Fundi i qeverisë Thaçi!

Pas vendimit të njëanshëm dhe skandaloz nga ana e Gjykatës Kushtetuese, që çdo gjë të kthehet nga pika ”zero”, të premten më 12 shtator do të ri-mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Pavarësisht se iu mungojnë numrat- koalicioni i PDK-së ka mundësi që me kandidatin e tyre herën e parë ta provojnë prapë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit- ashtu siç provuan edhe më 17 korrik kur dështuan ta bëjnë një gjë të tillë. Edhe tentativat e PDK-së që të kontrabandojnë ndonjë deputetë nga partitë e tjera, ranë në ujë, për faktin se deputetët e koalicionit LDK-VV-AAK-NISMA, i qëndruan besnik fjalës së dhënë që mos të ketë Qeveri ”Thaçi 3”. Kështu që kandidatura e PDK-së do të digjet që në tentativën e parë, në mungesë të numrave. Prandaj koalicioni i PDK-së është i detyruar që të bëjë marrëveshje me koalicionin LDK-VV-AAK-NISMA, në mënyrë që herën e dytë pasi kanë shumicën në Kuvend ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët, për ta bërë kështu Kuvendin funksional dhe duke i hapur rrugë krijimit të Qeverisë. Nëse PDK-ja nuk lëshon pe për të arritur një marrëveshje, atëherë koalicioni LDK-VV-AAK-NISMA- e ka të drejtën që herën e dytë ta propozojë kandidatin e tyre për kryetar Kuvendi. Sepse kështu e parasheh edhe Pika 127 e Kushtetutës ku thotë: që partitë dhe deputetët duhet të mirren vesh për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Kjo i bie që vendos shumica e deputetëve të Kuvendit, për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Që do të thotë se edhe pa deputetët e koalicionit të PDK-së, deputetët e koalicionit të shumicës LDK-VV-AAK-NISMA dhe minoritetet, e që janë 83 deputetë, mund t’i zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit. Kështu thotë kushtetuta dhe është rrugë ligjore. Kështu që koalicioni i PDK-së i as mos ta marrin atë mundim për ta provuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, sepse votat nuk i kanë e këtë rradhë as Gjykata Kushtetuese, por as SHIK-u s’mund t’iu ndihmojnë t’i sigurojnë votat. PDK-ja pasi në çdo variant është e humbur, do të ishte mirë të bëhen burra dhe që në tentativën e parë, t’i japin mundësinë koalicionit LDK-VV-AAK-NISMA që kanë shumicën, ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit, dhe kështu t’i hapin rrugën krijimit të Qeverisë. Dhe pasi të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendi të bëhet funksional, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Presidentja Jahjaga është e obliguar ta thërras koalicionin LDK-VV-AAK-NISMA që kanë shumicën në Kuvend, që ta mandatoj për krijimin e Qeverisë. Sa më shpejt që të formohen institucionet, aq më mirë për të ardhmen e Kosovës. Për këtë është e vetëdijshme edhe PDK-ja, por edhe Presidentja Jahjaga, prandaj këmbëngulësia e tyre që me çdo kusht të ngelin në pushtet, edhe pse janë pakicë dhe nuk mund ta zgjedhin as kryetarin e Kuvendit por as Qeverinë, vetëm po i shkaktojnë dëme shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. Por më 12 shtator po i vije fundi bllokadës institucionale, dhe për Kosovën do të fillojë një epokë e re me koalicionin qeverisës LDK-VV-AAK-NISMA.

Lajme të ngjashme

Back to top button