fbpx

Partnerët shqiptarë të Gruevskit të pa trazuar nga “mllefi” i larë në bronz

Manipulimi politik me figura të bronzta në kryeqendrën e ngarkuar me simbole që përmbledh veprat unike të botës antike dhe asaj sllave, përmbyllë gardhin rreth një rruge që në anën tjetër përfshinë pjesën më autoktone të qytetit të Shkupit.

Gjithçka i ngjanë një simbolike kundërvënëse që vështirë mund të përballohet me përmendoren e vetmuar të “Skënderbeut” që duket se qëndron më në paqe se përmendoret të mbushura me simbolik mllefi dhe agresiviteti.

“E kaluara mbyt të ardhmen e Maqedonisë”, vlerëson për Portalb, kryetari i Shoqatës së Historianëve Shqiptar në Maqedoni, Skender Asani.
Si mund të ndihen qytetarët përballë komplekseve të dominit politik dhe demonstrimit të atavizmave historik të cilët asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e përditshmërisë dhe bashkëjetesës edhe në kohën kur komunizmi bënte lojërat e saj.

“Shkupi jo që u tjetërsua, por u bë një qytet që nuk përfill ndjenjat dhe traditën e vërtetë të këtij qyteti. Përmendoret e stërmëdha uzurpuan hapësirat publike jo vetëm për të provokuar dhe demonstruar nacionalizëm, por edhe për të ngacmuar nga larg ndjenjat e një popullate të tërë shqiptare që prej vitesh jeton në këtë qytet”, thotë Basri Emini nga Shkupi.
Një qytetarë tjetër, Fazli Jakupi, thotë se gjithçka ndodhi nën heshtjen e plotë të partive shqiptare. Njëra jep aprovimin, tjetra e shikon këtë si aprovim të paprekshëm. “Asnjëra nuk mund t’i lë të mirat që sjellë politika e bashkëpunimit me Gruevskin”, thotë Fazliu.

Profesori i fakultetit juridik dhe ish shef i diplomacisë maqedonase, Denko Malevski nëpërmjet një shembulli të lehtë, tregon fillimin e procesit të aktivizimit si një dukuri e dhimbshme në shoqëri.

“Procesi i antikizimit filloi jo vetëm si një kthim në histori, por edhe si manipulim politik. Ky proces mori fill që nga emërimi i fakultetit juridik me emrin e despotit mesjetar, Justinjani i parë. Kjo dashuri për të kaluarën ishte jo e qartë për mua pikërisht në kohën kur ka shumë sfida për ardhmërinë që vijnë nga Unioni i shteteve evropiane”, thotë Denko Malevski.
Sipas tij, gjithë ky proces filloi më një simbolik jo të mirë pikërisht në institucionin që është shumë i rëndësishëm për frymën demokratike të vendit.

Kryetari i Historianëve shqiptarë në Maqedoni, Skender Asani, thotë për Portalb se zhvillimet aktuale politike janë të lidhura ngushtë me ndikimet historike.

“Politika aktuale maqedonase në vende që të merrte shembuj të mirë të rrugëtimit historik të shqiptarëve dhe maqedonasve, ata po lëkundin shtyllën bazë të ndërtimit të shtetit, duke krijuar një histori fët e fët, pa mbështetje shkencore dhe historike”, thotë Skender Asani.

Sipas Asanit, tashmë po demaskohen institucionet shtetërore se pse në këtë periudhë historike po e keqpërdorin historinë. Ata nuk janë aq naiv siç mendojmë ne, ata punojnë sipas një strategjie mirë të koordinuar me shtetet tjera sllave.

“Kjo politikë është e koordinuar mirë që në këto momente historike subjektin politik shqiptar ta defokusojnë në kërkesa parciale, duke i larguar ata nga kërkesat për avancimin e tyre kushtetues, siç e kanë statusin kushtetues serbet në Kosovë. Subjekti politik shqiptar duhet të dijë se nëse tash nuk ngulmon të avancohet çështja shqiptare në Maqedoni, mos të mendojnë se kur t’u teket atyre mund të hapen çështjet etnike. Proceset etnike hapen në çdo njëqind vjeçar dhe më së shumti këtë fakt shqiptarët e kanë ndjerë gjatë historisë”, thotë Skender Asani.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close