaktori i revistës Shenja, për Portalb shprehet:

“Jo më larg se disa muaj, BDI, me pretekstin se nuk merret vesh me partnerin e tyre VMRO-DMPMNE-në rreth ‘presidentit konsensual’, inicoi zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe çuditërisht ‘kërkonin’ që ato të mbahen pikërisht në raundin e dytë zgjedhor të zgjedhjeve presidenciale, duke ndihmuar kështu më së shumti zgjedhjen e presidentit Ivanov, të cilit këndej i thoshin ‘Tung e ke’ e nga ana tjetër ishin ‘sponsorizuesit’ kryesorë të rizgjedhjes së tij për president. Këtë turp e mbuluan duke marrë 153 mijë vota shqiptare por s’ia kishin idenë se si ta arsyetojnë sërish hyrjen në Qeveri me Gruevskin të cilin në çdo fushatë e shajnë e mbledhin vota në kurriz të tij e më pas ulen në ‘prehrin’ e tij pa asnjë kusht. E shpikën një arsyetim banal dhe ofendues për shqiptarët se gjoja për 6 muaj do ta fusin Maqedoninë në NATO duke lënë pas dore të gjitha agjendat shqiptare, ndërsa për ta përforcuar gënjeshtrën kushtëzonin me zgjedhje të jashtëzakonshme nëse Maqedonia nuk merr ftesë për NATO. Të gjithë shqiptarët që pak i observojnë proceset objektivisht e kanë ditur se Maqedonia nuk merr ftesë për NATO dhe se BDI nuk del nga Qeveria, – sepse Ali Ahmeti pati parashtruar pyetjen para do kohe në mënyrë shumë të qartë: ‘ku të shkojmë nëse dalim nga Qeveria? a në shtëpi të shkojmë?’ – kështu që, BDI do të vazhdojë të qëndrojë në Qeveri deri sa nuk i përze Gruevski sikur që u kanos lidhur me ndërrimin e emrave të shkollave në Çair. Përralla dhe iluzioni që BDI pati krijuar se shqiptarët do të jenë të lumtur e do t’i zgjidhin të gjitha problemet kur të integrohemi në BE e NATO, tash po merr fund. Të gjithë e kanë të qartë se kjo ëndërr tashmë u shndërrua në një ankth për shumicën e shqiptarëve në Maqedoni, kështu që sa më parë që të zgjohemi nga ‘gjumi’ aq më parë do të vetëdijesohemi se sa na ka kushtuar tejzgjatja e kësaj ëndrre.”

Albinot Maluku: Anëtarësimi në Nato nuk varet nga teket e Ali Ahmetit

Analisti nga Kosova për Portalb shprehet se politikat shqiptare në Shkup janë jo serioze dhe se nuk janë me vend.

“Anëtarësimi në NATO i IRJM-së nuk varet nga premtimet dhe teket e kryetarit te BDI, por nga shumë faktor tjerë të brendshëm e të jashtëm në të cilat ndodhet IRJM. Konsideroj që premtimi për dalje nga Qeveria e IRJM-së e BDI-së së Ali Ahmetit nëse vendi nuk anëtarësohet në NATO nuk është se përfaqëson strategji politike të subjekteve politike shqiptare karshi Shkupit zyrtar dhe se nuk e konsideroj as serioz as me vend. Se a do të dal Ali Ahmeti me partin e tij nga Qeveria këtë nuk e besoj.” – Përfundoi për Portalb, Maloku.

/Portalb

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Asgje nuk rrezikon muhabete jan kto krejt mendoni se i ka ra malli NATOs per ket shtet JO leni perallat permisoni veten pastaj Nato kerkoni

Back to top button