Recension: Kroacia vendi me më shumë borxh në rajon

Shërbimi për verifikimin e fakteve në media (SHVFM) në recensionet e tij zakonisht nuk bën krahasime ndërmjet lajmeve të ndryshme dhe nuk analizon grupe të lajmeve. Krahasimet e këtilla dhe ndjekja e dukurive dhe trendeve në lajme dhe në profesionin gazetaresk në përgjithësi bëhet në rubrikën Analiza. Mirëpo, këtu duhet të largohemi nga kjo rregull metodologjike dhe të potencojmë se bëhet fjalë për lajm të publikuar me qëllim të caktuar, që ka për qëllim ta lë anash një lajm tjetër, shumë më të rëndësishëm dhe njëkohësisht ta lë atë në plan të dytë.

Nuk duhet harruar as faktin se këtu ballafaqohemi me një dukuri të njohur mirë të përzierjes së “shapit me sheqerin” edhe atë në lajmin origjinal të “Slobodna Bosna” dhe në atë që e recensojmë këtu.

SlobodnaBosna_Dolg-165x300Linku deri te artikulli origjinal: Kroacia vendi me më shumë borxh në rajon

Data dhe koha e publikimit: 31.08.2014, 14.14

Data e recensionit: 04.09.2014

Recensues: Vlladimir Petreski

 

PËRMBAJTJA BALLAFAQOHET ME PROBLEMIN E “SHAPIT DHE SHEQERIT”

Në fillim për përmbajtjen. Me informata të këtilla, ku krahasohen vlerat nominale të borxhit publik të vendeve të rajonit, kemi pasur rastin të takohemi edhe më parë. Edhe kësaj radhe ballafaqohemi me krahasime joadekuate ku në vlera nominale krahasohet borxhi publik i një vendi me një vend tjetër, me ç’rast njëri ka numër shumëfish më të madh të banorëve se sa tjetri ose njëri është shumëfish më i pasur se sa tjetri. Duke e pasur parasysh këtë, vlerat nominale të borxhit publik nuk krahasohen, por kjo bëhet si përqindje e Prodhimit bruto të brendshëm (PBB) që të fitohet një krahasim objektiv. Këtë disa herë e kanë potencuar edhe ministri për financa, Zoran Stavreski dhe kryeministri Nikolla Gruevski në paraqitjet e tyre publike, para së gjithash, kur prej tyre kërkohet të deklarohen sa i përket rritjes nominale të borxhit të vendit, duke pasur parasysh se ai për shtatë-tetë vjetë shënon rritje prej 1,4 miliardë euro në 3,3 miliardë euro.

Dhe aspak nuk është me rëndësi se a është marrë lajmi prej ndonjë medie tjetër. Siç kemi shkruar disa herë deri tani, kjo nuk mund të jetë arsyetim që përmbajtja të mos verifikohet nëpërmjet burimeve relevante. E burime të tilla, sot ka sa të duash. Një burim i tillë është edhe аgjencia amerikane e zbulimit CIA, pastaj ka edhe оrganizata komerciale që publikojnë të dhëna të këtilla, e vështirë se mund të gjendet institucion më relevant se Banka Botërore për këtë çështje, me ç’rast të dhënat që i prezanton BB-ja janë publikuar mu si përqindje e PBB-së, gjegjësisht në mënyrën e njëjtë në të cilën insistojnë Stavreski dhe Gruevski. Për një agjenci informative nacionale, me resurse të konsiderueshme, gjetja e këtyre burimeve dhe përgatitja e krahasimeve përkatëse nuk do të duheshte të paraqesë problem të veçantë.

 

LAJM ME QËLLIM TË CAKTUAR

Mirëpo, këtu qëllimi kryesor nuk ka qenë që të bëhet një informatë krahasuese që do të ketë qëllim. Qëllimi ka qenë që lajmi të përgatitet sa më shpejtë që t’i kundërvihet një lajmi tjetër, gjegjësisht një sërë lajmesh tjera. Në fakt, të njëjtën ditë kur u publikua ky lajm dhe u transmetua nga një sërë portalesh, Ministria për Financa e publikoi edhe gjendjen me borxhin e Republikës së Maqedonisë pas huasë së re me eurokambialin prej 500 milionë eurosh, me ç’rast borxhi i qeverisë qendrore arriti nivelin prej 40,8 përqind të PBB-së, përqindje kjo të cilën nuk e kemi parë tashmë 12 vjet.

Kjo më së miri shihet te agregatorët e lajmeve, për shembull këtu, ku lajmi që e recensojmë është shumë herë më i transmetuar, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për lajm agjencie, ndërsa lajmi për gjendjen me borxhin publik të Maqedonisë, megjithatë, duheshte të përgatitet në tërësi.

Është çështje krejtësisht tjetër se pse një agjenci nacionale në ditën kur publikohet niveli i borxhit publik të vendit tonë nuk informon për këtë edhe atë në situatë kur ai është në rritje të konsiderueshme, për shkak të huasë së re, dhe në vend të kësaj transmeton një lajm nga një medie e huaj, vlera informative e të cilës më së paku thënë është e papërdorshme. Por, përgjigjen për këtë pyetje do ta japim në ndonjë rast tjetër.

Lajme të ngjashme

Back to top button