Izraeli ka bombarduar portin sirian ‘Latakia’

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara deklaruan për CNN se Izraeli qendron pas një serie bombardimesh të ndodhura më 5 korrik në portin e Latakia në Siri.

Burimet e cituara nga kushte anonimiteti nga CNN, për shkak të ndjeshmërisë së informacionit të përcjellë, thanë se sulmet janë ndërmarra nga flota ajrore izraelite. Tel Avivi ka goditur disa anije të ushtrisë siriane në këtë port, në të cilat besohej se ndodheshin raketat ruse Yakhont.

Këto raketa kanë rreze të mesme dhe të gjatë veprimi dhe nga Izraeli konsiderohen si kërcënim për sigurinë e flotës së tij detare.

Sulmet e 5 korrikut në këtë port shkaktuan dhjetra të vrarë, ndërkohë që përgjegjësia për këto sulme nuk është marrë nga askush.

Megjithatë, Izraeli mohoi se ka gisht në këtë sulm. Ministri i Mbrojtjes, Moshe Yaalon deklaroi për mediat vendase se prej shumë kohësh Izraeli nuk ka kaluar kufirin me Sirinë.

“U bë kohë që ne nuk kemi ndërhyrë në luftën siriane. Ne kemi paraqitur vijën tonë të kuqe dhe përsa kohë ajo nuk është kaluar ne ruajmë gjendjen e gatishmërisë. Shpërthim këtu, shpërthim atje, në shumicën e rasteve në Lindjen e Mesme ne akuzohemi”, citohet nga mediat vendase ministri Yaalon.

Lajme të ngjashme

Back to top button