Gjurmëve të lashtësisë sonë (FOTO)

Gjurmët e lashtësisë së Strugës, janë të vjetra sa edhe vetë njeriu. Hulumtimet e deritanishme arkeologjike kanë dëshmuar se qytetërimi në këtë nën-qiell ka filluar me Epokën e Neolitit ose siç përkthehet në shqip Epoka e Re e Gurit. Deri më tani, përveç gjurmëve arkeologjike nën qytetin e sotshëm të Strugës, të një rëndësie të veçantë janë edhe disa lokalitete tjera, siç janë: Vranishta, Ladorishti, Oktisi, Tateshi, Dollogozhda, etj.  Ndërkohë  që, në këtë hapësirë duhet llogaritur edhe Trebenishtin, i njohur për maskat e famshme të arit me prejardhje ilire.

“Ndër gjithë këto lokalitet të sipërpërmendur më i hulumtuari është Dollogozhda, e cila jo tani, por edhe shumë herët, që para 70 – 80 viteve ka tërhequr vëmendjen e adhuruesve të artefakteve të së kaluarës. Por ajo që këtij lokaliteti i dha dimensionin shkencor është ‘‘Setelia’’ apo siç ka hyrë në literaturën shkencore të vendit Sveti Ilija (Shn Ilija).  Është fjala, pra, për nekropolin (varrezat) e cila flet se i ka takuar një vendbanimi mjaft të madh që në periudhat më të hershme të antikitetit”, thekson për Portlb arkeologu Dr. Mixhait Pollozhani. 

Materialet e llojllojshme arkeologjike, dëshmojnë se ky nekropol, ka qenë i përdorur shumë gjatë, duke filluar që nga epoka e hekurt, gjegjësisht epoka arkaike, dhe për t’u intensifikuar gjatë epokës helenistike, romake dhe asaj mesjetare. 

“Zbërthyer me vite, nisë që nga vitet 700 p. e. sonë dhe deri në vitet 1400 të mesjetës. Ndërkohë që lexuar me shekuj do të thotë se fillon në shekullin VIII – VII p. e. sonë që njihet si Epoka Arkaike e cila hapi rrugë për epokën klasike shekujt VI – V, që në historiografinë shqiptare njihet si epoka e Qytetërimit Ilir, dhe pastaj gjatë shekujve IV – II p. e. sonë lulëzon epoka helenistike, kurse pas shekullit të I p. e. sonë dhe deri në IV të erës sonë ka mbretëruar periudha romake. Në kuadër të antikiteti të vonshëm, gjatë shekujve IV – VI shfaqet krishterimi i vjetër që e solli Perandorinë Bizantine. Ndërkohë që nga shekulli VI  fillon edhe epoka e mesjetës së hershme, e cila, njëherësh është edhe koha e krijimit të etnosit të hershëm arbëror (shqiptar).”, vazhdon Dr. Pollozhani.

 Ai thekson se ndonëse, materialet e zbuluara arkeologjike janë të ndikuara nga kultura helenistike, është shumë evidentet edhe prania e prodhimeve të vendit që përmbajnë elementet e traditës autoktone ilire.

“ Janë të paqëndrueshme përpjekjet e disa arkeologëve maqedonas për ta ndryshuar metodologjinë e përcaktimit terminologjik të kësaj kulture, sepse tani është konsoliduar hierarkia kronologjike e kulturore, e cila shërben si orientim për studiuesit.”, vlerëson Pollozhani

   Duke folur për gjetjet arkeologjike në këtë lokalitet, Dr. Pollozhani thotë se ndër zbulimet më domethënëse dhe më të vjetra është  përkrenarja ilire prej bronzi, e cila është datuar në shekullin VI p. e. sonë. Prodhime mjaft luksoze janë edhe vathët me kokë luani të punuara prej ari, fibuli e tipit të Azisë së Vogël, dorëz e një krateri zbukurim zoomorf, gota e qelqit e zbukuruar me motive të faunës, të cilat, kryesisht datojnë aty nga shekulli III p. e. sonë.

Nga kjo periudhë, po ashtu spikat edhe një unazë me vulë prej argjendi, e cila i ka shërbyer  ndonjërit prijësve të rëndësishëm të këtij lokaliteti. Nga periudha romake shquhet një unazë, fibulat, tokat, armë ushtarësh dhe vegla të ndryshme pune.

 “Edhe pse duhet pranuar që materialet arkeologjike të Dollogozhdës,  janë me prejardhje ilire – arbërore, ka edhe të atillë që u përkasin variante helenistike, romake, bizantine, sllave. Por ajo që është më e rëndësishme, ndonëse këto zona ilire gjatë antikitetit të hershëm kanë qenë në administrimin e Mbretërisë Ilire, dhe pasatja sundohen nga Perandoria Romake e më vonë edhe nga Perandoria Bizantine, por një fakt është i pamohueshëm se banorë të pellgut të Liqenit të Ohrit kanë qenë fisi ilir – Dasaretët. Ky fis shtrihet edhe në Dollogozhdë dhe me gjerë.”, përfundon Dr Mixhait Pollozhani. /Portalb      

Lajme të ngjashme

Back to top button