Njihuni me iPhone 6 dhe iPhone 6 Plus

Apple ka prezantuar iPhone 6 dhe iPhone 6 Plus, të cilët shefi ekzekutiv i saj, Tim Cook, i ka quajtur “iPhone-t më të mirë” që kompania ka prodhuar ndonjëherë

Apple ka prezantuar në mbrëmjen e së martës iPhone 6 dhe iPhone 6 Plus, dy telefonat e rinj inteligjent që do të konkurrojnë me modelet më të reja me sistemin Android.

Të dy modelet do të kenë një ekran më të madh në krahasim me iPhone 5s, respektivisht një ekran LCD 4.7 inç dhe 5.5 inç, të përparuara në krahasim me modelet paraardhëse. Pjesët anësore do të jenë të rrumbullakëta.

Rezolucioni është 1334 x 750 pikselë për iPhone 6 dhe 1920 x 1080 pikselë për iPhone 6 Plus. Ky i fundit ka plot 185% më shumë pikselë në krahasim me iPhone 5s. Për sa i përket përmasave, iPhone 6 është i trashë 6.8 milimetra, ndërsa iPhone 6 Plus është i trashë 7.1 milimetra, në krahasim me 7.6 milimetra të iPhone 5s.

iPhone 6 dhe iPhone 6 Plus do të kenë të instaluar iOS 8, ndërsa në iPhone 6 Plus iOS 8 prezanton edhe mundësinë për të rrotulluar aplikacionet në horizontal, duke e optimizuar materialin, pikërisht siç ndodh edhe në iPad dhe iPad mini, një funksion që nuk ekziston në modelet më të vjetra, dhe as në iPhone 6. Në këtë mënyrë do të jetë e mundur të përdorim edhe aplikacione me më shumë dritare të hapura. iPhone 6 Plus ofron edhe mundësinë e përdorimit të Homescreen në horizontal, pikërisht si iPad. iPhone 6 Plus do të ketë edhe një funksion ekskluziv që nuk e gjeni në pajisjet e tjera me iOS: shkurtesat e tastierës, të integruara në iOS për të bërë cut-copy-paste.

Për të përmirësuar përdorimin vetëm me njërën dorë, Apple ka parashikuar që duke klikuar dy herë në butonin Home, i gjithë ekrani i iPhone 6 Plus do të zbresë poshtë, në mënyrë që të arrijmë më mirë butonat me njërën dorë. Butoni i fikjes/ndezjes do të jetë në krah në krahasim me iPhone 5s.

iPhone 6 dhe iPhone 6 Plus do të kenë procesorin e ri A8 me performanca më të shpejta nga 25% e deri në 50% në grafikë. iPhone 6 redukton edhe konsumin e baterisë me 50%, siç pohon Apple. Edhe kësaj here, procesori shoqërohet nga një koprocesor lëvizjesh, i përmirësuar dhe që quhet M8, tani në gjendje të njohë aktivitete si vrapimi dhe përdorimi i një biçiklete për të llogaritur distancën dhe lartësinë në mënyrë precize.

Fotokamera është përmirësuar, por nuk kanë ndryshuar megapikselat, që mbeten 8 mp. Apple i ka pajisur të dy modelet me një stabilizues, digjital në iPhone 6 dhe optik në iPhone 6 Plus. Lentja do të ketë një hapje prej f/2.2. Konfirmohet True Tone Flash. Është përmirësuar edhe autofokusi, tani dy herë më i shpejtë në krahasim me iPhone 5s: është përmirësuar edhe funksioni i njohjes së fytyrës. Tani fotot panoramike arrijnë deri në 43 megapiksel. Për sa i përket videove, fotokamera e iPhone 6 është në gjendje të bëjë video 1080p me 30 dhe 60 fps. Funksioni Slow Motion mund të arrijë deri në 240 fps. Mahnitëse!

iPhone 6 dhe iPhone 6 Plus do të jenë të disponueshëm në SHBA dhe 8 shtete të tjera nga 19 shtatori. Porositë në këto shtete do të nisin nga 12 shtatori. Më 17 shtator do të lëshohet iOS 8 për të gjithë.

Çmimet për Evropën janë këto: Në Gjermani, iPhone 6 pa kontratë do të kushtojë 699 euro, 799 euro dhe 899 euro për modelet 16 GB, 64 GB dhe 128 GB. Për iPhone 6 Plus çmimet do të jenë 100 euro më shtrenjtë. Në Angli, iPhone 6 pa kontratë do të kushtojë 539 funte, 619 funte dhe 699 funte, kurse për iPhone 6 Plus çmimet do të jenë 619 funte, 699 funte dhe 789 funte.

Lajme të ngjashme

Back to top button