Rrënohen disa objekte ilegale banimi në komunën Qendër

Disa organe shtetërore dhe lokale sot kanë rrënuar tre vendbanime të paligjshme në qendër të Shkupit. Që në orët e para të mëngjesit, buldozerët kanë pastruar hapësirën pas Qendrës Tregtare ‘Ramstor’, pas Stacionit Hekurudhor dhe pas ndërtesës së Bankës Popullore të R. Maqedonisë. Banorët në lokacionin që vizitoi Alsat M, pas Bankës Popullore, thonë se objektet e improvizuara kanë qenë streha e vetme e tyre, transmeton Alsat.

“Sot në orën 6:15 të mëngjesit erdhën nga komuna Qendër të shoqëruar me polici. Me dhunë na nxorën jashtë dhe nuk na lanë kohë as të nxjerrim gjërat. Brenda na mbetën mobiliet dhe gjërat tjera. Unë nuk kam ku të shkoj me dy fëmijët e mi”, tha Sunçica Gjorgjeviq, banore në objektet e improvizuara.

Nga komuna Qendër, në territorin e së cilës bien këto vendbanime, thonë se aksioni ka qenë i koordinuar dhe është planifikuar një kohë më të gjatë. Në aksion kanë marrë pjesë MPB-ja, Qendra për punë sociale, Qyteti i Shkupit dhe autoritet komunale. Rrënimi, shtojnë ata është si rezultat i denoncimit nga ana e banorëve në ndërtesat përreth, për shkak të ndotjes së hapësirave publike dhe për denoncime të shpeshta të vjedhjeve.

Përveç banorëve në banesa legale, edhe ato që banojnë në banesat e paligjshme thonë se nuk duan të jetojnë në objekte si ato që ua rrënuan sot. Kanë pasur oferta të vendosen në baraka sociale në “Çiçino Selo”, por sipas tyre, atje kushtet janë edhe më të këqija.

“Në “Çiçino Selo” nuk jetohet vetëm. Unë të mbes vetëm me fëmijët e vegjël, ndërsa burri të shkojë në punë, jo. Sepse atje unë nuk mundem”, u shpreh Sunçica Gjorgjeviq, banore në objektet e improvizuara.

“Dihet, “Çiçino Selo”, përdhunime, dhe çfarë nuk ka atje. Atje nuk ka kurrfarë rendi”, tha Sebastian Memed, banor në objekt të improvizuar pas BPRM.

Zhvendosjet në Shkup si kjo e sotmja nuk janë të rralla, ato përsëriten disa vite me radhë. Më shpesh bëhet fjalë për vendbanime të paligjshme të vendosura në hapësira publike. Banorët në pjesën më të madhe janë romë që fitojnë duke punuar punë fizike, grumbullim të mbeturinave ose duke kërkuar lëmoshë. Shumë shpesh ndodhë që këta qytetarë të përjashtuar socialë të mos kenë as dokumente elementare si letërnjoftim, por tash për tash ende nuk ka ndonjë zgjidhje sistematike për problemet e tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button