fbpx

Fullani frikë nga helmimi në qeli, nuk pranon ushqimet e hapura të burgut

Ka sinjale se, jeta e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, nuk është e sigurt as në burg. Qelia ku mbahet i izoluar Ardian Fullani është pushtuar nga një tis paranojash, pasigurie dhe histerie.

Pas shtangies dhe befasisë së ditëve të para, gjendja psikologjike e Ardian Fullanit ka nisur të rëndohet dhe të agravohet gradualisht. I mësuar me një jetë luksi të shfrenuar, në konferenca, takime të nivelit të lartë, me udhëtime, sauna dhe darka pasanike, Ardian Fullani nuk po arrin të akomodohet me rregullat dhe ligjet e burgut. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, ka demostruar shenja ankthi, paranojash dhe humbje qetësie.

Sipas burimeve brenda rrethit të njerëzve që e ruajnë dhe kujdesen për Ardian Fullanin, mësohet se ky i fundit i druhet mundësisë së një forme asgjësimi në qeli. Sipas burimeve, Fullani nuk pranon të konsumojë ushqime të hapura të burgut, por vetëm ushqime të konservuara dhe të kontrolluara nga një person i besueshëm. Fullani ka rralluar vaktet e të ngrënit, ndërsa nuk pranon asnjë ushqim të dyshimtë për shkak të paranojave.

Me sa duket Fullani i frikohet ndonjë metode eliminimi me helmim, për shkak të gjërave të rëndësishme dhe të rënda që di, zbardhja e të cilave mund të rrezikonte një rreth të madh njerëzish brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ndërkaq, prokuroria dhe policia kanë marrë masa të tjera për të garantuar sigurinë e Fullanit. Sipas burimeve, është ngritur një grup special, për të ndjekur nga afër lëvizjet e Fullanit, ushqimet që konsumon dhe kontaktet.

Masat e sigurisë janë shtuar në katin e dytë të burgut 302. Vigjilenca shtohet kur Fullani del në ajrim ose kur ka kontakte me familjarët. Nga ana tjetër, qelia ku mbahet i izoluar Fullani vëzhgohet 24 orë nga kamerat. Po ashtu, dy oficerë ndjekin dhe vëzhgojnë në çdo moment Fullanin.

Ka një urdhër për të mbrojtur Fullanin edhe nga ndonjë tentativë të mundshme vetëvrasjeje, për shkak të gjendjes së rëndë psikologjike. Në qelinë e Fullanit nuk ka kollare, rripa, lidhëse apo sende të tjera të dyshimta. Po ashtu, janë marrë masa për të zbatuar me korrektesë të lartë rregulloren e burgut.

Telefonatat

Sipas burimeve, guvernatori i shkarkuar i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, kërkon herë pas here të kryejë telefonata. Ai shoqërohet në kabinën telefonike të burgut, por kërkesat e tij kanë ardhur duke u shpeshtuar. Madje, sipas burimeve, Fullani ka kërkuar të kryejë telefonata me familjarët edhe në mesnatë, gjë e cila ka krijuar një situatë të vështirë. Sipas burimeve, Fullani fillimisht nuk dinte përdorte kartat telefonike, por është asistuar nga gardianët e turnit.

Incidenti i parë

Një ditë pas transferimit në burgun 302 në Tiranë, në një qeli VIP i pashoqëruar nga askënd, Fullani ka nisur të rrisë numrin e kërkesave, ndërsa ka shënuar edhe incidentin e parë me gardistët. Sipas burimeve nga gardistët e turnit, Fullani ka kërkuar të falsë në telefon me familjarët, gjë që është e ndaluar në burg. Përpos ilaçeve të tensionit dhe veshjeve, Fullani ka kërkuar të flasë me vajzën e tij në telefon. Ndërkaq, gardianët i kanë treguar rregulloren, ndërsa i kanë ofruar një kartë telefonike, për të komunikuar nëpërmjet kabinave telefonike të instaluara në burg. Guvernatori i rrëzuar, fillimisht ka këmbëngulur për të komunikuar me celulat, por më pas kërkuar ndihmë për të përdoruar kartën telefonike. Gjatë bisedës me vajzën, Fullani ka shpërthyer në ngashërime dhe më pas në ulërima, si notë proteste kundër padrejtësisë që i është bërë./sotnews/

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close