Ligji i ri për arsimin, drejt gjykatës kushtetuese

Parlamenti me procedurë të shkurtuar i miratoi ndryshimet në Ligjin për Arsimin fillor dhe të mesëm me anë të të cilit sigurohet punë e vazhdueshme edukative duke zëvendësuar punonjësit grevistë për kohëzgjatjen e grevës.

Aktivistja për të drejtat e njeriut Mirjana Najçevska bën të ditur se me këtë ligj shkelen të drejtat e punëtorëve dhe se nuk ka bazë kushtetuese.

“Si do të realizohen kërkesat e mësimdhënësve kur nuk do të ketë ndërprerje të procesit arsimor, cili do të jetë atëherë qëllimi i grevës?  Greva është mënyra se si shprehet pakënaqësia ndaj pushtetit, që do të thotë se është legjitim. Çfarë do të ndodh nëse nxënësit do të bojkotonin mësimin, a do të zëvendësohen edhe ata me nxënës të tjerr? Ky ligj është thjesht absurd”, tha për Portalb, Najçevska.

Ajo shtoi se ky ligj do të duhet të shqyrtohet nga gjykata kushtetuese.

“Nuk ma merr mendja që ky ligj do të ekziston, sepse shkel të drejtën kushtetuese dhe gjykata kushtetuese këtë nuk e lejon”, shtoi Najçevska.

Po ashtu edhe Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë të Kumanovës, Etem Xheladini vlerëson se ky është një ligj diskriminues i cili mundohet t’i mbulojë problemet e shumta në arsim, e sidomos në atë shqiptarë.

“Problemet në arsim vetëm sa shkojnë e rriten, e sidomos në arsimin shqip. Kërkesat janë për kushte më të mira si dhe për pagat e mësimdhënësve. Qeveria mundohet që me këtë ligj të frikëson mësimdhënësit për të mos kërkuar kushte më të mira”, tha për Portalb, Xheladini.

Ai shtoi se deputetja e VMRO-së, Marija Angelosvka  bëri një vlerësim qesharak, sepse nuk shikon pagat e mësimdhënësve në rajon si Serbi e madje edhe në Kosovë, por bën krahasim me Bullgarinë e Rumaninë.

“Pasi Angelovska bëri një krahasim të tillë pse nuk tregon se si qëndron puna edhe me pagat e deputetëve, apo aty nuk i shkon mendja. Puna e mësimdhënësit është e shenjtë dhe ajo duhet të ruhet dhe të përmirësohet”, shtoi Xheladini.

Nga ana tjetër mësimdhënësit janë të habitur dhe ende nuk e dinë se çfarë do të ndodh.

“Nuk e di se a do dalim në grevë. Nuk e kemi të qartë që edhe nëse dalim si do të plotësohen kërkesat tona, kur fëmijë vazhdojnë mësimin me zëvendësimet, ashtu askush nuk do lodhet për kërkesat tona. Nuk e di si do ja bëjmë, ky ligj është absurd dhe jo demokratik”, tha Afrim T, mësimdhënës.

Po ashtu edhe LSDM reagoi kundër këtij ligji dhe kërkuan nga Qeveria që menjëherë të heq dorë nga metodat jodemokratike që po përdor për zgjidhen e problemeve.

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button