Mbahet konferenca shkencore, “Lufta e Parë Botërore, 1914-1918”

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, me rastin e 100 vjetorit, sot organizoi konferencën shkencore me temë: “Lufta e Parë Botërore, 1914-1918”. Në hapje të konferencës, përpos studiuesve, morën pjesë edhe ambasadorë, ministra e bartës të funksioneve tjera publike, të cilët theksuan rëndësinë dhe mësimet që mund t’ia marrim sot nga e ashtuquajtura ndryshe edhe si “Lufta e madhe”.

Në fillim, drejtori i ITSHKSH – Shkup, Skender Asani, tha se organizimi i kësaj konference dhe zgjedhja e kësaj date jo pa simbolikën e saj, janë dëshmi se ne si studiues, veçmas të historisë, e kemi patjetër të jemi më vigjilentë me veprimet tona, më të ndërgjegjshëm me deklarimet tona dhe më të guximshëm në ndërmarrjet tona, që mos të lejojmë të na përsëritet e kaluara.

“Sepse, maksima jonë duhet të jetë se ai që lejon t’i përsëritet e kaluara, thjesht nuk ka marrë mësim prej saj. Sot kur në mbarë botën përkujtohet 11 Shtatori i kobshëm i vitit 2001, ne studiuesit e këtyre vendeve, përmes kësaj konference, përçojmë mesazhin e paqes, bashkëpunimit dhe avancimit të gjithmbarshëm të shoqërive tona”.

Edhe drejtori i Institutit të Historisë Nacionale në Shkup, Dragi Georgiev, theksoi se konferenca e sotme shkencore përmban komponentin e pajtimit midis kombeve.
Sipas Gerogievit, “fatkeqësisht në Maqedoni sot historia e dikton jetën dhe disa heronj janë sot më të gjallë se sa në kohën kur kanë jetuar”.

Abdylaqim Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës i RM, në fjalën e tij tha se gjatë Luftës së Parë Botërore, fati i popullit shqiptar dhe maqedonas, ishte i ngjashëm dhe i nëpërkëmbur nga shtetet e mëdha, të cilat synimet e tyre ekspansioniste i realizonin duke shtypur popujt më të vegjël. Në këtë kuptim, zbardhja e të vërtetave historike është e një rëndësie të veçantë për të ardhmen e njerëzimit në përgjithësi dhe vendit tonë në veçanti. Udhëheqësit e sotëm duhet të mësojnë nga shembujt negativ të historisë dhe të mos lejojnë që e njëjta të na përsëritet, kurse shembujt pozitiv t’i promovojmë”. Ministri Ademi, më tej tha se ministria që ai drejton, e inkurajon Institutin për ndërmarrjen e aktiviteteve dhe hulumtimeve shkencore.

Kurse, ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni, Pol Uolers, po ashtu, edhe ambasadorja e re e Gjermanisë në Maqedoni, Kristine Althauser uroi Institutin për punën e bërë. “Është me rëndësi të parandalojmë historinë dhe ta trajtojmë atë si forcë unifikimi. Është me rëndësi që të parandalohen konfliktet nga e kaluara dhe të mos bëhet promotore e ndarjeve”, tha ambasadori Uolers. Kurse, ambasadorja Althauser, u shpreh se botës sot i nevojiten shembuj të mirëfilltë bashkëpunimi dhe avancimi në ndërmarrjet e përbashkëta për të mirën e njerëzimit.

Ndërsa, drejtoresha e Forumi ZDF në Shkup, Silke Maier ëitt, në rolin e mbështetëses së kësaj konference, tha se paqja ka nevojë për bashkëpunim, ka nevojë për aftësi të zgjidhjes konstruktive të konflikteve dhe ka nevojë për kompromise.

Më pas i vijon punimet konferenca shkencore, ku gjatë dy sesioneve u paraqiten studiues të njohur të historisë nga vendi dhe jashtë. Ndër ta, vlejnë të veçohen kumtesat e studiuesve: Nebi Dervishi, Sabit Syla, Qerim Lita, Rudina Mita & Besnik Bajrami, Haki Kasumi, Memli Krasniqi, Mehmet Prishtina & Sylë Zhitia, Isak Sherifi & Skender Asani, Aleksandar Stojçev, Ylber Sela, Naim Halimi, Isamedin Azizi, Sevdail Demiri, Besnik Emini & Ardian Limani.
Të gjitha kumtesat e paraqitura në këtë konferencë, do të botohen në një nga numrat e veçantë të revistës “Scupi”, botim i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.

Lajme të ngjashme

Back to top button