Zllatko Kamariç: Sela , figura politike më interesante në Maqedoni

Kryetari i Komunës së Strugës , Ziadin Sela priti sot në ambientet e Komunës së Strugës , Ambasadorin e Kroacisë në Shkup Zllatko Kamariç.

Pas takimit dhe bisedave të ngrohta , që ndanin shqetësime dhe vizione të përbashkëta, kryetari së bashku me ambasadorin Kamariç dolën me deklaratë para gazetarëve.

I pari që u shpreh ishte Kryetari i Komunës së Strugës , Ziadin Sela , i cili ndër të tjera theksoi :

‘’Jam nderuar , që sot pata mundësi të pres Ambasadorin e Kroacisë në Maqedoni, Zllatko Kamariç. Ne folëm për ndjenjat miqësore , që ky popull pavarësisht përkatësisë etnike, ka për Kroacinë. Folëm edhe për çështje që janë në interes të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonise në drejtim të ecjes së shtetit drejt eurointegrimeve duke kujtuar gjithmonë që Kroacia është vend partner i Republikës së Maqedonisë . Faleminderit që erdhët.’’

Kurse ambasadori nga ana e tij theksoi : ’’Unë gjithashtu jam i kënaqur që gjendem në këtë qytet i pritur nga Kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela . Unë tashmë jam në detyrë prej disa kohësh dhe si obligim i çdo ambasadori është ,që të vizitojë dhe njësitë e pushtetit lokal.
Më duhet të vlerësoj se Sela është figura politike më interesante e momentit në skenën politike të Maqedonisë . Së bashku vendosëm në përgjithësi gjërat tona të përbashkëta , të cilat mund të na vlejnë në të ardhme për bashkëpunime në fusha të ndryshme.
Gjithsesi diskutuam edhe për tema aktuale , të cilat e prekin shoqërinë në Maqedoni. Me rëndësi është jo vetëm lobimi, por edhe evidentimi i problemeve reale , në mënyrë që të gjenden zgjidhjet përkatëse. Folëm edhe për lirinë e medias, të drejtat dhe liritë e njeriut, marrëdhëniet ndëretnike”.

Në fund Kryetari i Komunës së Strugës i dhuroi një pllakë simbolike me logon e Komunës së Strugës si shenjë për nisma të reja bashkëpunimi në fusha të ndryshme .

Lajme të ngjashme

Back to top button