Blloku i jep Vetëvendosjes dialogun me Serbinë

Blloku ka pranuar që negociatat me Serbinë t’i udhëheqë Albin Kurti. Kjo ka shkaktuar habi dhe nervozë tek ambasadat perëndimore në Prishtinë, të cilat duket se do të dalin publikisht kundër.

Madje, indirekt, qysh sot Ambasadorja e SHBA’së shfaqi pakënaqësinë e shtetit që përfaqëson me zhvillimet në këtë drejtim

Tashmë është zyrtare se Blloku LDK-AAK-Nisma kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje, pas pothuajse dy muaj negociatash, me Lëvizjen Vetëvendosje.

Por çka ndodhi që menjëherë u finalizua marrëveshja mes Bllokut dhe VV’së? Si u bë që partia e Albin Kurtit të pranojë të hyjë në Qeveri, ndërkohë që vetëm dy javë më parë thoshte se po përgatitet për Opozitë? Dhe, për më tepër, çka i ofroi Blloku kreut të VV’së, Kurtit?

Burime të Gazetës Express, të afërta me krerët e opozitës, thonë se Blloku ka pranuar që bisedimet t’i udhëheqë Albin Kurti, një përgjegjësi kjo që deri më tash e ka pasur Kryeministri i vendit.

“Pra, Blloku dhe Ramush Haradinaj – si i nominuar për Kryeministër, përgjegjësinë e udhëheqjes së negociatave e kanë bartur tek Vetëvendosje”, ka treguar burimi i Gazetës Express.

Por kjo ka shkaktuar habi dhe nervoz tek ambasadat perëndimore në Prishtinë.

“Procesi i dialogut është jetik për Kosovën dhe nëse ky proces udhëhiqet nga kundërshtari më i madh i tij, Albin Kurti, dihet se nuk mund të mendohet se do të shënohet ndonjë rezultat në këtë proces. Për ne kjo është plotësisht e papranueshme”, ka treguar për Gazetën Express një diplomat i akredituar në Prishtinë.

“Nëse kjo marrëveshje nënshkruhet nga palët, atëherë ne do të dalim publikisht për ta kundërshtuar atë”.

I njëjti burim thotë se vendet e Quintit mbështesin plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe janë të bindur se Blloku duhet të lëshojë pe; në mënyrë që PDK ta marrë postin e Kryeparlamentarit.

Por Ramush Haradinaj duket se po mendon ndryshe.

“Kreu i AAK’së është i interesuar jetësisht për ta marrë postin e Kryeministrit, dhe nëse Kryeparlamentari i jepet PDK’së, atij do t’iu prishej kjo matematikë, pasi që në LDK do të rritesisht pakënaqësitë pasi që lideri i tyre nuk do të kishte asnjë post të rëndësishëm”, kanë treguar burime të Express.

Në këtë kontekst, duket se është arritur edhe marrëveshja me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ne jemi të bindur se duke qenë Vetëvendosje me ne, PDK do të tërhiqej nga bllokada në Parlament dhe ne do të na hapej rruga për rizgjedhjen e Isa Mustafës në postin e Kryeparlametarit”, ka thënë një zyrtar i Bllokut, për Express.

Ndërkohë, në një mënyrë, Ambasadorja e SHBA’së në Prishtinë, ka shfaqur pakënaqësinë e shtetit që përfaqëson me zhvillimet në vend; pra me hyrjen e Vetëvendosjes në Qeveri me kushtin që ajo t’i udhëheqë negociatat me Serbinë.

“Dy sukseset më të mëdha që prej ardhjes sime këtu; dialogu dhe zgjedhjet. Kosova duhet të zotohet se këto suksese t’i shpjerë përpara, e jo prapa”, ka shkruar ajo në Twitter./express/

Lajme të ngjashme

Back to top button